Biznes

iOS katër herë më fitimprurës se Android, por jo për një kohë gjatë

Nov 30 2012
0 Shpërndarje
iOS katër herë më fitimprurës se Android, por jo për një kohë gjatë

Gara në numrin nominal të aplikacioneve, prej kohësh e ka humbur kuptimin, veçanërisht kur marrim parasysh se shumica e tyre arrijnë numër shumë të vogël të shkarkimeve nga ana e përdoruesve.

Nga ana tjetër, aplikacionet të cilat paguhen paraqesin burimin e të ardhurave, si për zhvilluesit ashtu edhe për dyqanet App Store dhe Google Play.

Dyqani i Apple, App Store, edhe më tej mbetet tregu më fitimprurës i aplikacioneve mobile, por Google Play ngadalë po e arrin. Duhet të thuhet se në këtë moment App Store është katër herë më fitimprurëse se Google Play, që është përparësi e madhe.

Megjithatë, të ardhurat e dyqanit Google Play në vitin e fundit janë rritur me 311%, derisa rritja e të ardhurave në App Store ishte vetëm 12,9%. Nëse shikojmë vetëm muajin e fundit, do të shohim se të ardhurat në dyqanin Google Play janë rritur me 17,9%, kurse në App Store vetëm 0,7%.

Në pranverë, dyqani Google Play, zëvendësoi Android Market, sepse Google në shumicën e tregjeve në ofertë përfshinte libra, muzikë dhe filma, që është një ndër arsyet e rritjes së vrullshme të të ardhurave. Kështu numri i përgjithshëm i shkarkimeve të përgjithshme kohë më parë arriti në 25 miliardë të tërë.

Duhet gjithashtu të përmendet edhe shitja e mirë e tabletëve Android në tregun global, që ndikoi direkt në zvogëlimin e pjesës së iOS.

Analistë të ndryshëm parashikojnë se rritja e Android do ta arrijë maksimumin nga mesi i vitit të ardhshëm, kur “do ta marr kontrollin” në tregun e tabletëve dhe kështu do ta largojë nga froni iPad-in. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>