Lajmet

Inagurohet “Autostrada Dixhitale” Shqipëri-Kosovë

Nov 21 2012
0 Shpërndarje
Inagurohet “Autostrada Dixhitale” Shqipëri-Kosovë

Shqiptarët në të dy anët e kufirit, do të lidhen tashmë jo vetëm me rrugën tokësore të kombit, por edhe me “Autostardën Dixhitale të Kombit”.

Dje u zhvillua ceremonia e inaugurimit të linjës së interkoneksionit me fibër optike 100 Giga bit për sekondë, në Qafë Morinë.

Të pranishëm në këtë ceremoni, përveç dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, ishin dhe ministra, deputetë, drejtues të Postës Shqiptare dhe Postë Telekomit të Kosovës.

Për realizimin e këtij projekti madhor, në kuadër të nismës “Shqipëria Dixhitale”, është investuar mbi 9 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), 2.6 milionë euro nga Posta e Shqipërisë dhe rreth 2 milionë euro nga kompania “Kujtesa” në Kosovë.

Kryeministri Berisha u shpreh se shqiptarët nëpërmjet kësaj “Autostrade Dixhitale” do të marrin internet me shumicë të shpejtësive më të larta, cilësive më të mira dhe me çmimet më të ulëta. “Unë jam këtu për t’u zotuar së bashku me Kryeministrin Hashim Thaçi se do të bëjmë gjithçka që këto ndërtesa t’i shndërrojmë në virtuale, në simbolike, do të bëjmë gjithçka për projektin e madh të grave e burrave shqiptarë që u mblodhën në Prizren, në Pejë, në Gjakovë, në Prishtinë, në Shkup e Mitrovicë, do të bëjmë gjithçka që ëndrrën e luftëtarëve të Drenicës dhe mbarë Shqipërisë ta bëjmë realitet të prekshëm për ju, për fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë. Kombi do të qëndrojë një dhe vetëm një”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.

Ndërsa për kryeministrin e Kosovës “Autostrada Dixjitale”, shikohet edhe si një investim që do të ndihmojë edhe në ngritjen e mirëqenies shoqërore dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Me inaugurimin e “Autostradës Dixhitale” Prishtinë-Tiranë, përmes së cilës do të krijojmë rrjetin ndërshtetëror të fibrave optikë, dy shtetet tona po shënojmë një hap tjetër me rëndësi në jetësimin e partneritetit ekonomik. Ky projekt infrastrukturor nuk është qëllim në vetvete e as fundi i bashkëpunimit tonë ndërshtetëror, por është vazhdim i partneritetit afatgjatë në rrugën drejt shfrytëzimit të potencialeve plotësuese për zhvillim ekonomik”, deklaroi kryeministri Thaçi .

Për të treguar mënyrën e funksionimit të këtij projekti ishin vendosur disa ekrane, me anë të të cilëve të pranishmit ndoqën se si kryhej një lidhje midis qendrës së postës në Tiranë dhe kompanisë “Kujtesa” në Prishtinë, nëpërmjet pikës së interkoneksionit të Qafë Morinës, në Tropojë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>