Analiza

IBM: Tabletët tejkalojnë smartfonët për kryerjen e blerjeve online

Nov 30 2013
0 Shpërndarje
IBM: Tabletët tejkalojnë smartfonët për kryerjen e blerjeve online

Kur bëhet fjalë për kryerjen e blerjeve online nëpërmjet pajisjeve mobile, tabletët përdoren më shpesh sesa smartfonët.

Në këtë përfundim ka arritur IBM pasi ka analizuar trafikun e shkaktuar nga pajisjet e ndryshme mobile për blerjet e kryera gjatë Ditës së Falënderimeve (Thanksgiving).

Sipas të dhënave të grumbulluara nga 800 uebfaqe të ndryshme që mundësojnë blerjet on line ka rezultuar se trafiku i smartfonëve (26.6%) ka tejkaluar atë të tabletëve (15.3%) përsa i përket shfletimit të këtyre faqeve. Megjithatë, kur bëhet fjalë për kryerjen e blerjeve, tabletët përdoren 83% më shpesh sesa smartfonët.

Epoka e pajisjeve mobile nuk përbën më një risi, por industria e teknologjisë dhe konsumatorët janë ende duke u përshtatur me smartfonët dhe tabletët të cilët ofrojnë shumë prej funksionaliteteve të kompjuterëve personalë.

Aktualisht, pajisjet mobile përbëjnë 42.6% të trafikut total on line, që do të thotë se kemi të bëjmë me një rritje prej 32% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë IBM ka deklaruar se shitjet nëpërmjet pajisjeve mobile kanë pësuar një rritje akoma më të shpejtë (mbi 49%). Në ditët e sotme rreth 25.8% e blerjeve realizohen nga pajisjet mobile. Ndërkohë që tabletët po rriten fuqishëm dhe po pajisen me tastiera të montueshme, diferenca midis tyre dhe kompjuterëve personalë po bëhet gjithnjë e më vogël.

Të dhënat e IBM-së kanë treguar se platforma dominuese përsa i përket blerjeve on line është iOS, trend tashmë i njohur në aktivitetin e pajisjeve mobile. Më konkretisht, 21% e shitjeve realizohen nga pajisjet iOS, ndërsa vetëm 4.6% e tyre janë mundësuar nga pajisjet Android.

Në përgjithësi përdoruesit e iOS shpenzojnë më tepër (122$ për porosi) sesa përdoruesit e Android (106$ për porosi). Gjithashtu është vënë re se pjesa më e madhe e trafikut të uebfaqeve është mundësuar nga pajisjet me sistem iOS (30%).

Ndërkohë një studim tjetër i realizuar nga Big Blue ka treguar se cilat faqe nxisin më tepër shitjet on line. Sipas të dhënave rezultoi se përdoruesit që i referohen Facebook-ut kanë rreth 2.8 herë më tepër shanse që të kryejnë blerje sesa përdoruesit e Pinterest. (PCWorld Albanian)

iOS-vs-Android-e-commerce_610x338

Lajmet e fundit>