Analiza

Internet kudo që ndodhemi? Ja çfarë ofron Shqipëria

Jul 9 2012
0 Shpërndarje
Internet kudo që ndodhemi? Ja çfarë ofron Shqipëria

Kur flitet për një Shqipëri digjitale, një ndër çështjet kryesore është mundësia për të pasur qasje në internet, pavarësisht nga vendi ku ndodhemi.

Përgjithësisht, qasja në internet me brez të gjerë sot sigurohet përmes rrjeteve 3G, që në Shqipëri ofrohen nga dy prej operatorëve celularë, AMC dhe Vodafone Albania.

Ndonëse Shqipëria e nisi mjaft me vonesë implementimin e teknologjive 3G krahasuar me vendet e tjera të Europës (licensa e parë është dhënë në vitin 2010), duket se angazhimi i dy operatorëve të licensuar ka bërë që brenda një kohe të shkurtër vendi ynë të ketë një mbulim të rëndësishëm të territorit dhe popullsisë.

Sipas të dhënave më të fundit, AMC mbulon me rrjet 3G rreth 94% të popullsisë, ndërsa Vodafone Albania mund t’ju ofrojë shërbime 3G afro 78% të shqiptarëve. Për sa i takon mbulimit të territorit, AMC ka arritur në 71%, ndërsa Vodafone Albania në 65.5%.

Pavarësisht se ka një përdorim në internetin mobil krahasuar me vendet e Bashkimin Evropian, megjithatë Shqipëria pozicionohet mjaft mirë të paktën për sa i takon mbulimit me rrjet. Kështu, në BE rrjetet 3G mbulojnë rreth 79% të popullsisë.

Kjo mesatare është më e ulët se mbulimi i popullsisë nga operatori AMC dhe afërsisht në të njëjtin nivel sa operatori Vodafone Albania. Ndërkohë, Shqipëria paraqitet akoma më mirë për sa i takon mbulimit të territorit me rrjete 3G.

Mesatarja e BE-së për këtë tregues është 38%, shumë më pak se mbulimi që ofrojnë dy operatorët shqiptarë. Natyrisht, në krahasimin e të dhënave duhet pasur parasysh se, krahasuar me BE-në, Shqipëria ka një popullsi të pakët dhe një territor të vogël. Por, nga krahasimi del një konkluzion i rëndësishëm: interneti 3G arrin te pjesa dërrmuese e popullisë dhe atë në një pjesë të konsiderueshme të territorit.

Çështja është që shqiptarët ta përdorin më shumë këtë mundësi që ju jepet, çka lidhet ngushtë me zhvillimin social dhe sidomos ekonomik të vendit. Ofruesit e shërbimeve e kanë bërë më së miri punën e tyre; tani drejtimi ku duhet punuar, sidomos nga institucionet publike, është rritja e kulturës dhe sidomos e mundësive ekonomike të njerëzve për të hyrë në internet. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>