Intervista

Intervistë me Labinot Bytyqin, themelues dhe drejtor ekzekutiv i rrjetit social Solaborate, dedikuar TIK-ut

Jul 29 2013
0 Shpërndarje
Intervistë me Labinot Bytyqin, themelues dhe drejtor ekzekutiv i rrjetit social Solaborate, dedikuar TIK-ut

logoSolaborate është një rrjet social i dedikuar teknologjisë, profesionistëve dhe kompanive, i cili ju mundëson të krijoni një ekosistem rreth produkteve dhe sherbimeve që ofroni. Solaborate, themeluar në janar të vitit 2012 me bazë në Los Angeles, SHBA, ka zyrat e saj përfaqësuese në Prishtinë dhe Shkup. Në prill të këtij viti u lançua versioni beta, i cili u ofron profesionistëve të teknologjisë mjetet dhe shërbimet e duhura për bashkëpunim në kohë reale, komunikim me njëri-tjetrin si dhe akses në lajme apo njoftime. Ata kanë gjithashtu mundësi të kërkojnë dhe aplikojnë për t’u punësuar, të shkruajnë komente, të shikojnë versione demo të produkteve apo shërbimeve etj.

Në vijim PCWorld Albania ju sjell intervistën e zhvilluar me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë Solaborate z. Labinot Bytyqi.

PCW: Si lindi ideja e zhvillimit të këtij rrjeti dhe pse mendoni që do t’ju shërbejë profesionisteve dhe kompanive të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit?

LB: Ideja ka lindur fillimisht gjatë përvojës së punës time. Kam punuar në SAP në Amerikë, fillimisht i përfshirë si konsulent, më pas si menaxher produktesh për 10 produkte të dedikuara për tregun global dhe pozicioni i fundit ka qenë si menaxher llogarish ku kam menaxhuar 28 llogari dhe kam qenë përgjegjës në shitjen e produkteve dhe sherbimeve të SAP. Disa nga kompanitë të cilave u kemi shërbyer kanë qenë Apple, Microsoft, LinkedIn, Facebook dhe kompani tjera me famë botërore në fushën e teknologjisë. Ideja ka ardhur duke parë mungesën e një rrjeti të dedikuar ku profesionistët dhe kompanitë e teknologjisë të kenë mundësi të krijojnë lidhjet e tyre, të kenë mundësinë e krijimit të kontakteve të cilat u nevojiten për të kryer punën dhe për të qenë sa më efektivë. Pra, e gjithë kjo nismë dhe realizim ka arritur si rezultat i mungesës së një platforme të tillë dhe mund të themi se Solaborate është platformë unike dhe e vetmja e dedikuar për profesionistë dhe kompani të teknologjisë.

PCW: Cila është platforma në të cilën është zhvilluar dhe si funksion Solaborate?

LB: Teknologjia që është përdorur është e bazuar në Microsoft Azzure Cloud Computing, ndërsa pjesa në Back END është C#. Janë përdorur teknologji apo gjuhë të ndryshme siç janë HTML5, Java dhe gjuhë tjera programuese të cilat i takojnë gjeneratës së re.

PCW: Cilat kanë qenë sfidat gjatë ndërtimit të këtij rrjeti dhe sa keni pasur vështirësi në kompletimin e stafit?

Labinot BytyqiLB: Vështirësitë më të mëdha kanë qenë për shkak të platformës Azzure Cloud Computing. Ne kemi menduar që këtë rrjet ta zhvillojmë në Ballkan, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni, por duke pasur shumë pak persona në Ballkan që e kanë njohur këtë teknologji, ka qenë një nismë e vështirë dhe me shumë sfida. Për sa i përket stafit, falë

një bashkëpunimi të mirë mes zyrave tona përfaqësuese në Prishtinë dhe Shkup kemi arritur të kemi një staf profesional, edhe pse jo në numër të madh por të mjaftueshëm për të arritur deri këtu. Dëshiroj të falënderoj gjithë stafin dhe bashkëpunëtorët për arritjet e deritanishme.

Ne vlerësojmë punën e deritanishme duke pasur parasysh se e gjitha apo gjithë rrjeti në tërësi është zhvilluar për vetëm 18 muaj dhe për momentin jemi në fazën ku vizitorët mund të krijojnë llogarinë e tyre vetëm me kërkesa apo siç njihet ndryshe Invite Only.

PCW: Si është pritur lançimi i versionit Beta dhe cilat kanë qenë reagimet?

LB: Deri më tani kemi pasur një mbulim të mirë mediatik dhe reagimet kanë qenë shumë pozitive. Që nga lançimi, Solaborate ka punuar shumë që ti përmirësoj shërbimet ekzistuese në web me disa risi emocionuese dhe inovative. Në konferencën dhe ekspozitën e WebRTC Solaborate është shpërblyer me çmimin “Best in Show award”. Solaborate me seli gjendet në Los Anxheles të Kalifornisë, por zhvillimi i softuerit apo platformës është bërë dhe vazhdon të zhvillohet në Republikën e Kosovës dhe në Maqedoni.

PCW: Pse duhet ta përdorim Solaborate, cilat janë përparësitë në krahasim me rrjetet të tjera?

f1_30sollaborate3-jpg1367336336LB: Ka shumë arsye pse duhet ta përdorni Solaborate, por po përmendim disa më kryesore. Ideja konsiston në faktin që është rrjet i dedikuar për sektorin e TIK, të ofron mundësinë e krijimit të një komuniteti apo një ekosistemi në bazë të produkteve dhe shërbimeve që ofron. Përmes lidhjes dhe ofrimit të tyre përdoruesit kanë mundësi të kenë një bashkëpunim në kohë reale dhe së fundmi, do të thoja se duke përdorur Solaborate, profesionistë dhe kompani të sektorit TIK do të kenë mundësi të jenë më produktivë.

PCW: Si do ta vlerësonit në tërësi ndikimin social të Solaborate?

LB: Ideja është që përdoruesit të kenë mundësi të krijojnë rrjete, të kenë një ndërlidhje por jo vetëm, pra të kenë mundësi të targetimit të tregut më lehtë përmes këtij rrjeti. Pikë tjetër e rëndësishme është edhe mundësia e bashkëpunimit përmes rrjetit, ku kompanitë apo profesionistët kanë mundësi që të arrijnë deri tek një punë e përbashkët në produkte apo shërbime të caktuara, e gjitha kjo falë mundësive të mira që ofron Solaborate.

PCW: Çfarë presim në të ardhmen nga Solaborate, cilat janë synimet?

LB: Solaborate aktualisht është në Private Beta pra ‘Invite Only’, që do të thotë se krijimi apo hapja e një llogarie është vetëm me ftesa. Jemi duke punuar në zgjerimin dhe shtimin e funksioneve të reja dhe shpresojmë që brenda vitit platforma të lëshohet për testim publik, pra të jetë e hapur për të gjithë.

PCW: Vështrim rreth Solaborate:

LoginPCWorld Albanin më poshtë ju sjell disa nga funksionet e rëndësishme të këtij rrjeti.

Solaborate, si platformë e parë dhe unike e dedikuar për profesionistë dhe kompani të sektorit të TIK-ut, ofron atyre mundësi të krijojnë profilet e tyre. Dallimi mes profilit për profesionistë dhe kompani konsiston në faktin se llogaria e kompanisë mundëson menaxhimin nga shumë persona. Nëse një kompani ka disa sektorë apo produkte, secili prej tyre mund të menaxhohet nga personat përgjegjës për sektorë apo produkte të caktuara.

Disa nga funksionet të cilat e karakterizojnë këtë rrjet janë mundësitë për të postuar foto, video apo dokumente. Mund të ngarkoni gjithashtu prezantime rreth shërbimeve apo produkteve që ofroni si profesionist ose kompani, chat në kohë reale, bisedë me video dhe shumë veçori të tjera siç janë blogjet dhe shanset për të arritur më lehtë tek klienti apo tregu i synuar.

E ndërtuar në Microsoft Windows Azure cloud computing, HTML5, WebSockets protokolin WebRTC për komunikim në kohë reale, Solaborate është një platformë e lehtë për t’u përdorur. Ajo ka një ndërfaqe të bazuar në ueb dhe mund të integrohet me kanalet ekzistuese të mediave sociale si LinkedIn, Facebook, Google+ dhe Twitter.

Disa nga veçorit e reja të Solaborate janë:

Solaborate paraqet mundësi për të ngritur edhe më tej në kohë reale komunikimin dhe bashkëpunimin për profesionistët dhe kompanitë e teknologjisë. Solaborate tashmë iu mundëson përdoruesve që të bëjnë audio dhe video thirrje, të ndajnë dokumente dhe foto brenda një thirrje si dhe ti ndajnë ekranet e veta në kohë reale.

Audio thirrjet

SolaborateSolaborate edhe më herët ka ofruar video thirrje të bazuara në WebRTC, duke i lejuar përdoruesit që të komunikojnë përmes videos pa patur nevojë që të shkarkojnë softuer ose plug-ins. Megjithatë, duke qenë se audienca e synuar janë profesionistët e industrisë së teknologjisë, të cilët janë të mësuar që të komunikojnë përmes konferencave telefonike, Solaborate ka vendosur që të prezantoj edhe vetëm audio thirrje. Solaborate i ka përmirësuar audio thirrjet duke e bërë të mundur realizimin e audio konferencave grupore.

Video thirrjet

Solaborate poashtu i ka përmirësuar edhe video thirrjet një-me-një duke mundësuar video thirrje grupore brenda shfletuesit pa patur nevojë për plug-ins apo për shkarkim softueri. Thirrjet video grupore janë zbatuar duke përdorur WebRTC dhe aktualisht janë të mbështetura nga Chrome dhe Firefox. Opsioni i video thirrjeve grupore përfshin edhe mundësinë e dërgimit të mesazheve të çastit gjë që iu mundëson pjesëtarëve që të komunikojnë përmes tekstit dhe që të ndajnë rich media.

Ndarja e ekranit dhe e dokumenteve

Përmirësimin e mëtejshëm të aftësive komunikuese, Solaborate tani e mbështet edhe me ndarjen e dokumenteve brenda chat-it, duke iu mundësuar pjesëtarëve që të komunikojnë dhe të ndajnë dokumente të rëndësishme në një vend të vetëm, duke e lehtësuar kështu bashkëpunimin në kohë reale. Përveç kësaj, përdoruesit tani mund ti ndajnë edhe ekranet e tyre me të tjerët në chat-in e njëjtë. Kjo gjithashtu është bërë duke përdorur WebRTC, duke eliminuar kështu nevojën për plug-ins special të softuerit të regjistruar.

Mundësia për të ndarë ekranin e dikujt e ngrit edhe më tej bashkëpunimin duke i dhënë përdoruesve mundësinë për t’ju transmetuar të tjerëve saktësisht atë çka ata shohin në ekranet e tyre, duke mundësuar që përdoruesit të jenë më produktiv. Gjithashtu iu mundëson kompanive të teknologjisë që të mbështesin dhe demonstrojnë produktet ose shërbimet e tyre duke krijuar një përvojë më të pasur dhe më të personalizuar të konsumatorëve.

Solaborate në tërësi e ka përqafuar përdorimin e WebRTC-së për t’ju ofruar përdorueseve të vet komunikim dhe bashkëpunim në kohë reale. WebRTC është një projekt ambicioz që synon ta lehtësojë sa të jetë e mundur komunikimin në kohë reale që realizohet përmes web-it.

Përdorimi i WebRTC-së nga e Solaborate iu mundëson profesionistëve dhe kompanive të teknologjisë që të angazhohen dhe të bashkëpunojnë si kurrë më parë me klientët e tyre.

Përdoruesit kanë mundësi të realizojnë video-chat një-me-një si dhe biseda në grup me klientë, ekspertë dhe përfaqësues të produkteve pa patur nevojë për shkarkim të softuerit ose plugin-it të bazuar në WebRTC. Ata mund të shohin, të krijojnë dhe të demonstrojnë versione demo të produkteve dhe shërbimeve, të krijojnë dhe të marrin pjesë në grupe diskutimi, të ndajnë njoftime etj.

Për më tepër ju ftojmë të kërkoni një Beta Key duke u regjistruar në http://solaborate.com dhe të bëheni pjesë e një rrjeti i cili premton shumë në të ardhmen. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>