Lajmet

Incapsula: Rreth 61.5% e vizitorëve të uebfaqeve janë në të vërtetë softuerë (bots)

Dec 14 2013
0 Shpërndarje
Incapsula: Rreth 61.5% e vizitorëve të uebfaqeve janë në të vërtetë softuerë (bots)

bot-traffic-report-2013Në vitin 2012 është llogaritur se rreth gjysma e trafikut në internet shkaktohej nga softuerët që ekzekutohen automatikisht (bots), ndërsa këtë vit, sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi i sigurisë Incapsula, trafiku është rritur deri në 61.5%.

Në pamje të parë duket sikur numri i sulmeve po rritet gjithnjë e më shumë, por në fakt Incapsula thekson se një pjesë e mirë e tyre janë në të vërtetë softuerë jo të dëmshëm. Për shembull, vizitat nga agjentët e certifikuar të motorëve të kërkimit apo mjeteve të ngjashme kanë pësuar rritje nga 20% në 31%.

Sipas Incapsula-s, një prej faktorëve që po ndikon në rritjen e trafikut nga softuerët është edhe rritja e përdorimit të mjeteve SEO që përpiqen të ndihmojnë uebfaqet të renditen sa më lart në klasifikim.

Kompania argumenton se rreth 1/3 e bot-eve janë të dëmshëm, por falë përditësimit të algoritmit të Google të quajtur Penguin, është reduktuar numri i këtyre softuerëve të dëmshëm “spam”. Në qoftë se në vitin 2012 numri i bot-eve të rreme ishte 2%, këtë vit është vetëm 0.5%.

Shifrat tregojnë se është vënë re një rritje e numrit të bot-eve që përpiqen të imitojnë një përdorim real. Incapsula beson se pjesa më e madhe e tyre janë softuerë të automatizuara spiune, të ngjashëm me agjentët DDoS (Distributed Denial of Service) ose me shfletuesit e aktivizuar nga Trojan-ët.

Vlen të theksohet se Incapsula ka arritur në këto përfundime pasi ka analizuar statistikat e gjeneruara nga 20 000 klientët e saj. Kompanitë që regjistrohen për përftimin e këtyre shërbimeve ndoshta nuk përfaqësojnë saktësisht internetin në tërësi.

Për shembull, jo çdo faqe përballet me sulme DDoS prandaj mund të mos ketë nevojë për ndërhyrjen e Incapsula-s. Pavarësisht kësaj, është e dukshme që numri i bot-eve po rritet gjithnjë e më shumë. (PCWorld Albanian)

Tags >

uebfaqe
Lajmet e fundit>