Blog

Historiku i Kosova Hackers Group (1998-2010)

Sep 8 2010
0 Shpërndarje
Historiku i Kosova Hackers Group (1998-2010)

Gjersa UÇK-ja bënte luftë ballë për ballë me armikun në atdhe, ne u munduam të përdorim trurin dhe të luftojmë kundër armikut me metodat tona nga gyrbeti. Hakerët serbë filluan të sulmojnë faqet e NATO-së dhe disa ueb faqe amerikane mjaft publike, në të cilët patën vendosur fjalë kërcënuese ndaj popullit shqiptar, ndërsa në vitin 1999 ne filluam të reagojmë në këtë aspekt dhe filluam të sulmojmë apo më mirë thënë rrëzojmë disa nga serverët serb si p.sh (IRC server), të cilin e kanë shfrytëzuar serbët për të komunikuar mes vete, ndërsa ne kemi komunikuar me ta duke vendosur flamurin kombëtar kuq e zi dhe duke shkruar se jemi krenar që jemi shqiptar.

Në raste tjera të sulmeve ndaj ueb faqeve serbe, është paraqitur edhe Harta e Kosovës me sfond Kuq e zi, dhe me komente se faqja është sulmuar nga Kosova Hackers Group – KHG. Pas këtyre rasteve serbët janë detyruar t’i mbyllin ueb faqet e tyre përgjithmonë, për shkak të patriotizmit që kanë apo për të mos lënë fakte se çfarë ka ndodhur. Për këto raste mund të kërkoni edhe në Google, ku do të hasni informacione të shumta, të cilat i kanë shkruar gazetat amerikane, gjermane gjithashtu edhe gazetat, serbe, ruse etj.

Viti 2000, shënon rikthimin në punët tona dhe vazhdimin e përkushtimit për një të ardhme më të mirë. Ndërsa në vitin 2003, nxitemi sërish që të kthehemi në frontin e teknologjisë për t’iu ndihmuar vëllezërve dhe motrave tona Shqiptare, dhe të mësojmë edhe më shumë gjëra rreth kompjuterit dhe trurit të tij. Në këtë kohë të rikthimit, kemi pasur ueb faqe të thjeshtë dhe një forum në phpBB, në të cilën diskutonim mbi probleme të ndryshme, nga anëtarë të ndryshëm dhe i ofronim ndihmë secilit anëtarë për të lëvizur një hap më tej. Pas një viti pune me komunitetin tonë, na u paraqit rasti për një konkurrim kundër serbëve dhe kroatëve. Ndërsa serbët si serb vendosën të shpallin luftë virtuale kundër Shqiptare kryesisht me Kosova Hackers Group (KHG-s), dhe madje në disa raste patën sukses me hakimin e disa ueb faqeve shqiptare, si të kryeqytetit të Prishtinës, disa ueb faqe të vogla, etj, ne si Kosova Hackers Group vazhduam me mbështetjen tonë ndaj ueb faqeve shqiptare për t’i mbyllur vrimat e tyre, në mënyrë që hakerët serbë të mos kenë qasje në serverë shqiptar apo ueb faqe shqiptare.

Sulmet e KHG-së, gjithnjë me rezultate të suksesshme

Pasi ne patëm sukses dhe arritëm t’i kontrollojmë thuajse të gjitha ueb faqet shqiptare dhe t’i këshillojmë ato për ti mbyllur vrimat e tyre, vendosëm të hidhemi në kundër sulm ndaj hakerëve serb. Kosova Hackers Group (KHG-CREW), arriti që brenda një jave ti hackoj mbi 300 ueb faqe dhe 1000 llogari tjera serbe, si psh: llogari e-mail, llogari financiare (Online Banking)-(E-Banking) etj. Kurse për suksesin tonë më të madh ndikuan edhe ueb faqet më të mëdha të cilat i hakuam si Mobtel/Mobiklik, Benchmark, faqe të kryeqytetit Serbisë, faqe të klubeve të futbollit dhe basketbollit, si dhe shumë faqe tjera ortodokse të serbëve. Pas suksesit tonë humbi fara e serbëve, sikur mos te eksitonte kurrë apo sikurse të ishim në ëndërr dhe jemi ngritur nga gjumi. Ka fakte të shumta për këto raste të cilat kanë ndodhur kundër armiqve serb, si psh në Google si dhe media të ndryshme në arkivat e tyre.

Megjithëse në fund të 2006 u desh të ndëprejmë funksionimin e forumit, ai u kthye sërish aktiv në vitin 2007, dhe kjo na ndihmoi që si emër të rikthehemi sërish aktiv për një kohë të shkurtër, dhe me një sukses edhe më të madh, pasi që fituam respektin si grup i vjetër, dhe përveç kësaj çdo ditë numri i anëtarëve në ueb faqen tonë u dyfishonte, ndërsa ne vazhdonim me punën e përkrahjes së kombit shqiptar në hapet e tyre të parë të teknologjisë, dhe në ofrimin e trajnimeve atraktive për të interesuarit në programe të ndryshme dhe sistemeve ekzistuese në treg.

Këta ishim ne, të cilët u munduam ta përshkruajmë vetën me fjalë të shkurtra dhe të japim pak më shumë informacione mbi ne, dhe punën tonë se çfarë kemi bërë deri me tani.

Në anën tjetër ne si staf i KHG-së sugjerojmë të gjithë atdhetarët, posaçërisht të rinjtë që të shfrytëzojnë këtë lëmi për përfitim të diturisë në fusha të ndryshme të teknologjisë, pasi që kjo veprimtari që e kemi ushtruar ne qe sa vite mund të jetë e rrezikshme dhe koha kur e kemi qenë aktiv me hackime të ndryshme, ka qenë kohë që kemi qenë të detyruar që sadopak të mbrojmë ueb faqet shqiptare e në anën tjetër t’i tregojmë armikut që shqiptari pos armës, din të përdor edhe diturinë, vetëm e vetëm për të mbrojtura interesat tona kombëtare.

KHG e së tashmes dhe të ardhmes

Hakerllaku është diçka që të futet në gjak dhe bëhesh i varur prej saj, por ne kemi vepruar kundër ligjit, megjithëse rrethanat kanë qenë asisoj që është dashur të veprohet në këtë mënyrë, por tani gjërat janë paksa më ndryshe dhe ligji në njëfarë mënyre po luani rolin e terapisë ndaj varësisë.

Për ne lufta kundër cyber-kriminelëve serb nuk ka më efekt sepse kundërpërgjigjet tona janë dëshmuar në shumë raste, madje dy apo tre fish më shumë. Ata vetë i kanë iniciuar këto luftëra por vetë i kanë humbur edhe më keq. Edhe pse kohëve të fundit ka pasur sërish provokime nga ana e tyre, ne nuk jemi kundërpërgjigjur, megjithëse kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi mundur apo nuk mundemi ta bëjmë këtë. Qëllimi ynë tani është që të shfrytëzojmë këtë përvojë të fituar gjatë këtyre viteve në mënyrë ligjore, dhe përveç kësaj shumë shpejtë këto njohuri të dobishme që i kemi fituar me kalimin e kohës do t’i paraqesim në forumin tonë që do të rikthehet online, me një koncept të ri dhe me një staf të avancuar.

Kush janë anëtarët e KHG-së

KHG si KHG (Kosova Hackers Group) është dhe mbetet emër i formuar nga Elioni(eLiOni), Hackeri_PZ, Scorpioni_KHG dhe KHG-Cobra, ndërsa personat tjerë qe janë pjese e KHG-së dhe kanë luajtur rol në disa aksione primare te këtij grupi, janë personat të njohur me nofkat: FidanGashi Lani_Cracker,Nap,Cecee Urtan, Phannole,SpYrO, Boom3rang, [email protected], Proxy-KIll3r, KHG, Burimi007, Little-Hacker si dhe Redc00de, i cili fatkeqësisht pas një aksidenti ka ndërruar jetë.

KHG mbetet një KHG, dhe në emër të KHG-së veprojnë vetëm ne.

(Kjo përmbajtje ka qenë e publikuar edhe në forumin e KHG-së, ndërsa është publikuar edhe nga bashkëpunëtori me nofkën SpYrO dhe nga shoqëria e KHG-së në forume të tjera shqiptare).

Lajmet e fundit>