Siguri

Interneti – Bota e re e spiunazhit

May 18 2009
0 Shpërndarje
Interneti – Bota e re e spiunazhit

Premtimi që i bëri kryeministri kinez, Wen Jiabao, kancelares gjermane, Angela Merkel – gjatë vizitës së kësaj të fundit në Kinë, në verën e vitit 2007 – u erdhi shumë për shtat gjermanëve. Wen u shpreh se qeveria e tij do të ndërmerrte veprime "të vendosura" dhe "masa mjaft të ashpra" për të ndaluar sulmet e paligjshme në rrjetet kompjuterike të qeverisë gjermane. Dhe premtimi nuk u bë aspak rastësisht. Vetëm pak ditë përpara udhëtimit të Angela Merkelit në Kinë, revista gjermane, "Der Spiegel" kishte raportuar se sistemet e qeverisë së vendit ishin bërë pre e sulmeve masive. Shërbimet e fshehta gjermane kishin arritur të gjurmonin shumë prej tyre, duke arritur në përfundimin se burimin e kishin në disa provinca kineze.

Ishin fjalë të bukura dhe që i bënin nder kryeministrit kinez, por sulmet me software spiunë në rrjetet kompjuterike gjermane janë shtuar edhe më tej që prej asaj deklarate. "Kemi zbuluar përpjekje të përditshme për të kaluar sistemet mbrojtëse të kompjuterëve qeveritarë", thotë Burkhard Even, kreu i divizionit të kundërzbulimit në Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia e shërbimeve të brendshme të fshehta të Gjermanisë.

Dyshimet kryesore vazhdojnë të bien në pjesën dërrmuese mbi Kinën. Rasti më i spikatur qe ai i rrjetit të cyber-spiunazhit, i njohur si "Ghostnet" (rrjeti fantazmë), i cili u kap nga ekspertët kanadezë dhe britanikë në fundin e marsit të këtij viti. Programet e "Ghostnet"-it kishin infektuar të paktën 1,295 kompjuterë në 103 shtete të botës. "Shkencëtarët kanadezë konfirmuan informacionet tona", vëren Even.
Çdo vit, programe të posaçme antivirus, kapin rreth 600 tentativa për të ndërfutur software të sofistikuara spiunazhi në dy prej rrjeteve qendrore të internetit të IVVB, një sistem që lidh kompjuterët e Kancelarisë gjermane me ministritë e qeverisë në Bon dhe Berlin. Këto dhe tentativa të tjera të ngjashme janë provë e shtimit të vazhdueshëm të sulmeve të sofistikuara kibernetike, një pjesë e mirë e të cilave as që arrihet të kapet prej ekspertëve gjermanë.

Postimi i kodeve të dëmshme

Këto mesazhe e-maile kanë të bashkangjitur programe që shërbejnë për hapjen e portave për spiunët, gjë që mundëson kontrollin e kompjuterëve të infektuar nga çdo pikë e globit, ashtu si dhe lejon shkarkimin brenda tyre të programeve të dëmshme. Mesazhet e këtij lloji u dërgohen adresave të caktuara që u përkasin punonjësve apo institucioneve që operojnë në fusha specifike. Në më të shumtën e rasteve, shënjestër e sulmeve bëhen nëpunësit e niveleve të mesme.

Një punonjës i Ministrisë së Brendshme Federale të Gjermanisë, këto ditë mori një e-mail, i cili në pamje të parë dukej i dërguar nga një tjetër punonjës i departamentit të tij. Mesazhi qe thuajse perfekt dhe të bashkangjitur kishte një program spiun. Një numër i konsiderueshëm adresash në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe të Bashkimit Evropian kanë marrë gjithashtu e-maile të ngjashme të nisura nga dërgues të besueshëm.

Qëllimi që kanë këto sulme mund të mësohet në njëfarë mënyre nga karakteristikat teknike me të cilat kryhen, ashtu si dhe nga identiteti i shënjestrës ku drejtohen. Për shembull, qëllimi i sulmeve të kryera pak kohë përpara vizitës së kancelares gjermane në Kinë, ishte zbulimi i të dhënave mbi atë që donte të diskutonte Merkel me zyrtarët e lartë kinezë.

Shërbimet e fshehta gjermane vërejtën një rritje të ndjeshme të sulmeve kibernetike përpara takimit të Angela Merkelit me Dalai Lamën. Ekspertët kanë arritur në përfundimin se këta hakersa për të cilët po flasim, janë tepër aktivë në çdo gjë që ka të bëjë me Tibetin. Në janarin e vitit 2008, shumë zyrtarë gjermanë morën një e-mail, i cili kishte të bashkangjitur dokumentin me titull: "Analiza të Qeverisë kineze në lidhje me Tibetin". Në pamje të parë dukej se dërguesi qe një organizatë tibetiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në analizë qe fshehur një program pirat.

Hans Elmar Remberg, numri dy i agjencisë së shërbimeve të fshehta brenda vendit në Gjermani, tha në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv WDR se agjentët e tij kishin arritur në përfundimin që sulmet vinin "nga burime kineze" dhe se pas tentativave qëndronin "punonjës të qeverisë ose së paku njerëz që punonin për llogari të qeverisë kineze". Edhe ekspertët e vendeve të tjera që iu vunë pas gjurmëve "Ghostnet"-it arritën në përfundimin se pjesa më e madhe e sulmeve bëhej nga servera me vendndodhje në Kinë. Gjithsesi, u treguan të kujdesshëm dhe vërejtën se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e qeverisë kineze në këtë aktivitet spiunazhi. Është e vështirë të identifikosh fajtorët e vërtetë në internet, pasi edhe serverët e kontrollit mund të bëhen pre e sulmeve dhe të kontrollohen në distancë nga hakerët.

Dihet që agjencitë e shërbimeve të fshehta kineze, ashtu si dhe forcat e armatosura të këtij vendi, kanë qenë aktivë në spiunazhin kibernetik që në fundin e viteve nëntëdhjetë. Kina mund të mburret gjithashtu edhe për një komunitet hakerash me motive patriotike dhe tepër të aftë, të cilët hyjnë e dalin prej vitesh në sitet e huaja të internetit. Duke qenë se Kina e kontrollon në mënyrë shumë të rreptë internetin brenda kufijve të vet – më shumë se çdo shtet tjetër në botë – mund të merret me mend lehtë se qeveria i ka lejuar hakerët kinezë të bëjnë ç‘të duan me sitet e huaja.

Ndoshta nuk është aspak rastësi që vetëm tri ditë pasi zbulimi i "Ghostnet"-it zuri faqet e para të shtypit botëror, u ndje i detyruar të deklaronte se edhe ai vetë qe bërë pre sulmesh të tilla. Tha se disa hakera nga Tajvani kishin mundur të hynin në një kompjuter të Këshillit të Shtetit Kinez, duke shtënë në dorë disa raporte të rëndësishme qeveritare. Kryeministri "ishte tmerrësisht nervoz" për atë ngjarje, raportonte një e përditshme kineze para një jave.

Lajmet e fundit>