Intervista

Intervistë me Donald Leka, CEO i Transmedia

Jan 15 2009
0 Shpërndarje
Intervistë me Donald Leka, CEO i Transmedia

Nuk kam mundur të gjej asgjë rreth biografisë suaj; a mund të na tregoni diçka rreth vetes dhe prejardhjes suaj shqiptare?
Kam lindur në Nju Jork. Të dy prindërit e mi janë shqiptarë. Babai është me origjinë nga Delvina, kurse nëna është nga Gjirokastra. E kam vizituar Shqipërinë disa herë në kërkim të “rrënjëve” të mia. Gjyshja ime ka jetuar me ne në Nju Jork, kështu që jam ushqyer gjithnjë me kulturën shqiptare dhe kam mësuar shqipen. Babai, Dr. Agim Leka është në pension që vitin e kaluar. Është një mjek shqiptaro-amerikan i njohur, që prej shumë vitesh ka krijuar Klinikën e tij mjekësore në Nju Jork, ku është përkujdesur veçanërisht për imigrantët nga Shqipëria dhe Kosova.

Ende flisni shqip?
Flas, por më duhet ta përmirësoj. Nëse shkoj në Shqipëri për një javë ose dy, mendoj se mund ta përmirësoj shqipen time.

A keni qenë shpesh në Shqipëri?
Oh po, kam qenë në Shqipëri disa herë.

Po në Kosovë, a keni qenë?
Jo, në Kosovë ende jo, por mendoj të vij për një vizitë. Kam shkruar rreth Kosovës. Saktësisht në vitin 1987 kam shkruar në New York Times rreth autonomisë së Kosovës. Studimet e mia parauniversitare ishin në Marëdhënie Ndërkombëare, kështu që kisha interes të madh për atë që po ndodhte në Kosovë dhe Shqipëri. 
 
Jeni kryetar bordi dhe CEO i Transmedia, kompania që ka zhvilluar Glide OS, i cili ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga përdoruesit. A mundet Transmedia të konsiderohet si konkurrencë e Microsoft, Google apo kompanive tjera të fuqishme në IT?
Po, në këtë garë të re të cloud computing ku përdoruesi ruan gjithë skedarët e tij në “re”, që faktikisht janë serverë në të cilët mund të keni qasje nga gjithkund, ne jemi konkurrentë të drejtpërdrejtë. Kemi lançuar versionin e parë të Glide OS në nëntor 2005, shumë më parë se sa kompanitë e tjera të kishin arritur në stadin teorik rreth cloud computing. Kemi ecur para shumë shpejt dhe më 29 maj 2008 lançuam versionin 3.0 të Glide OS. Kishim arritur shpejt në versionin e tretë që është shumë më i qëndrueshëm dhe më i pjekur. Mund të themi se jemi duke konkurruar në mënyrë efektive me të tjerët. Microsoft është ende në stadin teorik dhe është duke folur për produktet e ardhshme, ndërsa Google ka aplikacione të bazuara në shfletues, që lidhen bashkë, por ato nuk ekzistojnë brenda një sistemi operativ. Sapo kemi lançuar marrëveshje të mëdha distribucioni në tërë botën dhe gjithçka po shkon për mrekulli. Isha në Brazil dhe tani jam në Dubai, ku po kërkojmë një partner distribucioni.

Sa përdorues ka deri tani Glide, duke marrë parasysh që ofron llogari falas me 10 GB hapësirë?
Pa shpenzuar para në reklamim apo marketing, vetëm me fjalët e gojës, kemi sot mbi 650.000 përdorues  dhe jemi duke u rritur shumë shpejt, kështu që mund ta konsiderojmë këtë rritje si të shpejtë.

Kujt i dedikohet Glide OS, përdoruesve privatë apo bizneseve?
Të dy grupeve. Kemi një version për përdoruesit individualë. Mund të shkojnë në glideos.com në kompjuterin e tyre ose në glidemobile.com me telefonin celular, për të pasur qasje në Glide. Gjithashtu kemi lançuar shërbimet për biznesin, të quajtur Glide Business, që është në dispozicion tashmë.
Kemi licencuar kompani të mëdha, por do të bëjmë edhe një version për biznese të vogla në fillim të vitit të ardhshëm. Do të jetë në dispozicion në glidebusiness.com, kështu që bizneset e vogla do të kenë qasje. Gjithashtu e kemi shpërndarë Glide OS në shkolla dhe sektorin e edukimit.

Glide OS është një nga aplikacionet e pakta që e ka shtuar Kosovën si shtet në listën e shteteve. A mund të presim ndonjë prezantim të Glide OS nga ju në një të ardhme në Kosovë ose Shqipëri?
Kemi lançuar një shërbim të veçantë të quajtur glidekosova.org, kështu që kosovarët mund të shkojnë dhe të kenë qasje në një version të veçantë që jemi duke përgatitur në gjuhën shqipe. Mund ta merrni Glide tani në gjuhën shqipe në GlideKosova.org dhe në të ardhmen ne do të ofrojmë më shumë përmirësime dhe lokalizim.

Me informacionet që keni rreth tregut të IT-së në Shqipëri dhe Kosovë, si e shihni të ardhmen e IT-së? Çfarë duhet të ndryshojë?
Nuk e njoh këtë treg nga afër sa e njihni ju, por të flasim përgjithësisht mund të them që Glide bën të mundur kthimin e një telefoni të mirë celular në një kompjuter personal. Glide në mënyrë të shkëlqyer rrit mundësitë e telefonit celularë. Në fakt është i njëjti Glide që përdorni në kompjuter. E di që në Kosovë shumë njerëz kanë telefona celularë, por jo gjithkush ka kompjuter personal në shtëpi, kështu që bukuria është mund të bëni punët e kompjuterit nga telefoni celular, pasi problemi është se hardueri i PC-ve është i shtrenjtë. Problemi tjetër është se ai harduer prishet shpejt. Kështu që, nuk besoj që hardueri i shtrenjtë është zgjedhja. Besoj se mundësia e qasjes në të dhënat tuaja nga çdo vend dhe në çdo kohë është e ardhmja. Kështu që, për shembull, mund të qaseni në llogarinë tuaj Glide përmes Windows, Macintosh, Linux, Solaris, Android, Blacberry, iPhone, Palm, Symbian dhe Windows Mobile. Parimisht nga të gjitha platformat kryesore. Kështu, kjo e bën më të lehtë. Mund të shkoni në një internet kafe ose tek shtëpia e ndonjë shoku për t’u qasur në llogarinë GlideKosova.org ose, sigurisht, nga telefoni celular. E rëndësishme është që të keni qasje në të dhënat nga çdo vend dhe në çdo kohë.

Cilat janë planet e Transmedia, Glide 4.0 apo ndonjë produkt tjetër?
Jemi duke përgatitur Glide 3.1. Do të vijë herët, gjatë vitit të ardhshëm, dhe me këtë freskim do të bëjmë një marketing dhe reklamim të fortë. Mendojmë se 3.1 tani do ta bëjë më të lehtë përdorimin për gjithkënd të Glide. Do të jetë më i përshtatshëm për përdoruesit, nga sa është tani dhe 3.1 do të kompletojnë funksionalitetin që tashmë ekziston.

Diçka për të shtuar për PC World Albanian?
Është mrekulli të shoh se jeni duke bërë PC World në shqip, është fantastike. Po planifikoj ta vizitoj Kosovën dhe Shqipërinë, dhe jam shumë krenar me pavarësinë që Kosova ka arritur, kështu që kjo është një kohë shumë mbresëlënëse për shqiptarët. (PCWorld Albanian)

Tags >

Glide
Lajmet e fundit>