Analiza

Indeksi Dixhital: Trafiku i shkaktuar në internet nga tabletët është më i madh se smartfonët

Mar 9 2013
0 Shpërndarje
Indeksi Dixhital: Trafiku i shkaktuar në internet nga tabletët është më i madh se smartfonët

tablet-smartphoneAdobe ka publikuar Indeksin Dixhital (matës trendi vjetor për pajisjet dixhitale) sipas të cilit për herë të parë në gjithë botën trafiku i shkaktuar nga tabletët kalon trafikun e smartfonëve.

Vlerat tregojnë se 8 % e trafikut të plotë të internetit shkaktohet nga tabletët duke lënë pas smartfonët me 7 %.

Smartfonët janë kthyer tashmë në një pajisje të zakonshme, ndërkohë që forma dhe mënyra e ndërtimit të një tableti janë ideale për shfletimin e faqeve të internetit qoftë për të shikuar video, për të lexuar lajme apo për të bërë blerje online. Shifra të tjera tregojnë se përdoruesit e internetit shfletojnë mesatarisht 70% më tepër faqe uebi me një tablet krahasuar me një smartfon.

Për të përftuar këtë rezultat Adobe ka gjurmuar 100 miliardë vizita në më tepër se 1000 faqe uebi në mbarë botën që prej vitit 2007. Pavarësisht se trafiku i shkaktuar nga tabletët dhe smartfonët së bashku është gjithnjë e më tepër në rritje, trafiku i shkaktuar nga kompjuterët desktop vazhdon të sundojë duke mbuluar 84% përdorimin e internetit.

Rezultatet janë vërtet interesante dhe domethënëse duke marrë parasysh që tabletët janë pajisje shumë të reja në treg. Konkretisht iPad-i i parë është lançuar në vitin 2010, ndërsa Kindle Fire është prezantuar në vitin 2011.

Midis vendeve si Britania e Madhe, SHBA, Kina, Kanadaja, Australia, Japonia, Franca apo Gjermania shifrat kanë treguar se Britania është vendi që është adaptuar më shpejt me këto pajisje.

Megjithatë është vënë re se dhe në vendet ku procesi i adaptimit ka ecur me hapa të ngadaltë, trafiku i tabletëve është dyfishuar vitin e kaluar. Adobe beson se këto shifra do të vazhdojnë të rriten akoma më tepër në vitet në vazhdim. (PCWorld Albanian)

tablet smartfone

Lajmet e fundit>