Lajmet

HELLO & Solaborate: Intervistë me Inovacionin e Vitit në Edicionin e Pestë të Albanian ICT Awards

May 24 2017
0 Shpërndarje
HELLO & Solaborate: Intervistë me Inovacionin e Vitit në Edicionin e Pestë të Albanian ICT Awards

Labinot & Mimoza Bytyqi vëlla e motër, lindur ne Kosovë, në vitin 1999 emigruan në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara si refugjatë lufte. Aty vazhduan edukimin dhe karrierën, ku edhe themeluan kompaninë e tyre Solaborate.

Ekipi prej 60 vetash i cili qëndron prapa Solaborate dhe operon në Kosove, janë edhe shpikësit e “HELLO” një pajisje “Video” e avancuar dhe inovative për komunikim, e cila u vjen në ndihmë bizneseve dhe individëve të komunikojnë më mirë, më shpejt dhe sigurt me njëri tjetrin.

Hello është një pajisje e përballueshme nga çdo person, e cila transformon çdo TV në platformë video conferencing. Është një pajisje e zgjuar “all-in-one” e cila mbështet video 4K, wireless screen sharing, live broadcasting dhe shumë funksione të ndryshme.

Hello ka përfituar investime me vlerë prej gjysmë milion dollarësh nga platforma Kickstarter dhe IndieGogo, e financuar me vlerë prej 1400%.

PCWA: Emigrimi në Shtetet e Bashkuara, mes një mundësie dhe të kaluare të pazakontë. Si filloi e gjitha, nga largimi nga Kosova tek jeta në Bregun Perendimor të SHBA-ve?

Labinot Bytyqi: Nga Kosova u larguam në 1999 dhe u vendosëm si refugjatë në Bregun Perendimor të Shteteve të Bashkuara. Më parë kemi jetuar në Prishtinë. Lufta na kishte përfshirë të gjithëve dhe vendosëm të largoheshim për në Maqedoni. Atje na u dha shansi për të emigruar në Amerikë dhe nuk e humbëm këtë mundësi. Besuam tek një jetë e re që mund të na ofronte ai vend dhe çdo ditë ndihemi edhe më të bekuar për këtë mundësi që na është dhënë dhe që e kemi pranuar.

Çdo fillim i ri është i vështirë, veçanërisht kur ja filloni në një vend të huaj, me një gjuhë të re e mbi të gjitha mentalitet i ri. Falë Zotit i mbijetuam luftës. Në Maqedoni shkuam kur situata filloi të eskalonte.

Sa i përket Amerikës kjo është toka e mundësive. U përshtatëm me shpejtë me jetën në SHBA edhe pse po përballeshim me një kulturë të re ku asnjëherë nuk është e lehtë të adaptohesh me të. Çdo projekt dhe synim i jonë është bërë realitet në këtë vend.

Kemi arritur në këtë pikë jo vetëm nga mundësia që na u dha por edhe përmes punës, dedikimit dhe pasionit të lartë për atë që bëjmë.

PCWA: Edukimi dhe karriera, çfarë mund të na thoni për për këto dy aspekte të jetës suaj në SHBA?

Labinot Bytyqi: Eksperienca ishte me të vërtetë unike në këto drejtime. Edhe pse ishim refugjatë lufte, përpjekjet tona ja dedikuam më së shumti edukimit dhe arritjes së qëllimeve.

Në SHBA është një kulturë tjetër dhe kemi përjetuar ndjesi e reagime nga më të ndryshiment. Nuk flisnim dot anglisht, thjeshtë ca fjalë bazike dhe ishte sfiduese sepse duhet punojë më shumë krahasuar me studentët Amerikanë si rezultat i kësaj barriere gjuhësore që kishim. Gjithashtu duhej të siguronim ca të ardhura për edukimin tonë.

Të dy kemi studiuar pranë Universitetit George Fox ku na u desh më shumë sesa thjeshtë studimi për tu përshtatur. Përballeshim me një mendësi, gjuhë dhe metoda krejtësisht të reja mësimore. Duhej të punonim fort për të kapur kolegët tanë. Pikërisht këto sfida ndikuan në formimin tonë.

Labinoti ka një diplomë Bachelor nga Universiteti George Forx në Oregon me një major të dyfishtë në Menaxhim Biznesi dhe Shkenca Kompjuterike dhe një major në Ekonomi. Aktualisht ai po ndjek studimet Master në Teknologji Informatike nga Universitetit i Fenix-it.

Labinot dhe Mimoza janë pjesë e Albanian – America Success Stories, një projekt i themeluar në 2014-ën i cili vjen në mbështetje të historive Shqiptare të suksesit në SHBA.

Kemi patur disa angazhime në punë përpara se të fillonim projektin tonë i cili ofron një formë unike komunikimi për njerëzit.

Sektori teknologjik gjithnjë ka ngjallur interes tek ne. Që nga përfshirja në programet teknologjike në Kosovë përpara luftës deri tek ndjekja e edukimit në fushat e teknologjisë.

Labinoti ka punuar pranë SAP përpara se të fillonte biznesin e tij edhe ishte shumë e përfshirë me disa prej emrave të shquar të industrisë së teknologjisë. Punoi për 7 vite pranë SAP. E filloi si një këshilltar teknik pranë SAP Consulting dhe drejtoi Application Lifecycle Management Practice në Amerikën e Veriut. Më pas kaloi në menaxhimin e produktit dhe ishte përgjegjëse për strategjitë, shitjet, zhvillimin e biznesit dhe strategjitë e tregjeve.

Pozicioni i fundit që mbajti pranë SAP ishte menaxhimin e Rrjetit të Konsumatorëve Madhor të SAP ku spikatin 28 emra dhe përfshihen Apple, Microsoft, Intel, Nike, Cisco, Google, Facebook, LinkedIn, HP, Disney, Boeing, Warner Brothers, Nestle, T-Mobile, McAfee, McKesson, AMD, eBay, Adobe, Direct TV, dhe Sony.

Labinoti ndihmoi kompaninë të kishte arritje në të ardhurat duke shitur 10 milion dollar softuer në 2010-ën. U emërua punonjësi më i talentuar pas tre vitesh eksperiencë.

Në 2013-ën fillova të mendoja që eksperiencën time ta aplikoja edhe tek motra ime për të ndjekur ambiciet tona. Pamë hapësira në treg veçanërisht të komunikim social për profesionistët. Aty filloi e gjitha me synimin e vetëm të përmirësimit të mënyrës së komunikimit.

Kur punova pranë SAP menaxhoja 28 llogari në Rajonin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara si Apple, Microsoft, Intel, Google, Linkedin, Cisco Systems dhe Facebook.

Kalonin javë nëpër takime me vendimmarrës por 4-15 minuta e para të çdo takimi ishin gjithnjë humbje kohe dhe irritim gjatë vendosjes së komunikimit. Probleme me shfletuesin, kalimi nga PC në MAC, vendosja e kabllove të duhura e një mori ngërçesh.

Shumica e konsumatorëve kishin zgjidhje të profesionale për këtë por zakonisht duhej një teknik IT për të vendosur komunikimin dhe bashkëfolësit e tjerë duhej të kishin të njëjtin harduer pa opsione konektiviteti cross-platform.

Eksperienca ishte e dhimbshme dhe çdo zgjidhje aktuale ishte e tillë sepse sistemet ishin dizajnuar për takime të nivelit të lartë për ekzekutivët. Për këtë duhej një opsion më i mirë për i përballueshëm, më i lehtë për tu përdorur i cili mund të aplikohej jo vetëm për bizneset por edhe përdorim personal.

Këtu lindi ideja e Solaborate. Që atëherë jemi përkushtuar për ta bërë më mirë platformën e më pas erdhi Hello, alternativa më e përballueshme për sistemet e video komunikimeve të nivelit të lartë dhe jemi shumë krenar për të. Sot kemi një kompani me mbi 70 punonjës që punojnë për platformën dhe Hello e është një ndjesi e veçantë.

PCWA: Pjesëmarrja në ICT Awards 5,  a është kjo hera e parë që bëheni pjesë e një gare të tillë dhe pse ndërmorët këtë hap?

Labinot Bytyqi: Po kjo është hera e parë që bëhemi pjesë e një gare si ICT Awards. Rrugëtimi i Hello është i gjatë që nga fushata jonë e suksesshme në Kickstarter më pas në IdieGoGo tek dyqani ynë Hello.

Kuptuam sesa e rëndësishme është për ne të punojmë me përkushtim dhe të në njëjtën kohë të sigurohemi se inovacioni ynë do të arrijë jetët e sa më shumë njerëzve duke bërë diferencën në komunitete të ndryshme. Fitimi i çmimit Inovacioni i Vitit do të ishte një tjetër shtysë për ne drejt arritjeve të qëllimeve dhe për këtë u bëmë pjesë e saj.

PCWA: Çfarë është Solaborate dhe cili është qëllimi kryesor i tij?

Labinot Bytyqi: Solaborate është një kompani e zhvillimit të softuerit dhe teknologjisë inovative. Themeluar në 2011-ën me seli në Los Angeles të Kalifornisë, pjesa më e madhe e ekipit në të vërtetë ndodhet në Prishtinë.

Solaborate është një platformë e komunikimit produktiv. Solaborate dhe Hello ofrojnë mjetet dhe shërbimet më të mira të komunikimit për njerëzit që duan të jenë produktiv.

Produkti kryesor i Solaborat është Solaborate Messenger, një platformë multifunksionale komunikimi e përqendruar në përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mesa njerëzve duke u mundësuar atyre kontakt të vazhdueshëm.

Përveç komunikimit në forma të ndryshme, ju mund ta përdorni Solaborate për të shkruar blogje, kërkuar dhe krijuar vende pune e mundësi, për të ndarë foto e video e shumë të tjera.

Solaborate është zhvilluar dhe dizajnuar për ti bërë njerëzit më produktiv. Objektivi kryesor është përmirësimi i kërkimit, lidhjes, bashkëpunimit dhe komunikimit me njërzit mbi baza ditore.

Ndërfaqja miqësore me përdoruesin i ndihmon ata të bashkojnë të gjithë profesionistët në rrjetin e tyre personal dhe të ndërtojnë një karrier mbi besimin, produktivitetin dhe komunikimit e lehtë.

Jemi të bindur se produkti jonë mund të bëjë diferencën në jetët e njerëzve dhe synojmë që pajisje Hello të hyjë në çdo shtëpi në mbarë botën.

PCWA: Solaborate është falas për tu përdorur? Dhe nëse jo si do ta monetizoni plaformën?

Labinot Bytyqi: Aktualisht platforma vijon të jetë falas dhe e tillë do të ngelet. Në të ardhmen do të monetizojmë pjesë të ndryshme të saj që do të jenë të lidhura direkt me pajisjen HELLO. Platforma e Solaborate do të jetë falas për këdo që e dëshiron.

PCWA: Mund të na flisni pak rreth Hello, arsyes së kësaj nisme dhe financimit?

Labinot Bytyqi: HELLO funksionon si pjesë e platformës së Solaborate dizajnuar për individët por edhe ekipet që kërkojnë komunikim dhe bashkëpunim të cilësisë së lartë, të lehtë dhe të pasur në funksionalitete.

Kam punuar në këtë industri prej mëse 10 vitesh dhe sfida ime më e madhe ka qenë arritja e klientëve dhe puna me ekipet e mija në vend të ndryshme të botës. Komunikimi ka qenë gjithnjë një problem. Kemi shpenzuar kohë pa fund duke vendosur lidhjet e komunikimit dhe në fund shërbimi ishte i paqëndrueshëm.

Duke qenë se të tjerët nuk po ofron një zgjidhje ne vendosëm ta ndërtonim vetë. Gjithashtu ngaqë punonim në vend të ndryshme, ekipet tona kishin nevojë për një komunikim video të lehtë dhe një pajisje që do të mundësonte një eksperiencë më të mirë kurdo herë dhe në çdo vend.

Ne e dinim se ashtu si ekipi ynë kishte ekipe pa fund në mbarë botën që kishin probleme me komunikimit dhe bashkëpunim në një mënyrë sa më efikase dhe produktive. Kështu filloi HELLO.

Në mesin e sajteve për grumbullimin e fondeve zgjodhëm Kickstarter sepse besojmë që është platforma më e mirë dhe më e besueshme. Mbështet projektet kreative dhe ndjek modelin “të gjitha ose asgjë” dhe këtu kuptuam se është platforma e duhur për projektin tonë HELLO.

PCWA: Pajisja Hello, cilat janë disa prej aspekteve teknike të saj?

Labinot Bytyqi: HELLO funksionon si pjesë e platformës së Solaborate dizajnuar për individët por edhe ekipet që kërkojnë komunikim dhe bashkëpunim të cilësisë së lartë, të lehtë dhe të pasur në funksionalitete.

Kjo pajisje inteligjente e avancuar për shtëpinë apo zyrën tuaj lidhet me çdo televizor dhe ofron një zgjidhje unike të për video konferencat, transmetimet live, mbikëqyrjen e sigurisë dhe teknologjinë e gjurmimit të lëvizjeve dhe shpërndarjen wireless të ekranit.

HELLO ka një akselerometër, një lente, ca mikrofonë, një sensor 4K dhe procesor katër bërthamësh. Të gjitha këto veçori bashkohen për të ofruar eksperiencën më të mirë të zërit dhe video brenda dhomës.

Kjo pajisje merr vetëm 2 minuta kohë për tu konfiguruar dhe mbështet shpërndarjen wireless në platforma të ndryshme si Windows, Mac, iOS, Android dhe Linux. Materialet e ndërtimit janë prej alumini, dhe HELLO ka një dizajn elegant e të qëndrueshëm i disponueshëm në dy ngjyra: zezë dhe gri.

Ju mund ta përdorni Hello me Alexa, Skype, Skype for Business, WebEx, Google Hangouts, Facebook Messenger, WeChat, WhatsApp, Zoom, BlueJeans, GoToMeeting dhe shumë të tjera. Disponueshmëria e këtyre aplikacioneve përmes HELLO mundëson një eksperiencë e cila ka në fokus efikasitetin dhe produktivitetin.

PCWA: Financuar me një vlerë mbi 1400%, si ka qenë ecuria e Hello në aspektin e shitjeve?

Labinot Bytyqi: Siç e përmenda më parë vendosëm së fillonim rrugëtimin tonë në KickStarter me qëllimin për të ngritur 30 mijë dollar por ajo që morëm ishin 400 mijë dollar. Pas KickStarter kaluam në IndieGoGo ku arritëm financim prej 630 mijë dollarësh. Aktualisht kushdo që është i interesuar për të blerë HELLO mund ta porosisin në IndieGoGo ose ta blejnë nga dyqani HELLO dhe aktualisht kemi shitur 670 mijë dollar pajisje.

Çdo ditë numri i shitjeve rritet dhe ka qenë diçka e pabesueshme të shikonim një interes kaq të lartë për HELLO-n. Jemi krenar për këtë sukses dhe punë të jashtzakonshme që ekipi ynë ka bërë. Tani mezi presim tua dërgojmë HELLO-n të gjithë mbështetësve tanë.

PCWA: Çfarë do të thotë për Labinotin, Solaborate dhe Hello fitimi i çmimit Inovacionit i Vitit në ICT Awards?

Labinot Bytyqi: Jemi të nderuar. Mbështetje të tilla na japin ne energjinë dhe motivimin e duhur për të punuar dhe përkushtuar më tepër.

Fitimit i çmimit Inovacioni i Vitit në ICT Awards do të thotë shumë për ne dhe ekipin që ka punuar për të. Për ne kjo medalje përfaqëson një inovacion që flet shqip dhe sa shumë janë në gjendje të arrijnë shqiptarët.

Për këtë jemi të lumtur që u bëmë pjesë dhe u shpallëm fitues në edicionin e pestë të ICT Awards. Jemi plotësisht mirënjohës dhe krenar të jemi pjesë vendeve inovative dhe të talentuara si Kosova dhe Shqipëria.

PCWA: Iniciativa ose Projekti i ardhshëm i Labinotit dhe Mimozës?

Labinot Bytyqi: Aktualisht jemi në fazën e prodhimit dhe dërgimit të pajisjeve HELLO për mbështetësit tanë në mbarë botën dhe kemi filluar planifikimin dhe dizajnimin e HELLO 2.

Sa i përket të ardhmes sonë një gjë është e sigurtë, nuk kemi për tu ndaluar. Ne jemi duke punuar shumë në përmirësimin e platformës dhe shërbimeve dhe është shumë e rëndësishme për ne që HELLO të arrijë sa më shumë njerëz e komunitete në mbarë botën. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>