Vëzhgim

iPhone dhe 3G nuk po japin atë që kishin premtuar

Jan 2 2009
0 Shpërndarje
iPhone dhe 3G nuk po japin atë që kishin premtuar

Apple dhe AT&T e promovojnë celularin e ri iPhone 3G si “dyfish më të shpejtë” sesa paraardhësi i tij. Por a po marrin përdoruesit shërbim 3G të vërtetë, për shpejtësinë e transferimit të të dhënave? Siç duket, jo aq sa duhet. Shumica e përdoruesve nuk po përjetojnë performancën e ngjashme me Wi-Fi, të cilën e premtojnë specifikimet 3G. Në testime joformale pata rezultate të përziera. Celulari im iPhone 3G ka disa vështirësi me përshtatjen e shpejtësisë së premtuar, për të cilën AT&T thekson se “zakonisht” duhet të renditet nga 600 kilobit deri në 1.4 megabit për sekondë, në rrjetin e tyre 3G. Mund të përdorni gjithashtu edhe shërbimin EDGE nga AT&T me çfarëdo iPhone, rrjet që ofron shpejtësi mesatare të bartjes së të dhënave mes 75 kbps dhe 135 kbps, ndërsa ndodh që të ketë edhe shpejtësi të vrullshme që arrin deri në 200kbps. Për krahasim, Wi-Fi, që gjithashtu mund të përdoret tek iPhone, mund të sjellë shpejtësi që tejkalojnë shifrën prej 1.5 mbps. Me një fjalë, iPhone 3G, tregon troç se në cilin rrjet jeni.

Ankesa të shumta
Bazuar në ankesa të vendosura nëpër bloge, forume dhe borde të mesazheve në internet, gjithashtu dhe nga eksperienca ime, ekziston një rend i gjerë shpejtësish dhe shumë pak përdorues raportojnë për eksperienca të ngjashme me performancën e Wi-Fi. Shpejtësia që merrni varet nga vendndodhja gjeografike në vend. Mbani mend: për përdorimin e planit të të dhënave të iPhone 3G, AT&T kërkon 10$ më shumë në muaj, krahasuar me planin origjinal të modelit 2G. Prapëseprapë përdoruesit mbesin të mahnitur nga vetë iPhone, por shërbimi mjerisht zbeh eksperiencën. Për shembull, në një koment të postuar te faqja për lajme teknologjike GigaOM, përdoruesi Len Fischer shkruan: “Në përgjithësi e adhuroj pajisjen, por shërbimi 3G mund të ishte më i mirë. Kam ndjenjën se AT&T është ende duke rregulluar rrjetin 3G, por ata nuk duhet të na detyrojnë të paguajmë më shumë, në bazë përqindjesh, për një shërbim që nuk ka ndonjë përmirësim të madh apo që mbetet i paqëndrueshëm.”

Testimet joformale
“Ndryshueshmëria” është fjala kyçe këtu. Shpejtësitë e të dhënave që pashë gjatë përdorimit të celularit iPhone 3G në testimet e bëra në Chicago, Dallas, New York, Pittsburgh dhe San Francisco, janë larg asaj që pretendon AT&T. Ende më mbetet të thyej shpejtësinë prej 600 kbps, duke përdorur iPhone. Zakonisht kam kapur një mesatare prej 300 kbps. 1.4 mbps që mund të sjellë rrjeti 3G, sigurisht që do të mund t’i ofrohej shpejtësisë të ngjashme me Wi-Fi, që ka
premtuar Steve Jobs në qershor, kur ka prezantuar pajisjen. Performanca Wi-Fi e iPhone mund edhe të kapërcejë 1.4 mbps. Kam përjetuar mbi 1.6 mbps duke përdorur iPhone në një “HotSpot” të T-Mobile, në një lokal të një aeroporti. Në një pjesë të “Long Island” që ishte e shënuar si përkrahëse për 3G mbi hartat e mbulimit të AT&T, munda të marr një mesatare prej 200 kbps, përafërsisht një barazim me atë që kam arritur në atë ambient duke përdorur EDGE. Asnjëherë celulari nuk arriti 400 kbps. (Për të matur performancën e bandwidth, në të gjitha testimet kam përdorur inetworktest.com.) Më vonë, kompania tha se teknikët e rrjetit të saj kanë bërë disa përmirësime, kështu që performanca do të duhej të ishte përmirësuar. Në San Francisco kisha një mesatare prej 325 kbps, prapë larg nga shpejtësitë e zakonshme 3G që pretendon AT&T. Lajmi i mirë? Kjo performancë ishte më shumë se dyfishi i performancës së EDGE në të njëjtën zonë. Eksperienca ime në San Francisco nuk kishte dallim nga ajo e njerëzve të tjerë, në pjesë tjera të vendit. “Në Nju Jork kam zbuluar se kudo ka shpejtësi 3G”, tregon një komentues në Macworld.com. Dhe blogeri, Om Malik nga GigaOM zbulon se shpejtësitë janë veçse pakëz më mirë nga rrjeti i vjetër EDGE.

Çështjet e rrjetit
Megjithëse shpejtësitë dallojnë, është e arsyeshme të prisni nga performanca e transmetim/marrjes 3G të jetë më mirë sesa performanca në EDGE. Në disa zona, transferta e të dhënave 3G me celularin tim iPhone ishte dy deri tri herë më e shpejtë sesa në rrjetin EDGE të AT&T. Sa është i lidhur ndryshimi i performancës me rrjetet përkatëse të AT&T (kompania thotë se deri më tani ofron qasje 3G në 305 zona metroje) dhe sa mund t’i adresohet vetë celularit iPhone, mbetet ende e paqartë. Raportet e reja, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, të pakonfirmuara nga Apple dhe AT&T, drejtojnë
gishtin te një çështje që ka të bëjë me çipin Infineon 3G, të vendosur në këtë celular. Apple ka përmirësuar mjaft mirë softuerin që kur ka dalë pajisja në shtije dhe do ta bëjë këtë përsëri në momentin që një arnim është gati .

 

Lajmet e fundit>