Lajmet

Hapi siparin Akademia Ndërkombëtare Verore organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji

Jul 5 2017
0 Shpërndarje
Kjo akademi po mbahet me qëllim të trajnimit dhe përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm në fushën e sigurisë kibernetike Hapi siparin Akademia Ndërkombëtare Verore organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji Photo Source: ICTSmedia

Ditën e Mërkure hapi siparin Akademia Ndërkombëtare Verore organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji e cila do të mbahet në datat 5-19 Korrik.

Në hapjen zyrtare të këtij organizimi morën pjesë dhjetëra profesorë dhe përfaqësues nga kompani të specializuara në çështjet e sigurisë kibernetike.

Në këtë aktivitet nderuan me pjesëmarrjen e tyre profesori nga Universiteti i Bloomsburg dhe hakeri i njohur ndërkombëtarisht Prof. Dr. Philip Polstra, profesori i UBT-së Prof. Dr. Zhilbert Tafa, menaxheri i UBT-CERT Atdhe Buja, përfaqësuesi i kompanisë “Rrota” Ardian Veliu, përfaqësuesja e KOSTT Arjeta Gashi dhe përfaqësuesi i kompanisë Formon Arianit Zabërgja.

     Në ditën e parë të këtij organizimi, për studentët e SHKI-së do të ligjërojnë hakeri Philip Polstra dhe menaxheri i UBT-CERT, Atdhe Buja, të cilët do ta trajtojnë temën më titull: “Digital Forensics with Open Source Tools – Linux”.

Prof. Dr. Philip Polstra është një haker i njohur ndërkombëtarisht. Ai ka folur në shumë konferenca në mbarë botën, përfshirë fjalimet në Blackhat, DEFCON, 44CON, GrrCON, ForenSecure dhe B-sides Iowa.

Puna e tij e fundit në zhvillimin e harduerëve për hakerat, bazuar në familjen e pajisjeve të Beagle, është dokumentuar në librin e tij “Hacking and Penetration Testing With Low Power Devices” (Syngress, 2015). Aktiviteti i hapjes filloi në ora 11:00 pranë Universitetit për Biznes dhe Teknologji.

Kjo akademi po mbahet me qëllim të trajnimit dhe përgatitjes së profesionistëve të ardhshëm në fushën e sigurisë kibernetike, trajnime këto që po mbahen nga ekspertët më të mirë të fushës.

Më 7 Korrik 2017, kësaj akademie do ti bashkohen me ligjërimet e tyre, dy fituesit e çmimit të Mobilitetit të Vitit në dy edicionet e fundit të Albanian ICT Awards, Genti Selenica nga Baboon dhe Albi Zhulali nga Softmogul. Ata do të flasin rreth Inovacioneve të Vitit 2017 dhe të Ardhmes së Teknologjisë.

Akademia Ndërkombëtare Verore organizohet nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji me mbështetjen e UBT-CERT, shtëpisë Botuese ICTSmedia, Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Sentry Cyber Security.

Gjatë akademisë do të mbulohen tema si: Inxhinieria e Sistemeve, Dynamic Web, Sistemet e Komunikimit në Windows dhe Linux Forensics, Informatika Cloud, Siguria e Rrjeteve, Hakimi dhe Sistemet Dixhitale, Gaming dhe Privatësia dhe Siguria e të Dhënave. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>