Harduer

HP planifikon të hyjë në tregun e printerëve 3D në qershor

Mar 23 2014
0 Shpërndarje
HP planifikon të hyjë në tregun e printerëve 3D në qershor

3d_touch_3d_printerCEO e Hewlett-Packard, Meg Whitman njoftoi se kompania po përgatitet për “lajmërime të mëdha teknologjike” në qershor të këtij viti në lidhje me fushën e printimit 3D. Kjo është një lëvizje që pritej shumë më herët nga HP, duke qenë se kompania është marrë intensivisht me industrinë e printimit në të kaluarën. Kjo mund të sillte inovacion veçanërisht në disponueshmërinë e printimit 3D në duart e përdoruesve të zakonshëm dhe për përdoruesit industrialë. Whitman gjithashtu nuk la pa përmendur që kompania ka zgjidhur një sërë problemesh që kanë patur kompani të tjera në printimin 3D dhe pritet që “tregu më i madh të jetë në ndërmarrje.”

Të rejat për HP nga Whitman erdhën nga takimi i rregullt që bordi drejtues i HP ka me aksionarët, por as në mbledhje nuk kishte asnjë datë të saktë për një lançim të mundshëm e as një produkt specifik. HP fillimisht u fut në rrjedhën e printimit 3D në shkurt të këtij viti kur CTO (Shefi i Departamentit të Teknikës) Martin Fink tha se ai priste që kompania të fillonte të punonte në këtë fushë në një të ardhme gjatë këtij viti dhe se “HP është momentalisht duke eksploruar mundësitë për t’u përfshirë në printimin 3D dhe kompania do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e printimit 3D.”

Por gjithsesi kjo nuk do të thotë që do të mund të blejmë printera 3D në çdo dyqan ku tani shohim printera që shiten. Të paktën jo kaq shpejt. Me Hewlett-Packard që po shkon drejt tregut të ndërmarrjeve dhe me kompani të tjera që po punojnë që çdokush të ketë një printer 3D në shtëpi, duket se ajo kohë po afron. Por nuk mund të mohohet fakti që kostot e prodhimit të një printeri 3D janë të mëdha, që do të thotë edhe çmimi i një printeri 3D është i lartë për konsumatorët. Për të mos përmendur më tej mirëmbajtjen për printerin (që mund të kërkojë edhe një dorë profesionale herë pas here) dhe kostot e materialeve që duhet që printeri të funksionojë. Por HP e ka në dorë që të fillojë të bëjë ndryshimin, të paktën duke filluar nga qershori. (PCWorld Albanian)

Tags >

3DHP
Lajmet e fundit>