Blog

Intimitet Goxha i Bukur = Pretty Good Privacy (PGP)

Feb 27 2011
0 Shpërndarje
Intimitet Goxha i Bukur = Pretty Good Privacy (PGP)

Sot, kur pothuajse shumica e aktiviteteve me kompjuter realizohen duke qenë të lidhur në internet, krahas sjelljes sonë të të qenët në-linjë është shumë e rëndësishme edhe ruajtja e intimitetit. Të shumta janë raportet e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve kompjuterike që flasin për shkelje të intimitetit. Pa dyshim, këto raporte nuk kursejnë as rrjetet sociale si Facebook, Twitter, MySpace dhe të tjera. Po ta shikojmë këtë problematikë nga këndvështrimi i biznesit, vërejmë se bizneset janë shumë të shqetësuara nga shkelja e intimitetit sepse kjo për to do të thotë më pak tregti elektronike. Por kur e shikojmë nga këndvështrimi i përdoruesit, edhe pse shqetësimi duket sikur nuk është në nivelin e biznesit, sërish tema e intimitetit në internet sikur synon të zërë një nga vendet e para të shqetësimeve të përdoruesve. Pavarësisht, një gjë është më se e sigurt, që industria e teknologjisë informative çdo ditë e më shumë po bëhet më e vetëdijshme për problemin e intimitetit në internet, duke bërë që i tërë potenciali i saj zhvillimor si në harduer ashtu edhe në softuer të orientohet nga realizimi i mekanizmave për ta bërë surfimin në internet sa më të sigurt; me këtë edhe jetën në internet, si një botë virtuale, sa më të shëndetshme. 

HYRJE: PRETTY GOOD PRIVACY (PGP)

Pretty Good Privacy apo PGP, siç i referohen shpesh, është një softuer me anë të të cilit bëhet shifrimi i të dhënave për t’u transmetuar pastaj përmes postës elektronike. I shpikur nga Phil Zimmerman, ky intimitet goxha i bukur krahas shifrimit të postës elektronike mundëson edhe ruajtjen e integritetit të tyre. Fillimisht një produkt pa pagesë, komercializohet në mesin e viteve ’90-të kur blihet nga Network Associates. Së fundi, pronar i PGP-së është PGP Corporation (pjesë e Symantec-ut nga ky vit), që ofron më shumë se vetëm shifrimin dhe integritetin e të dhënave të postës elektronike. Siguria e të dhënave të përdoruesve të skajshëm, siguria e postës elektronike, autentikimi në rrjetet e reve dhe shumë të tjera paraqesin disa nga produktet e sotshme që ofron PGP Corporation në rrafshin e sigurisë kompjuterike. Megjithatë, të gjithë të interesuarit e PGP-së mund të shkarkojnë edhe versionet e PGP-së pa pagesë nga interneti, ndërsa me mundësi përdorimi për kohë të caktuar nga web faqja e PGP Corporation:

Web faqja e PGP Corporation (PGP Corporation, 2010)

PGP NË AKSION 

PGP punon me principin që para se të dërgohet e dhëna e besueshme përmes postës elektronike, fillimisht duhet të shifrohet me PGP e pastaj të dërgohet përmes postës së rëndomtë elektronike. Thuajse në mënyrë të ngjashme, në skajin tjetër të rrjetit kompjuterik përdoruesi që tanimë e ka marrë mesazhin me këtë të dhënë të besueshme do të duhet së pari të përdorë PGP-në për të bërë deshifrimin e atij mesazhi, që pastaj të jetë në gjendje ta përdorë atë. Sa i thjeshtë, aq edhe i papërshtatshëm! Por duke qenë se kodi burimor i PGP-së është i pajisur me modifikimet e nevojshme për të bërë të mundur pajtueshmërinë dhe përfshirjen e këtij softueri në sistemet e ndryshme të postave elektronike, praktika ka dëshmuar se PGP-ja bëhet shumë lehtë pjesë përbërëse e aplikacioneve të postave elektronike të përdoruesve.

Varësisht nëse është zgjedhur besueshmëria, integriteti, autentikimi apo ndonjë kombinim i ndonjërës nga këto, PGP-ja ekzekuton aksionet në vijim:

Krijon çelësin e sesionit të rastit për algoritmin simetrik
Shifron mesazhin me anë të çelësit të sesionit (për besueshmëri të mesazhit).
Shifron çelësin e sesionit sipas çelësit publik të pranuesit
Bën shifrimin e mesazhit dhe klasifikimin e tij; e firmos shifrimin e mesazhit me çelësin e shifruar privat të dërguesit (për integritet dhe autenticitet të mesazhit)
Ia bashkëngjit çelësin e shifruar të sesionit mesazhit të shifruar dhe të klasifikuar
E transmeton mesazhin te dërguesi.

AVANTAZHET E PGP-SË

Zimmermani është i bindur se avantazhet e PGP-së, që fillimisht ishte zhvilluar si projekt për të drejtat e njeriut për t’i mbrojtur individët nga qeveritë tirane, i tejkalojnë disavantazhet. Zaten kjo mund të jetë njëra nga arsyet që PGP përdoret nga çdo organizatë për të drejtat e njeriut në botë. Disa nga avantazhet e PGP-së janë:

PGP është i lehtë për t’u përdorur
Me PGP-në çdo përdorues vendos se cilit çelës duhet t’i besojë
Certifikatat janë opsionale në PGP, që do të thotë se secili mund t’i lëshojë certifikatë secilit dhe është përdoruesi ai që vendos se cilës certifikatë duhet t’i besojë për të autentikuar dikë
Gjatë deshifrimit të të dhënave me PGP ju mundësohet të përcaktoni se e dhëna është skedar tekstual apo binar
Me qëllim të kursimit të bitëve, PGP e kompreson skedarin para se ta dërgojë atë pavarësisht në është tekstual apo binar.

PGP Global Directory për verifikimin e çelësave (PGP Corporation, 2010)

DISAVANTAZHET E PGP-SË

Për dallim nga avantazhet, ekzistojnë edhe disa avantazhe të PGP-së si në vijim:

PGP në çdo mesazh përfshin edhe fushën EMRI I SKEDARIT
PGP përfshin kohën kur skedari është modifikuar herën e fundit
PGP lejon të përdorët çfarëdo emri, duke bërë që përdoruesit t’i firmosin certifikatat si të jenë çelësa publikë
PGP nuk supozon se gjithnjë skedari i shifruar duhet të kodohet për t’u dërguar me postë elektronike
PGP nuk kërkon përdorimin e certifikatave, edhe pse ato e lehtësojnë punën me sistemet e sigurisë së intimitetit.

KOKLUZIONI

PGP-ja mund të konsiderohet një protokoll tjetër i sigurt i postës elektronike. Nisi si implementim në domenin publik të vetëm, për t’u shpërndarë pastaj në gjithë botën. Mjerisht, ishte RSADSI dhe autoritetet qeveritare që shkaktuan që PGP-ja të kalojë në kontrabandë. Për ironi, që nga fillimi PGP ka qenë legal dhe në dispozicion në shumë vende të botës. Duke qenë se patenta e RSA-së vlente vetëm për ShBA dhe fakti që shtetet e tjera kanë politika të tjera të importit, eksportit dhe përdorimit të teknologjive për sigurinë e intimitetit, legaliteti i PGP-së mbeti pothuajse gjithnjë i diskutueshëm. Pavarësisht, PGP me natyrën e saj të intimitetit goxha të bukur, me gjithë problemet e ndërlidhura me ligjshmërinë e përdorimit të saj, sërish anë e mbanë botës inspiroi përdorues të shumtë të cilët e përdorën për të përkrahur liritë individuale të tyre, krenaritë prej eksperti dhe dëshirat e tyre për të qenë të pavarur nga nevoja për çfarëdo fshehtësie.

Lajmet e fundit>