Biznes

HP mban seminarin “HP Adaptive Infrastructure” në Prishtinë dhe prezanton zgjidhjet teknologjike

Feb 11 2009
0 Shpërndarje
HP mban seminarin “HP Adaptive Infrastructure” në Prishtinë dhe prezanton zgjidhjet teknologjike

altKompania ndërkombëtare HP organizoi më 20 janar në Prishtinë seminarin HP Adaptive Infrastructure. Seminari, iu dedikua konsumatorëve dhe prezantimit të ofertat dhe zgjidhjet që kompania i ofron. Ngjarja, që vazhdoi gjatë gjithë ditës në hotelin Victory në Prishtinë, mblodhi konsumatorët dhe partnerët kryesorë të HP në Kosovë, nga sektorë të ndryshëm si kompanitë IT, bankat, telekomunikacioni, institucionet lokale dhe mediat.
Seminari u hap nga Franz Scherz, drejtor menaxhues i HP CDG, i cili i uroi mirëseardhje të ftuarve dhe prezantoi përmbajtjen. Scherz theksoi se kjo është konferenca e parë pas pavarësisë së Kosovës dhe se pret të ketë një përparim të dukshëm në fushën e IT-së dhe se bizneset duhet të ndjekin trendet teknologjike në botë dhe të jenë në hap me teknologjitë e reja. Scherz tregoi sukseset e HP dhe njëkohësisht porositi të pranishmit, se për të arritur përfitime dhe suksese të kënaqshme duhet përdorur teknologjitë moderne, duke përmendur edhe zgjidhjet që HP dhe partnerët e saj ofrojnë.

Në konferencë u prezantuan edhe ofertat e kompanisë EDS, e cila është blerë nga HP në gusht të vitit të kaluar. EDS është nga kompanitë më të mira për ofrimin e zgjidhjeve për industrinë, ku përfshihet edhe sektori publik. Zgjidhje për e-prokurim, e-drejtësi, e-mjekësi, e-edukim dhe sistemet për regjistrat dixhitalë të shtetasve. EDS ka si klient një nga kompanitë e telekomit vendor në Kosovë, të cilit klient i ka ndërtuar sistemin e faturimit.
Seminari vazhdoi me temën për trendet e printerëve, për të cilën foli Adnan Huric, Menaxher Zhvillimi i Biznesit në IPG. Huric prezantoi ofertën e printerëve dhe zgjedhjeve për shtyp që ofron HP. Prezantimi i ilustruar tregonte zgjidhjet për nevojat e biznesit vendor dhe ofertat për organizatat e ndryshme. Përmes prezantimit të tij, Huric foli për strategjitë dhe organizimin më të mirë të printimit. Nëse këto strategji do të përdoreshin nga kompanitë, do të kishte ulje të kostove të printimit dhe rritje të efektshmërisë. HP mund të ofrojë zgjidhje edhe për kompanitë apo organizatat e mëdha, të cilat përdorin shumë printerë të lidhur me USB. HP ofron dhe zgjidhje të përshtatshme për uljen e numrit të printerëve në minimum, duke rrjetëzuar dhe zvogëluar kostot e blerjes dhe mirëmbajtjes. E gjithë kjo mundëson një efektshmëri dhe kontroll më të lehtë të printimit. Një nga zgjedhjet është HP WJA Software (Web JetAdmin). WJA është një softuer për kontrollimin dhe menaxhimin e printerëve të lidhur në rrjet, deri në 500 njësi. Me WJA mund të kontrollohet sistemi i kompanisë dhe numri i faqeve të shtypura të të gjithë printerëve.

Ky softuer jep informata bazë për secilin printer, nivelin e bojës, vendndodhjen e printerit në rrjet, si dhe lajmëron për problemet që mund të shfaqen gjatë punës. Mund ta merrni WJA-në nga faqja zyrtare e HP për ta provuar.
HP Instant-On Fuse Technology ishte teknologjia e prezantuar, që HP përdor në shumicën e printerëve të vet laser. Përdoruesi llogarit kohën e printimit të një dokumenti, nga koha që ka dhënë komandën për printim, e deri në momentin që del fleta e shtypur nga printeri. Printerëve ju duhet një  interval kohor për t’u aktivizuar dhe duhet të nxehen për të filluar vendosjen e ngjyrës në letër. Instant-On Fuse Technology zvogëlon këtë interval kohor në krahasim me printerët e prodhuesve tjerë, por edhe shpejton printimin e faqeve në vijim. Kjo teknologji u ilustrua edhe me shembuj nga prezantuesi, duke bërë krahasime me prodhuesit e tjerë. Sa i përket shartimit të printimit, që nga momenti që merr urdhrin për printim, HP del fitues ndaj të gjitha kompanive të tjera.

Huric prezantoi edhe ofertën e re të HP për produktet e printimit nga printerët laserikë për nevoja shtëpiake, deri tek ata për nevoja korporatash. “Çdo kompani duhet të zgjedhë printerin sipas volumit të printimeve që ka”, deklaroi Huric për PC World Albanian. Për sa i përket llojit më të preferuar të printerëve në tregun tonë, Huric mendon se janë printerët laser dhe ata multifunksionalë, duke mos përjashtuar edhe ata inkjet. Një problem që HP ka hasur në rajon është falsifikimi i tonerëve të HP. “Në bashkëpunim me organet shtetërore dhe doganën në Bosnje dhe Hercegovinë, kemi kapur dy kontenierë me tonerë me logo dhe kuti të njëjta si të HP, që dyshohet të jenë prodhuar në Kinë”, u shpreh për PCWA Adnan Huric. “Megjithëse thuhet se këta tonerë janë prodhim i HP, kjo është një gënjeshtër dhe një mashtrim, pasi në të vërtetë janë prodhuar diku tjetër. Megjithëse duket si një gjë e parëndësishme, ulja e kostove të printimit është një zgjidhje e mirë të cilën HP mund t’ua ofrojë bizneseve”, vazhdoi prezantuesi e ofertës së HP për printerët dhe pjesët harxhuese për printim.
Edhe tema tjetër ishte mjaft tërheqëse për njerëzit e grumbulluar në Sallën e Konferencave të Hotel Victory.

Patrick Diaz, menaxher i shitjes për ISS & Storage në HP CDG, foli për  Blade System. Gjatë prezantimit të tij theksoi se HP për momentin është lider në ofrimin e blade servers, ku disa nga klientët kryesorë janë: HSBC, Vodafone, organizata të ndryshme qeveritare, biznese të vogla dhe të mesme. Për dallim nga serverët klasikë, Blade servers përbëhen nga shasia dhe bludes, që janë serverë të veçantë. Kjo zgjedhje e HP është planifikuar për implementimin e virtualizimit, që ishte edhe një nga temat kryesore të seminarit. BladeSystem është infrastrukturë brenda një kutie, me të cilën mund të ndërtohet një zgjedhje vitale për biznes. Kjo zgjedhje është e lehtë për t’u mirëmbajtur, konsumon më pak energji dhe mund të rritet me kompaninë.

Diaz paraqiti edhe seritë e reja të HP Proliant, që janë fuqizuar nga procesorë Intel dhe AMD. HP ofron 3 vite garanci për zgjidhjet e veta Proliant. Gjithashtu ofron edhe pjesë rezervë në bashkëpunim me partnerët e vet lokalë.
Pjesë e seminarit ishin edhe disqet e reja SSD-drive. “Në një të ardhme të afërt, SSD drive do të zëvendësojnë të gjitha disqet mekanike”, deklaroi Patrick Diaz. “Këto disqe ende nuk po përdoren shumë për shkak të çmimit që kanë dhe të kapacitetit jo aq të madh sa disqet mekanike” shtoi Diaz. Sa i përket implementimit të BladeSystem, Diaz tha se ende nuk kanë ndonjë klient në tregun kosovar, por kanë kontakte dhe besojnë që gjatë këtij viti do të kenë klientë që do të aplikojnë teknologjinë BladeSystem. “BladeSystem është e përshtatshme për qeverinë, kompani të mëdha, banka e të tjera, pasi lehtëson menaxhimin e sektorit të IT-së dhe ul mundësinë e prishjeve” shtoi Diaz.
Diaz prezantoi edhe temën për zgjidhjet që HP ofron për mbrojtjen e të dhënave. Kompanive u duhet strategji për mbrojtjen e të tyre, bazuar në ambientin e biznesit, infrastrukturën dhe ekspertizën IT. Zgjidhjet që HP ofron përmbajnë në vete nevojën e përshtatjes, thjeshtësisë dhe sigurisë me nevojën për teknologji të sofistikuar për mbrojtjen e të dhënave.
Pasi tema kryesore e seminarit ishte Virtualizimi, HP kishte ftuar në pjesëmarrje partnerin e vet VMWare. Prezantimin nga VMWare me temën “Transformoni infrastrukturën tuaj të IT-së me VMWare”, e prezantoi Sasha Hederic, Inxhinier i Sistemeve në Europën Juglindore për VMWare. U bë e ditur se VMWare tashmë ka klientët e vet të parë në Kosovë, të cilët janë shumë të kënaqur me zgjidhjen që VMWare u ka ofruar. Për dallim nga konkurrenca që ofron softuer të ngjashëm por me përmbajtje 2.2GB, VMWare është softuer me vetëm 32MB që mund të merret nga uebsiti vmware.com. Instalimi i VMWare është shumë i thjeshtë dhe kryhet në katër hapa. Edhe pse punon edhe me ofruesit e tjerë të këtij shërbimi, VMWare është zgjedhja softuerike që HP preferon për përdorimin e Virtualizimit tani për tani.

Virtualizimi paraqet ndarjen e harduerit dhe Sistemit Operativ brenda një kutie harduerike. Virtualizimi fillimisht ka qenë ide e IBM, por pastaj është zhvilluar edhe nga kompani të tjera. Një nga shembujt më të afërt të aplikimit të Virtualizimit me VMWare janë disa projekte të qeverisë kroate. VMWare ka disa aplikacione që ndihmojnë shumë në mbajtjen e backup dhe ruajtjen nga ndonjë prishje eventuale në sistem, duke siguruar tërheqje të sigurt të të dhënave nga sistemi i dëmtuar. ESXi është versioni aktual i VMWare, ndërsa versioni ESX 4 pitet të dalë në qarkullim diku nga mesi i vitit. VMWare ka arritur që të ofrojë zgjidhje për klientët e vet duke zëvendësuar 1000 serverë me vetëm 80 serverë dhe nga 3000 kabllo ka zvogëluar numrin në vetëm 300, pa zvogëluar efektshmërinë.

Në seminar pati vend edhe për produktet e PSG-së. Për këtë lëmi foli Nikolla Markovic, Menaxher për Biznesin me partnerët e HP për Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë. Markovic prezantoi edhe modelin e ri të laptopëve HP Elitebook, lider i vërtetë i laptopëve me standarde të larta. Edhe po qe se e hidhni laptopin nga 70 cm lartësi, kompjuteri nuk do të pësojë dëmtime serioze. Në përgjithësi Markovic foli për qëndrueshmërinë e produkteve të HP-së. HP ka në dispozicion bateri shumë të fuqishme që me vetëm një mbushje mund të qëndrojnë deri në 22 orë. Kështu që përdoruesi nuk duhet të shqetësohet për ditët e gjata e të mundimshme të punës, sepse bateritë e tilla janë një zgjidhje e përkryer.

Ligjëruesi i fundit ishte Gabriel Trauvitch, specialist për zgjidhje në Oracle. Trauvitch prezantoi strategjinë e Oracle Database 11g dhe HP Oracle Database Machine, që është një sistem komplet, në të cilin përfshihen softueri, serverët dhe hapësira, të dizajnuar për të punuar me të dhëna me kapacitet të madh dhe me shpejtësi 10 herë më të madhe se sistemet e zakonshme. E gjithë kjo mundësohet nga Oracle Database 11g. Gjatë seminarit u prezantua edhe Grid Computing me aplikim të Oracle. Trauvitch gjithashtu bëri një prezantim të historisë 30-vjeçare të Oracle dhe evoluimin që ka pasur deri në versionin 11g. Oracle ka për klientë kompani të mëdha si: Yahoo, Amazon.com, Qualcom, Credit Suisse, British Telecom, T-Mobile, Fed EX dhe të tjerë.
HP i siguron klientët e vet se mund të bazohen në produktet dhe zgjidhjet teknologjike që kjo kompani i ofron për të lehtësuar operacionet ditore. Qëllimi kryesor i HP është të bëjë jetën e përdoruesve më të lehtë! Në fund të seminarit, HP dha si dhuratë një laptop, pas një sondazhi formularin e të cilit e kishin plotësuar pjesëmarrësit. HP ishte kujdesur që të gjithë pjesëmarrësit të merrnin edhe nga një bluzë me mbishkrimin e HP.

 

Lajmet e fundit>