Biznes

Reklamat në Instagram do të fillojnë vitin tjetër

Sep 10 2013
0 Shpërndarje
Reklamat në Instagram do të fillojnë vitin tjetër

Instagram po rritet ngadalë ngadalë. Në fundjavë rrjeti i fotografive tha se tashmë ka 150 milionë përdorues aktivë mujorë, rritje kjo prej 15% gjatë dy muajve të fundit.

Ndërkohë, Wall Street Journal ka publikuar lajmin se kompania do të fillojë të monetizojë shërbimin brenda vitit të ardhshëm. Së shpejti në aplikacionin mobile do të shtohen edhe reklamat.

Disa muaj më parë, shefi ekzekutiv i Facebok-ut, Mark Zuckerberg, u shpreh në një konferencë mbi mënyrat se si mund të monetizohet Instagram-i. Ai tha se ishte tashmë e qartë që synimi i tyre ishte ta kthenin Instagram-in në biznes dhe të gjenerojnë të ardhura prej tij.

Ai u shpreh se për momentin po prisnin derisa Instagram-i të rritej akoma dhe kur të vinte momenti i duhur, do të mendonin për reklamat.

Por si po planifikon Facebook-u të bëjë të njëjtën gjë me reklamat edhe në Instagram, duke marrë parasysh se kjo e fundit është mjedis i ndryshëm nga rrjeti social? Ndërsa në Facebook mund të postohen statuse, foto dhe video, të luhen lojëra etj, në Instagram burimi i vetëm janë vetëm fotot dhe videot.

Sipas raportit të WSJ, skuadra e ngarkuar për këtë projekt po shqyrton mundësi të ndryshme tek veçoria “Discover”, në të cilën promovohen përmbajtjet më popullore si dhe elementi i kërkimit.

Ata janë shprehur gjithashtu se ka shitës të cilët janë të interesuar të reklamojnë produkte përmes fotove në Instagram, të cilat mund të lidhen me link me uebfaqen e tyre. Megjithatë, ata shtuan se ka ende vend për përmirësim kur vjen puna tek uebfaqet mobile të kompanive.

Ajo që dimë me siguri është se nuk do të jetë e lehtë të shiten reklamat në Instagram. Madje, përdoruesit mund të revoltohen dhe të mos i pranojnë ato. Gjithsesi, kompania po punon ende mbi planet e implementimit të reklamave dhe vetëm pasi t’i përfundojë ato, do t’ua shpjegojë përdoruesve. (PCWorld Albanian)

zuck insta

Lajmet e fundit>