Intervista

Intervistë me z.Dritan Mejzini kryetar i AITA

Aug 25 2009
0 Shpërndarje
Intervistë me z.Dritan Mejzini kryetar i AITA

-Cilat ishin objektivat parësore dhe sa kanë ndryshuar ato me kohën?
Objektivat parësore lidhen me zhvillimin dhe forcimin e sektorit të TI-së: rritja e ndërgjegjshmërisë për rolin e TI-së në çdo aspekt të jetës, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, mbrojtja e interesave të anëtarëve të saj, forcimi i komunitetit të TI-së, ngritja e problemeve që lidhen me sektorin në nivel qeveritar dhe kërkimi i zgjidhjeve të tyre, promovimi i sektorit brenda dhe jashtë vendit, zgjerimi me anëtarë të rinj, lobimi, rritja cilësore profesionale e komunitetit të TI-së, shtrirja e shoqatës në të gjithë Shqipërinë si dhe forcimi i marrëdhënieve me shoqata ose organizata të ngjashme në rajon dhe më gjerë. Objektivat e shoqatës nuk kanë ndryshuar, përkundrazi, ato pasurohen. Realizimi i këtyre objektivave është një proces për të cilin ne jemi të ndërgjegjshëm, të qartë, të duruar, të përkushtuar dhe këmbëngulës.

– Cili ka qenë interesimi i shoqërisë shqiptare lidhur me TI-në?

Shoqëria shqiptare, si pjesë e shoqërisë globale, ka një interesim shumë të lartë për TI-në dhe shërbimet që ajo ofron. Nuk mund të mendohet mosnjohja e kompjuterit, e aplikimeve dhe e shërbimeve të TI-së nga brezi i ri dhe relativisht brezi i mesëm, qoftë kjo si pjesë e biznesit të tyre ose si pjesë e argëtimeve sociale. Gjithsesi, ne jemi të ndërgjegjshëm që mund të bëhet shumë më tepër në këtë drejtim, për ta bërë TI-në pjesë të punës dhe të të menduarit aktiv në çdo aspekt të shoqërisë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se TI-ja përfaqëson sistemin jetësor të qarkullimit të informacionit, që është edhe shtylla mbi të cilën mbështetet zhvillimi ekonomik i një vendi dhe përmirësimi i jetës moderne shoqërore të qytetarëve të saj. Një njohje më e mirë dhe një përdorim më efikas i TI-së rrit cilësinë e dijes dhe të jetës së kujtdo.

-Si e planifikoni kalendarin e aktiviteteve tuaja shoqërore?

Së shpejti, Bordi i Shoqatës do të shqyrtojë planin e aktiviteteve të shoqatës për pjesën e fundit të vitit, e cila është shumë e pasur me ngjarje për anëtarët e saj si në nivelin kombëtar, rajonal apo edhe në atë ndërkombëtar. Në këtë aspekt, pritet që të gjallërohet më tepër jeta e shoqatës si dhe të aktivizohet prania e saj në marrëdhënie me shtetin, donatorët, biznesin privat të TI-së dhe me komunitetin e gjerë të saj.
Si rrjedhojë, shoqata ka planifikuar aktivitete brenda dhe jashtë vendit, si në fushën e takimeve mes bizneseve, panaire të ndryshme dhe zgjerimin e kontakteve brenda komunitetit, qëllimi i të cilave është forcimi, zhvillimi dhe promovimi i sektorit dhe i kompanive të TI-së.

-Cilët kanë qenë për ju hapat themelorë të zhvillimit të TI-së në Shqipëri dhe në Kosovë këto 10-15 vitet e fundit?

Zhvillimi i TI-së në Shqipëri i ka fillesat e saj shumë para viteve ’90. Zhvillimi i TI-së i ka shërbyer mjaftueshëm zhvillimit modest të ekonomisë së asaj kohe. Gjithsesi, në këto vitet e fundit është vërejtur një zhvillim i madh i TI-së, i shtimit të numrit të kompanive, organizatave, aktiviteti i të cilave lidhet direkt me TI-në, por sidoqoftë ka ende shumë vend për përmirësim dhe zhvillim të mëtejshëm. Kjo lidhet shumë me rolin e shtetit në krijimin e infrastrukturës fizike dhe logjike të nevojshme për zhvillimin e TI-së në çdo nivel të edukimit, në mbështetjen e krijimit të standardeve të TI-së, në mbështetje të çdo lloj aktiviteti ose institucioni të lidhur direkt me TI-në, në krijimin e kushteve më lehtësuese për zhvillim dhe penetrim në çdo nivel të ekonomisë, të edukimit dhe të familjes shqiptare.
Nuk ka zhvillim kombëtar pa një ekonomi me TI të zhvilluar dhe me njerëz që e mbështesin këtë zhvillim.

-Në ç’pozitë është tregu i Teknologjisë Informative në raport me vendet e rajonit?

Në përgjithësi, TI-ja në Shqipëri ka ende vend për përmirësim për t’u radhitur në të njëjtin nivel me vendet e rajonit, por boshllëku sa vjen dhe po ngushtohet për shkak të agresivitetit, përkushtimit dhe sakrificës së kompanive shqiptare për zhvillim.

Në zhvillimet më të fundit në sferën mbarëshqiptare, cilat janë fenomenet kryesore mbi të cilat mbështeteni për t’u zhvilluar?
AITA ka nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me STIKK, shoqata simotër e Kosovës. Si rezultat, pritet që të bashkërendohen shumë aktivitete të sektorit sidomos mes nesh, si takime mes kompanive anëtare, mes komunitetit të TI-së, aktivitete trajnimi, pjesëmarrje në projekte të përbashkëta zhvillimi dhe kështu me radhë.
TI-ja është një formë moderne e bashkimit të vlerave kombëtare.

-Ritmet e zhvillimit të teknologjive të komunikimit nuk janë njësoj në Shqipëri si në Kosovë. Përtej avantazheve të boom-it kosovar, ka një ngërç në Shqipëri. Cili mendoni se është shkaku apo shkaqet kryesore?
Kosova ka një të kaluar më të zhvilluar në drejtim të përfshirjes së TI-së në ekonomi, ka një prani të madhe të komunitetit ndërkombëtar (sidomos pas luftës) dhe tregu lokal vazhdimisht zhvillohet për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre në rritje. Qeveria mbështet zhvillimin e kompanive lokale të TI-së në tenderët për produkte ose shërbime që lidhen me TI-në. Zhvillimi i tregut lokal lidhet me krijimin dhe zhvillimin e kompanive qoftë në shumëllojshmëri shërbimesh ose produktesh, ashtu edhe në numër të punonjësve. Por pavarësisht nga kjo, edhe në Kosovë ka ende vend për t’u ngritur në nivele më të larta të shërbimit, për të qenë të gatshëm për t’iu përgjigjur tregut perëndimor. Shqipëria dhe TI-ja në Shqipëri po njohin rritje dhe zhvillim të shpejtë, që garanton ngushtimin e boshllëqeve në zhvillim të vërejtura deri tani. Shumë shpejt do të krijohet një treg i vetëm në fushën e TI-së, ku nuk do të flitet për diferencime, por për sinergji të vlerave profesionale, në shërbime dhe përfitime financiare.
-Si mund të kapërcehen këto probleme?
AITA dhe STIKK po punojnë shumë për zvogëlimin e këtyre diferencave. Kjo përfaqëson dhe një nga prioritetet e objektivave tona. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>