Lajmet

Inagurohet parku teknologjik në Tetovë

May 16 2013
0 Shpërndarje
Inagurohet parku teknologjik në Tetovë

Është përuruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, parku teknologjik, i cili u shoqërua edhe me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishëm si Ministri i Ekonomisë dhe Ministri i Arsimit dhe shkencës, Valon Saraçini dhe Pançe Kralev.

Duke u nisur nga rritja e trendeve globale, është ndjerë gjithmonë e më tepër nevoja për një ndërlidhje funksionale mes aktivitetit hulumtues shkencor dhe nevojave inovative të kompanive.

Prandaj, parku teknologjik synon të forcojë bashkëpunimin mes sektorit privat dhe shkencës.

Ky park do të jetë në dobi të studentëve, të cilët kanë mundësi t’i shfaqin idetë dhe punët e tyre e njëkohësisht do të kenë mundësi t’i komercializojnë projektet e tyre. Në realizimin dhe përgatitjen e parkut do të marrin pjesë në mënyrë aktive edhe kuadri i universitetit, shtoi ministri Saraçini.

Kështu do të krijohet një lidhje më e fortë bashkëpunimi mes studentëve dhe akademikëve, duke synuar rritjen e inovacionit.

Parku teknologjik do të tentojë të nxisë krijimtarinë, prezantimin dhe shitjen e projekteve të arrira shkencore. Ai do të shërbejë gjithashtu edhe si një gjenerator i një energjie pozitive si dhe si një katalizator i dëshirës për zbulime të reja.

Parqet teknologjike të universiteteve duhet të shndërrohen në vende ku ndërtohen teknologji dhe shërbime të reja, duke sjellë motivim, punësim dhe rritje ekonomike. (PCWorld Albanian)

parki teknologjik

Lajmet e fundit>