Analiza

HP i pari, ndërsa Dell në telashe me vendin e dytë

Mar 10 2010
0 Shpërndarje
HP i pari, ndërsa Dell në telashe me vendin e dytë

Për vite me radhë Dell ishte numër një anembanë botës për sa i përket shitjeve të kompjuterëve, me qasje të drejtpërdrejt tek konsumatori dhe me zbritje në çmime, duke fituar kështu besueshmëri dhe shitje të shumta.

Por në fund të vitit 2006 Hewlett-Packard mori vendin e parë si prodhuesi numër një në botë i PC-ve, dhe vitin e kaluar rrëzoi Dell-in nga vendi i parë në tregun e kompjuterëve në SHBA.

Tani kompania hulumtuese e tregut iSuppli ka bërë të ditur se Dell është duke u përballur me një sfidues tjetër, i cili kësaj radhe quhet Acer. Sipas iSuppli, prodhuesi nga Tajvani ka menaxhuar që të rrit pjesëmarrjen në tregun botëror për 29% gjatë vitit 2009, duke arritur në shitje totale prej 38.5 milion PC.

Kjo performancë ishte edhe rritja më e fuqishme në mesin e top pesëshes së prodhuesve të PC-ve anembanë botës, dhe mjaftoi që ta vendos këtë kompani në bisht të Dell-it. Shitjet e kësaj të fundit pësuan rënie prej 9.9 përqind gjatë vitit 2009, me ç’rast dërgesat ranë për 38.96 milion njësi.

“Suksesi i Acer në vitin 2009 është nxitur nga tregu i laptopëve” tha analisti kryesor i iSuppli Matthew Wilkins, në një deklaratë. “Laptopët kanë kapur gati 80% të shitjeve të Acer në vitin 2009. Kjo i ka mundësuar kompanisë që të kapitalizojë një segment mobil kompjuterik që po rritet me të madhe, gjersa në anën tjetër ka limituar ekspozimin e saj në segmentin e desktopëve”.

Për dallim prej Dell-it, të gjithë prodhuesit kryesor të kompjuterëve përjetuan rritje gjatë vitit 2009: HP pësoi rritje për 7.4 përqind për dallim prej vitit 2008, numri katër Lenovo arrit rritje prej 14.3 përqind, dhe shitjet e Toshiba-së gjithashtu u rritën për 13.7 përqind.

Lideri HP është llogaritur të ketë 19.7 përqind të të gjithë tregut të PC-ve në vitin 2009, Delll 12.9 përqind, Acer 12.7 përqind, Lenovo 8.2 përqind dhe Toshiba 5.1 përqind. Në përgjithësi, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, tregu i PC-ve përjetoji një rritje të lehtë në vitin 2009, ku numri total i shitjeve u rrit në 302.3 milion njësi të shitura në krahasim me 299.2 milion njësi në vitin 2008.

Lajmet e fundit>