Lajmet

Haxha nderohet nga artistët e Kosovës

Sep 12 2011
0 Shpërndarje
Haxha nderohet nga artistët e Kosovës

Mirënjohjen për kontributin e dhënë, Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së ia ndau Blerim Gjoci, drejtor i këtij festivali gjatë mbylljes solemne të edicionit të tetë të “Nine Eleven” që është mbajtur në Prishtinë nga 7-11 shtator. 

“Kjo është një mirënjohje tepër e veçantë dhe i ndahet për herë të parë një kompanie dhe personaliteti  që ka bërë aq shumë për promovimin dhe zhvillimin e ngjarjeve dhe evenimenteve kulturore dhe bëhet fjalë pikërisht për Kryeshefin Ekzekutiv të PTK-së, dr. Shyqyri Haxhën, kontributi i të cilit është jashtëzakonisht i madh në përkrahjen dhe realizimin e veprave të njerëzve të artit e të kulturës”, theksoi Blerim Gjoci, drejtor i festivalit të filmit të shkurtër “Nine Eleven”.

Sipas tij,  menaxhmenti aktual i PTK-së në krye me Dr. Haxhën, gjithnjë u ka dalë në ndihmë artistëve kosovarë duke ua ofruar mundësinë për t’i jetësuar veprat e tyre artistike.

Nga ana e tij, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së duke vlerësuar mirënjohjen e dhënë la të kuptohet se PTK duhet të merret si shembull i mirë nga kompanitë e tjera se si duhet përkrahur e nxitur veprimtaritë kulturore, e veçmas njerëzit e artit e filmit kur dihen vështirësitë e tyre financiare.

“Nuk është asnjëherë e vështirë të gjesh mundësi për të përkrahur artistët tanë në synimin e tyre për të kurorëzuar më sukses idetë e tyre artistike, kur dihet përkushtimi i tyre maksimal për promovimin e vlerave të mirëfillta”, deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha me rastin e pranimit të mirënjohjes.

Lajmet e fundit>