Lajmet

Në Shqipëri do të përdoren hartat e Google për monitorimin e të miturve të dënuar

Oct 30 2014
0 Shpërndarje
Në Shqipëri do të përdoren hartat e Google për monitorimin e të miturve të dënuar

sherbimi i provesËshtë lançuar në Shqipëri shërbimi “Google Mapping” nga UNICEF dhe Institucioni i Shërbimit të Provës. Hartat e Google të hartuara për zyrat vendore të Shërbimit të Provës në Shqipëri, do të ndihmojnë për të menaxhuar integrimin e të miturve në konflikt me ligjin të cilët kanë marrë dënimin alternativ “punë në interes publik” duke mundësuar në të njëjtën kohë edhe një mjedis të sigurt për qytetarët.

Në Shqipëri, aktualisht numërohen 22 zyra vendore të shërbimit të provës për mbikëqyrjen e dënimeve alternative, nga 12 që ishin 1 vit më parë. Statistikat flasin për një numër në rritje të të miturve në mbikëqyrje, nga 109  të dënuar në 2009 kanë arritur në rreth 300 në 2014. Sipas drejtuesve të Shërbimit të Provës, menaxhimi i rasteve të tyre përbën një sfidë për zyrat e këtij institucioni, prandaj prezantimi i kësaj teknologjie moderne përbën një domosdoshmëri.

Harta e Google integron sasi të mëdha të dhënash të shkelësve të ligjit dhe kjo i mundëson 22 zyrave të Shërbimit të Provës në Shqipëri fleksibilitetin, për të nxjerrë një hartë me të dhënat që  përputhen me vendndodhjen e shkelësve të ligjit. Tashmë me këtë teknologji, të gjithë shkelësit e ligjit janë lehtësisht të identifikueshëm në Shqipëri.

Përvoja në botë tregon se, hartat e Google kanë ndihmuar paraprakisht në menaxhimin e rasteve të ndryshme dhe kane ofruar ne mënyrë të konsiderueshme shërbime dhe bashkëpunim më të mirë mes zyrave të shërbimit të provës. Hartat e Google do të përmirësojnë bashkëpunimin ndërmjet gjykatave, njësive vendore dhe Shërbimit të Provës. Më e rëndësishmja, me aplikimin e këtij sistemi, do të rritet siguria dhe mbrojtja e qytetarëve dhe do të sigurohet një mundësi akoma më e mirë për shkelësit e ligjit për të arritur ndryshime pozitive për jetën e tyre. (PCWorld Albanian)

Tags >

Google
Lajmet e fundit>