Vëzhgim

Internet Explorer 8 Beta 2: A mund të konkurrojë me Firefox?

Jan 3 2009
0 Shpërndarje
Internet Explorer 8 Beta 2: A mund të konkurrojë me Firefox?

Shfletimi me nëndritare
(Tabs)

Nëse aksidentalisht e mbyllni dritaren e shfletuesit në IE 8, mund t’i rihapni faqet e mbyllura kur rihapni programin (njësoj si te Firefox). Por IE 8 grupon dritaret e ngjashme, duke përdorur kodifikimin me ngjyra. Nëse hapni një link nga pcworld.com në një fushë të re, ajo do të jetë e ngjashme me origjinalin dhe nëndritaret do të kenë ngjyra të ngjashme. Mund të lëvizni nëndritaret nga një grup në tjetrin, por nëse keni tri faqe që nuk lidhen mes vete, mund të krijoni një grup të ri për to. Shtesa më e re në IE 8 duket të jetë ajo që Microsoft e quan izolim i nëndritares. Opsioni për izolimin e nëndritares është dizenjuar të parandalojë që një faqe e papërshtatshme të mbyllë gjithë programin. Vetëm nëndritarja që shfaq faqen e papërshtatshme do të mbyllet, duke ju lejuar të vazhdoni pa problem me shfletimin. IE 8 Beta 2 mban sigurisht disa nga tiparet e prezantuara në versionin e parë Beta, duke përfshirë WebSlices dhe açeleratorët; shikoni “Shfletuesit e freskuar: Cili punon më mirë?” në find.pcworld.com/61433 për më shumë detaje.

Më shumë siguri
Nëse aktivizoni opsionin InPrivate të IE 8, shfletuesi nuk do të ruajë asnjë të dhënë të ndjeshme si: fjalëkalime, informacione për identifikim, histori të faqeve të vizituara dhe të dhëna të tjera të ngjashme. Me këtë opsion do të ishte sikur ai shfletim të mos kishte ndodhur fare. Ky opsion është shumë i ngjashëm me Private Browsing te Safari i Apple, përveçse ikona në shiritin e adresave tek IE e bën statusin e InPrivate më të dukshëm. Filtri i shfletuesit për phishing, i quajtur SmartScreen e përmirëson filtrin e IE 7 me tipare të tilla që kërkojnë më imtësisht mes faqeve që vizitoni, për t’ju mbrojtur nga faqet me emra si paypal.faqemashtruese.com. Në këtë rast do të shihni një paralajmërim në dritare të plotë kur të futeni në ndonjë faqe të dyshimtë mashtruese. SmartScreen mbështetet në bazën e të dhënave të faqeve më të njohura mashtruese, por ka mundësi që ndonjë faqe e panjohur të rrëshqasë. IE shfaq domainet e faqeve me tekst më të errët, duke e lehtësuar këqyrjen nëse jeni me të vërtetë duke vizituar faqen ebay.com siç keni planifikuar, apo ndoshta jeni në ndonjë faqe për të cilën nuk keni dëgjuar kurrë. Microsoft ka mundur të theksojë më shumë domainet duke përdorur fushë me ngjyra, por edhe nënvizimi është një shtesë e mirëseardhur .

Përshtatja në Web
Krijimi i një faqe që duket njësoj në Internet Explorer, Firefox dhe Safari mund të jetë një sfidë. IE 8 Beta 2 ofron përkrahje më të mirë për standardet W3 Web, një komplet udhëzimesh që sigurojnë se faqja do të duket njësoj te të gjithë shfletuesit. Mangësia është se IE 8 deformon disa faqe që janë dizenjuar
për versionet e mëparshme të Internet Explorer. Për ta neutralizuar këtë problem, Microsoft ka shtuar një mundësi përshtatjeje: klikoni një buton në shiritin e veglave dhe IE 8 do ta shfaqë faqen ashtu si e shfaq IE 7. Në testet e mia kam zbuluar se shumica e faqeve punonin shkëlqyeshëm me standardin e ri dhe shumica e gabimeve ishin gabime të vogla kozmetike. Fatkeqësisht butoni për përshtatshmëri në web mund të mos shihet nga shumica e përdoruesve, sepse është mjaft i vogël. Një tekst i vendosur në buton do të ndihmonte shumë. Edhe pse duket se do të jetë e vështirë të binden përdoruesit e Firefox për të ndryshuar anije, Internet Explorer 8 Beta 2 meriton të shihet nga njerëzit që ende nuk kanë vendosur se cili është shfletuesi i tyre i preferuar.

 

Lajmet e fundit>