Lajmet

Inagurohet në Shqipëri sistemi e-dogana

May 30 2013
0 Shpërndarje
Inagurohet në Shqipëri sistemi e-dogana

e-dogana 1Sistemi i ri e-dogana është vënë në zbatim për administratën doganore duke u inauguruar gjatë ditës së sotme. E-dogana është një investim me vlerë 80 mijë dollarë dhe me këtë sistem synohet që çdo biznes të paguajë nga zyrat e veta.

Në ceremoninë e organizuar merrnin pjesë përveç kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, edhe ministra të kabinetit të tij qeveritar dhe zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Gjatë fjalës së tij ndër të tjera kryeministri Berisha u shpreh: “Sot është një ditë e veçantë për vendin, sepse vendoset pagesa on line dhe Shqipëria është nga vendet e pakta që e vendos këtë sistem dhe falenderoj shumë qendrën e OKB në Gjenevë, e cila iu përgjigj kërkesës sonë në një kohë shumë të shkurtër dhe beri të mundur bashkë me ekipin, realizmin e projektit.

Gjatë këtyre kohëve të fundit janë vendosur një seri shërbimesh elektronike në Ministrinë e Drejtësisë, në Hipoteka, në Ministrinë e Punës, në tatime dhe sektorë të tjerë, është portali i qeverisë, në të cilën qytetari mund të marrë të gjitha këto shërbime direkt në internet.” Sipas kryeministrit Berisha Shqipëria dixhitale është sot një projekt real, një projekt që preket nga qytetarët shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare nga Këshilli i Ministrave në total investimet për modernizimin e doganave kanë shënuar 180 milion euro, prej të cilave 28 milion për modernizim dhe 80 milion euro në infrastrukturën doganore, të cilat kanë bërë të mundur përfitimet për rritjen e nivelit të të ardhurave rreth 2 herë krahasuar me vitin 2005, uljen e nivelit të kontrollit fizik pas implementimit të sistemit të skanimit nga 100 përqind në 2005, në 10 përqind në 2012

Sistemi e-dogana sjell uljen e kohës së zhdoganimit (qëndrimi i mallrave në doganë), nga 457 minuta që ishte në vitin 2011 në 206 minuta në 2013. Me zbatimin e këtij sistemi vjen reduktimi i dokumenteve në eksport nga 7 në 3 dhe import nga 8 në 4.

Nëpërmjet këtij sistemi gjithashtu synohet rritja e transparencës nëpërmjet krijimit të portalit ku çdo biznes mund të konstatojë të gjitha stadet e deklaratës dhe nivelin e kontrollit si dhe mundësia e marrjes së informacionit nëpërmjet fletores zyrtare të pasqyruar në uebfaqe. Gjithashtu ky sistem sjell edhe rritjen e nivelit te kontrollit për efekt sigurie. (PCWorld Albanian)

e-dogana 2

Lajmet e fundit>