Lajmet

Imagine Cup 2012, së shpejti mirëpret konkurrentët e rinj!

Jun 30 2011
0 Shpërndarje
Imagine Cup 2012, së shpejti mirëpret konkurrentët e rinj!

Imagine CupNë garën e sivjetme “Imagine Cup 2011” po marrin pjesë 124 studentë si finalistë nga 73 shtete të botës, të cilët do të udhëtojnë drejt finales me 8 – 13 korrik që mbahet në Nju Jork. Për shkak se gara është e natyrës regjionale, nacionale dhe online, këta student që marrin pjesë në këtë garë cilësohen si më të mirët prej anembanë botës. Vitin e kaluar studentët nga Serbia u shpallën nën kampion, ndërsa titullin e kampionit e mori ekipi “Skeek” nga Tajlanda.

Deri tani Imagine Cup, që organizohet nga Microsoft, numëron nëntë vite të ekzistimit, (në të cilat asnjëherë nuk ka marrë pjesë ndonjë grup studentësh nga Kosova apo Shqipëria), dhe ka numëruar 1,000 studentë prej 25 shteteve të ndryshme. Ndërsa sot ka arritur në 183 shtete pjesëmarrëse me mbi 350,000 studentë. Me kalimin e viteve, janë shtuar kategoritë garuese, Embedded Development (pajisje teknologjike “cool”), Digital Media (video të shkurtra), dhe Game Design për Xbox dhe Windows Phone 7, si shtesë ndaj 9 kategorive të ndryshme në të cilat mund të garojnë mes vete studentët. 

PCWorld Albanian u interesua të kontaktojë përfaqësues të Imagine Cup për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë studentë shqiptar në këtë garë dhe nëse ekziston mundësia për pjesëmarrje, dhe në fakt siç duket për Imagine Cup 2011, pati interesim prej studentëve nga Shqipëria. Ashwini prej Imagine Cup Support, u shpreh për PCWorld Albanian në një përgjigje me email se “Imagine Cup është garë e jashtëzakonshme për studentë, dhe si e tillë ajo është specifike në mënyrën sesi Microsoft inkurajon studentët të bëjnë ndryshime në botë përmes fuqisë së përdorimit të teknologjisë. 

“Duke konkurruar me kolegë anembanë botës, studentët përfitojnë eksperienca të jetës reale, duke u takuar edhe me miq të rinj dhe duke kthyer idetë e tyre në realitet. Gara është e hapur për të gjithë studentët anembanë botës dhe zgjat për një vit, duke filluar me gara lokale, regjionale dhe online, në të cilat kandidatët potencial kanë rastin të fitojnë biletën drejt Finales së madhe që mbahet çdo vit në një shtet të caktuar” theksoi Ashwini, për PCWA.

Sipas tij së shpejti do të hapet gara për Imagine Cup 2012, dhe të gjithë të interesuarit inkurajohen të marrin pjesë. “Për Imagine Cup 2011 kemi pasur disa regjistrime prej regjionit të Shqipërisë dhe sërish inkurajojmë të interesuarit e tjerë” përfundoi në përgjigjen e tij Ashwini.

Por në anën tjetër vlen të theksohet se për të marrë pjesë në gara të këtilla duhet që studentët të marrin pjesë në një garë lokale për dizajnim të një softueri, dhe më pas fitojnë të drejtën për të shkuar më tutje. Fatkeqësisht në Kosovë e Shqipëri ende nuk ka ngjarje të këtillë, e zgjidhja më a afërt është Serbia, por megjithatë nëse nuk është i listuar shteti si organizatorë i garave të këtilla atëherë studentët mund të konkurrojnë online përmes ueb faqes së Imagine Cup. Ekipi apo individi do të konkurrojë me studentë tjerë prej vendeve të ndryshme të botës dhe do të jetë përballë një paneli gjyqtarësh online. Vetëm dy ekipe të garës konkurruese online për dizajnim të një softueri do të përzgjidhen për të marrë pjesë në garën përkatëse Imagine Cup.

Pra nëse jeni studentë të dalluar dhe mendoni se mund të ecni para drejt finales me fuqitë tuaja apo bashkë me miqtë tuaj, bëhuni gati për Imagine Cup 2012. Për më shumë detaje vizitoni www.imaginecup.com.  (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>