Analiza

Interneti, Kontrolli dhe Alternativat

Sep 23 2014
0 Shpërndarje
Interneti, Kontrolli dhe Alternativat

internet.siKohët e fundit më shumë sesa kemi dëgjuar rreth ofrimit të produkteve dhe teknologjive të reja në mediat prestigjoze, kemi dëgjuar rreth skandaleve të përgjimit që nga perëndimi i “egër” e deri në Lindjen e Largët. Tani ne po jetojmë në epokën e internetit, ku pothuaj çdo gjë, një pjesë të saj e ka në internet. Në fillimet e veta, interneti nuk ishte gjë tjetër veçse një mënyrë lidhjeje mes dy ose më shumë kompjuterëve përmes një rrjeti. Tashmë kjo përpjekje, ky eksperiment ka evoluar në miliona pajisje të ndërlidhura së bashku për të formuar këtë rrjet gjigant botëror i quajtur internet. Vendlindja e Internetit është në perëndim dhe pikërisht Amerika.

Interneti duke filluar nga vitet 2000 po përdorej gjerësisht fillimisht nga amerikanët dhe tashmë është një faktor global. Hovi i madh i tij filloi me lançimin e rrjeteve të ndryshme sociale që sot të gjithë i njohim, dhe por të flasim për Shqipërinë ekziston më shumë se gjysma e popullsisë përdorues të internetit. Mbase të gjithë ne shpenzojmë kohë të çmuar në internet duke biseduar me miqtë, duke kërkuar informacion, duke shfletuar në ueb etj. Shumë shërbime e kanë fillesën nga interneti nga të cilat përfitojmë shumë. Por shpenzimi i një kohë të gjatë në rrjetet sociale, apo shërbimet e mesazhimit mund edhe të jetë burim përgjimi nga agjencitë kryesisht qeveritare, por edhe nga individë të caktuar.

Pak ditë më parë sekretari i presidentit Rus Vladimir Putin tha se: “të gjithë e dimë se kush është administratori i madh i internetit global”. Po çfarë donte të thoshte me këtë? E qartë, ato e kanë mundësinë të përgjojnë këdo në planet. Si është e mundur kjo? E thjeshtë, çdo kompani e fuqishme që nga ato të ofrimit të produkteve gjer tek kompanitë që kanë një rrjet global fibrash optike kanë zyrat qendrore ose në Washington, ose në San Françisko. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një agjenci inteligjence të quajtur NSA dhe qëllim i saj është siguria kombëtare e SHBA-ve. Skandalet e muajve të fundit rreth përgjimeve të NSA-së ndaj disa shteteve dhe pikërisht Gjermanisë nuk mund të kapërdihej kollaj nga Gjermanët. Më pas u tha se Gjermanët kishin përgjuar Turqinë. Zbulimi se NSA përgjonte jo vetëm Qeveritë e shteteve, por edhe individë kryesisht huaj tronditi thellë besimin e përdoruesve të Internetit. Përgjimet shtriheshin përmes rrjeteve sociale apo bisedave telefonike deri tek shërbimet cloud.

Por sikur kjo të mos mjaftonte një agjent i NSA-së, dhe pikërisht Edward Snowden kërkon azil politik në Rusi pas deklaratave të tij se NSA ka përgjuar me mijëra individë amerikanë dhe të huaj. NSA kishte korrur miliona e-mail-e, mesazhe, madje edhe vendndodhje përmes aplikacioneve si Google Maps. Ajo në fshehtësi të plotë kishte përgjuar qendrat e të dhënave të Google dhe Yahoo duke marrë informacion nga miliona përdorues. Por sikur të mos mjaftonte kjo vetë agjenti i NSA-së pranon se ka punuar si nënkontraktues i NSA-së pranë kompanisë Dell dhe menaxhonte rrjetet e organizatave qeveritare. Një punonjës i NSA-së tha se Snowden ishte një nga mendjet e ndritura që kishte krijuar një backup për gjetjen e dobësive të sigurisë.

Më pas erdhi dobësia në SSL e cila alarmoi të gjithë. Dobësia e quajtur “Heartbleed” kishte një rrezik potencial. U publikuan lista të disa kompanive që mund të ishin prekur nga kjo dobësi dhe një ndër to ishte edhe Amazon. Përmes kësaj dobësie mund të vidheshin të dhëna nga miliona përdorues si fjalëkalime. Por historia nuk mbaron këtu sepse vazhdon me punësimin e ish- sekretares amerikane të shtetit Kondolezza Rice në bordin drejtues të Dropbox e cila shkaktoi një sërë pakënaqësish nga përdoruesit saqë lançuan një fushatë “Drop Dropbox” me qëllim largimin e saj. WhatsApp vendosej shpesh në qendër të kritikave, sepse edhe sikur kompanitë mos ta bënin këtë tashmë përdoruesit ishin të alarmuar.

E fundit dhe jo më pak e rëndësishmja, lajmi i pak ditëve më parë se Yahoo ishte kërcënuar me gjobë prej 250,000 dollarë në ditë nëse nuk pranonte ti jepte informacion të përdoruesve tek Agjencia Kombëtarë e Sigurisë (NSA). Në këtë raport thuhej se Yahoo kishte refuzuar dhe më pas ishte kërcënuar nga Qeveria Amerikane.

Nëse e mbani mend pothuaj një vit më parë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama lëshoi një urdhër ekzekutiv që i jep atij kompetenca të larta dhe kontroll mbi të gjitha rrjetet e komunikimit në SHBA. Nga ky urdhër ekzekutiv, presidenti dhe qeveria federale mund të merrnin veprime ekstreme në situata të jashtëzakonshme. Për shembull? Akti ekstrem identifikohet me përgjimin e përdoruesve? Infrastrukturat e përdorura në këto përgjime do të jenë përmes lidhjeve me kabllo, wireless, satelit, dhe rrjeteve kyçe të vendit. Barak Obama insistonte se është e domosdoshme që qeveria të jetë në gjendje të “arrijë” çdo individë përgjatë situatave “kritike”. Ne nuk e dimë se çfarë ka dashur të thotë Obama me fjalët “arrijë” dhe “kritike”, por një gjë është e sigurtë, privatësinë e përdoruesve e pret një e ardhme e errët.

Folëm kaq shumë për perëndimin, le ti kthejmë sytë nga lindja. Muajt e fundit një krizë marrëdhëniesh ka prekur Rusinë dhe Perëndimin e cila pak kohë më parë përfundoi në sanksione ekonomike dhe mbase në të ardhmen edhe komunikimit. Menjëherë nëpër media u hapën spekulimet se Rusia po konsideronte mundësinë e shkëputjes nga interneti global për shkak të skandaleve të përgjimit nga qeveria amerikane. Media Ruse ditën e sotme tha se Rusia po përpiqet të sofistikojë sigurinë kibernitike për shkak të ftohjes së marrëdhënieve me Perëndimin, po jo shkëputja nga internet global.

Sekretari i shtypit presidencial tha se Rusia gjendet përball një situate aspak të zakontë dhe se ato do të qëndronin në gatishmëri për çdo kërcënim që u shfaqet në cenimin e sigurisë kombëtare. Më pas ai cilësoi se problemi nuk qëndron në shkëputjen e Rusisë nga World Wide

Web, por mbrojtjen e saj nga një influencë e jashtme. Ministri i Komunikimit po ashtu mohoi të tilla pretendime rreth këputjes së lidhjeve me internetin global duke vënë në dukje rrezikun që i vinte vendit nga influenca e Europës dhe SHBA-së në këtë aspekt. Por si mund të shmanget kjo? Rusia e ka një plan mbrojtje. Ditën e premte, Gazeta Ruse Vedomosti citoi një numër burimesh të sigurisë që thonin se autoritetet Ruse janë duke marrë në konsideratë krijimin e një rrjeti të pavarur brenda shtetit. Po kjo gazetë tha se Rusia dëshiron të ketë në kontroll dhe të mund të mbrohet nga një konfrontim me perëndimin në fushën kibernitike. Veçanërisht ata duan të krijojnë një rrjet të quajtur “runet” – Interneti Rus” që të mund të operojë i pavarur nga pjesa tjetër e botës në rast të një emergjence thonë burimet.

Qëllimi është të kenë një internet të tyre, ngjashëm me Korenë e Veriut. Kjo gjë bëhet me qëllim se nëse SHBA përdor fuqinë e saj për të ndaluar shërbimin, serverat e backup-it do të ndërhyjnë. SHBA-të në fakt kanë ndërprerë internetin një shteti më parë. Sipas Snowden, ata i shkëputën internetin Sirisë teksa u përpoqën të instalonin një spyware në një nga routerat kryesorë të rrjetit kombëtar. (PCWorld Albanian)

Tags >

internet
Lajmet e fundit>