Biznes

IPKO në 2011, mbi 70 milionë euro të hyra

Mar 21 2012
0 Shpërndarje
IPKO në 2011, mbi 70 milionë euro të hyra

Ipko 1Drejtori ekzekutiv i IPKO-s, Robert Erzin, tha se kompania të cilën e drejton ai, viteve të fundit ka arritur që t’i ketë rreth 450 mijë konsumatorë aktivë në telefoni mobile, 72 mijë në internet, 67 mijë në televizion kabllor digjital, dhe rreth 5.000 në telefoni fikse.

“Mund të themi se viti 2012 ka qenë një vit i suksesshëm për neve, si në pjesën e zgjerimit të kapaciteteve teknologjike, ashtu edhe në rezultatet komerciale në operimet e biznesit. Si pjesë e telekomit slloven, ne konsiderohemi si kompania më e rëndësishme jashtë Sllovenisë dhe këtë e kemi dëshmuar edhe me rezultatet financiare gjatë vitit të kaluar”, tha Erzin.

Sipas tij, IPKO planifikon të rrisë të gjithë indikatorët financiarë për vitin 2012, si rritja e të hyrave të përgjithshme, EBITDA, dhe investimeve kapitale, nga 11.4 milionë në 2011, në 18.4 milionë euro për vitin 2012. Po ashtu planifikon trendin e rritjes së numrit të përdoruesve në telefoni mobile, internet, televizion digjital dhe telefoni fikse.

Ndërkaq, drejtori financiar i kompanisë, Blerim Pushkolli, ka theksuar se, gjatë vitit 2011, IPKO ka bërë 11.8 milionë euro investime kapitale, krahasuar me vitin 2010, kur kompania kishte investuar 9 milionë euro për zgjerimin e kapaciteteve të saj të biznesit.

Pushkolli shtoi se të hyrat e kompanisë IPKO gjatë vitit 2011 janë 70.3 milionë euro, ose 5 milionë euro më shumë sesa në vitin 2010, kur kompania kishte gjeneruar 65.7 milionë euro të hyra.

“Kemi një rritje të madhe të të hyrave që nga 7 milionë në fund të vitit 2007, kemi mbi 45 milionë të hyra në vitin 2008 dhe vazhdimisht duke ofruar në treg shërbimet më kualitative e po ashtu me çmimet më atraktive. Kemi arritur të rrisim të hyrat vazhdimisht, duke përfunduar në vitin 2010, me mbi 65 milionë, ndërsa në vitin 2011 mbi 70 milionë të hyra. Të gjitha këto të hyra janë shfrytëzuar në mënyrë efikase për të mbuluar shpenzimet operacionale në kompani dhe gjithashtu edhe për shpenzimet kapitale”, u shpreh Pushkolli.

Sipas të dhënave të kompanisë, pjesëmarrja e tregut sipas shërbimeve të kompanisë IPKO, del të jetë, televizion Kabllor Digjital 57 për qind e tregut, Internet 51 për qind , Telefoni Mobile 25 për qind dhe Telefoni Fikse 5.5 për qind e tregut.

Në konferencë po ashtu u tha se për vitin 2012, IPKO synon që të mbajë pozitën e saj dominuese në treg me produkte dhe shërbime të reja, si dhe të ofrojë shërbime me vlerë të shtuar për konsumatorët e saj ekzistues dhe ata potencial. (PCWorld Albanian)

Tags >

ipko
Lajmet e fundit>