Analiza

Intel Core i3 vs Core 2 Duo

Dec 27 2010
0 Shpërndarje
Intel Core i3 vs Core 2 Duo

Tregu i Kosovës e edhe ai i Shqipërisë vazhdimisht përditësohen nga produkte të reja prej kompanive të ndryshme të cilat i sjellin ato përmes partneritetit me kompanitë përkatëse. Padyshim që në PCWorld Albanian keni vërejtur artikuj e reklama të ndryshme ku përmenden lloj-lloj produktesh e lloj-lloj procesorësh, por shumë ende nuk e kanë të qartë se çka është Core i3 e çka është Core 2 Duo, apo ka edhe të tillë që kërkojnë një krahasim të drejtpërdrejtë të tyre.

AskTrade (Distrubuter i HP-së në Kosovë) apo PPC IT (Partner i Preferuar i HP-së) janë dy kompani nga Kosova të cilat, partnerë të HP dhe ofrojnë në mes tjerash edhe laptop e desktop të ndryshëm me konfiguracione të ndryshme. I pamohueshëm është fakti që në konfiguracionet e produkteve të ofruara prej tyre nuk mungon procesori Core i3 apo Core 2 Duo, por cili është më i miri për ju? Këto do ta sqarojmë në vazhdim…

Fuqia kompjuterike e ditëve të sotme

Ditëve të sotme, fuqia e jashtëzakonshme kompjuterike nuk është më luks vetëm për super kompjuterë, por është bërë diçka e zakonshme për produktet e reja. Intel, një udhëheqës në garën e procesorëve, ka në ofertë zgjidhje të ndryshme të procesorëve që kanë fuqi dhe shpejtësi të ndryshme. Modelet e saja që ofrohen në treg i përkasin nivelit hyrës, nivelit të mesëm dhe nivelit të lartë procesorik.

Linja e re e procesorëve nga Intel që u shpalos këtë vit përmban modelet  “i3, i5 dhe i7’. Tek ne kësaj radhe për shqyrtim do të merret procesori Core i3, i cili prej se është krijuar ka si synim të marr vendin e procesorit Core 2 Duo.

Edhe pse gradualisht procesori Core 2 Duo po largohet nga tregu dhe po zëvendësohet me të riun, ai nuk mund të quhet procesor i dobët, por thjeshtë është e pamundur të konkurrohet me teknologjinë e re të prodhimit.

Intel i3 vs Core 2 Duo
Intel Core 2 Duo

Një krahasim mes procesorësh dikur ishte shumë i thjeshtë, është fjala kur kishin vetëm një bërthamë. Thjeshtë duhej të kontrolloje frekuencën e clock-ut dhe madhësinë e cache. Por me futjen e procesorëve me shumë bërthama tregu ka ndryshuar dhe gjërat janë komplikuar. Tani kemi procesorë me dy, katër e madje gjashtë bërthama, të cilët kërkojnë të krahasohen përmes shumë faktorëve, dhe para nesh sjellin debate si Quad Core vs Dual Core, Core i5 vs Core i7, apo edhe 32 bit vs 64 bit.

Specifikimet teknike të Core i3 dhe Core 2 Duo

Procesorët Core i3 ashtu sikurse ata Core 2 Duo, kanë dy bërthama me shumë avancime tjera teknologjike duke përfshirë GPU të integruar. Frekuenca e clock-ut të serisë Core i3 shkon prej 2.26GHz deri në 3.06Ghz. Secili prej tyre është i pajisur me linjën e re të avancimeve teknologjike të Intel, duke përfshirë HyperThreading (përpunim të shumë detyrave), Virtualization, dhe Smart Cache, që i bënë këta procesor edhe më të shpejtë sesa procesorët Core 2 Duo. Në këtë moment të krahasimit, pra po e shihni qartë se Core i3 qëndron një hap para.

Arkitektura e prodhimit

Emri i koduar për arkitekturën Core i3 është Clarkdale, dhe ajo bazohet në arkitekturën Westmere me prodhim 32nm dhe me një DIM bus. Tipi i folesë (socket) që është përdorur për procesorët Core i3 është LGA 1156 dhe tipi i RAM-it është DDR3. Ata përkrahin pllaka amë për këto modele të çipseteve H55, P55, H57 dhe Q57.

Core 2 Duo procesorët ofrohen në tre tipa të arkitekturës, të koduar me emrin Conroe, Wolfadle dhe Allendale. Me prodhime prej 65nm dhe 45nm ata janë paksa më të ngadalshëm dhe më pak kursimtarë të energjisë sesa procesorët Core i3 me bazë në fabrikimin 32nm. Foleja e përdorur tek procesorët Core 2 Duo është LGA 775 dhe gjithashtu ata ofrohen me një bus FBS. FBS është shumë më i ngadalshëm në operacione sesa DMI Bus në procesorët Core i3. Edhe këtu një fitore tjetër për procesorët Core i3.

Cache memoria dhe RAM-i i përkrahur

Intel Core i3Dhe duke u nisur nga fakti se procesorët Core i3 kanë L2 Cache me madhësi prej 2 x 256 kb dhe L3 Cache prej 4MB, plus me hyperthreading dhe smart cache, ata Core 2 Duo mbesin larg më të ngadalshëm. Në maje të kësaj është edhe përkrahja për DD3 RAM që kanë procesorët Core i3, ndërsa ata Core 2 Duo kanë përkrahje vetëm për DDR2, dhe në këtë mënyrë po arrijmë në një moment kur Core i3 po shënon katër pikë ndërsa Core 2 Duo zero.

Çmimi për Core i3 sillet prej 75 deri në 100 euro, gjë që e bën atë të renditet në maje të opsioneve përzgjedhëse për tregun hyrës.

Core i3 vs Core 2 Duo: Performanca

Specifikimet teknike që i pat më lartë e treguan qartë se Intel Core i3 e mund pa problem paraardhësin e tij, Core 2 Duo, në pothuajse të gjitha kategoritë. Kjo është edhe e kuptueshme pasi që ata në rend të parë janë dizajnuar për të zëvendësuar këta të fundit. Qoftë fuqia procesorike, dalja për multitasking apo edhe grafikë, procesorët Core i3 janë zgjidhja juaj primare që duhet ta keni parasysh kur bleni një laptop, qoftë në tregjet e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë apo kudo tjetër.

E natyrisht nëse keni më euro, atëherë vëni në konsideratë edhe mundësinë për të blerë një laptop apo desktop me procesorë Core i5 apo Core i7, sepse ata sjellin fuqi edhe më të madhe kompjuterike, jashtëzakonisht më të madhe krahasuar me procesorët Core i3 apo Core 2 Duo.

PCWorld Albanian shpreson që me këtë krahasim keni arritur të kuptoni se ku është dallimi mes Core i3 dhe Core 2 Duo, dhe në anën tjetër ju sugjeron që gjithnjë të keni parasysh që të shpenzoni aq sa keni nevojë, dhe jo të kërkoni procesor Core i7 e ta përdorni dekstopin apo laptopin tuaj thjeshtë për shfletim të uebit. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>