Lajmet

Harito: Kemi përforcuar sigurinë kibernetike

Jul 15 2014
0 Shpërndarje
Harito: Kemi përforcuar sigurinë kibernetike

harito 300 ditNë fjalën e mbajtur gjatë analizës për punën e Qeverisë Shqiptare gjatë 300 ditëve të para, ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, krahas reformava të ndërmarra në Administratën Publike, u ndal edhe në zhvillimet rreth dixhitalizimit të sektorëve të ndryshëm. Sipas ministres Harito është përgatitur për herë të parë, platforma e dixhitalizuar që do të jap të dhëna mbi gjithë Administratën Publike për të siguruar transparencë dhe progres në menaxhimin e saj.

“Të gjithë e dimë mundimin e tufave me dokumente që kërkohen në dyert e administratës: sot teknologjia na mundëson ta evitojmë këtë gjë. Tashmë dokumentet mund të transmetohen nga një zyrë e shtetit në tjetrën, drejtpërdrejt në format elektronik. Për këtë kemi futur për herë të parë nënshkrimin elektronik të dokumenteve, në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit – për t’i lehtësuar jetën biznesit”, – u shpreh ministrja Harito gjatë fjalës së saj të mbajtur në analizën për punën e 300 ditë të para të Qeverisë. “Teknologjinë e shohim në radhë të parë, si një mjet për të krijuar besueshmëri, për një shoqëri që kishte humbur besimin. Si rikthehet besimi? Duke ofruar transparencë dhe kontroll të punës së institucioneve. Për këtë arsye, çdo e dhënë qeveritare, duke filluar nga shpenzimet e detajuara të Ministrive – është sot transparente dhe e aksesueshme për këdo”, – vazhdoi ministria në fjalë e saj.

Sipas Haritos, në këto 300 ditë me mbështetjen e qeverisë norvegjeze, u mundësua krijimi i një portali të hapur publik, me gjithë hartat zyrtare të shtetit shqiptar dhe po përmirësohet portali unik i shërbimeve publike, E-albania, ku tashmë gjithkush mund të deklarojë të ardhurat personale. Inovacion i prekshëm është pagesa e faturave të energjisë nëpërmjet celularit, duke lehtësuar jetën e çdokujt, duke evituar radhët, gabimet dhe korrupsionin. Ministrja Harito u ndal edhe tek siguria kibernetike, ku sipas saj është përforcuar kjo siguri dhe është përgatitur dokumenti i politikave dhe Portali i Sigurisë Kibernetike. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>