Lajmet

IPKO pranon të rinj për zhvillim profesional

Jun 18 2010
0 Shpërndarje
IPKO pranon të rinj për zhvillim profesional

Tetëmbëdhjetë të rinj kosovar të cilët kanë qenë të regjistruar në Qendrat e Punësimit Rajonal kanë përfituar drejtpërdrejt nga projekti BE KOSVET VI, i cili menaxhohet nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, përmes të cilit ata janë pranuar për tre muaj në IPKO, me mundësi të mira për zhvillim profesional dhe punë afat-gjatë në këtë kompani.

IPKO është kompania e parë kosovare e cila ka pranuar të rinjtë kosovar, për të lehtësuar punësimin e punëkërkuesve përmes këtij projekti, i cili iu kushtohet veçanërisht të rinjve të cilët për një kohë të gjatë janë të papunë, duke përfshirë këtu edhe personat të cilët kanë vështirësi të caktuara për gjetjen e një vendi pune (personat me aftësi të kufizuara, banorët e zonave rurale dhe pakicat etnike).

Të gjithë personat e pranuar në IPKO për periudhë tre-mujore do të trajnohen bazuar në modelin “trajnim duke punuar”, ndërsa do të mësojnë detyra të caktuara gjatë punës përkrah punëtorëve të shitjes apo kujdesit për konsumator, brenda kompanisë IPKO.   

Projekti i BE’së KOSVET VI, bën një kontribut të vogël financiar për të trajnuarit gjatë periudhës së trajnimit e cila zgjat 3 muaj, ndërsa IPKO u ofron atyre mundësinë e mirë për krijimin e një përvoje të vlefshme në industrinë e telekomunikacionit, e cila do tu ndihmojë atyre për zhvillim dhe mundësi për karrierë profesionale.

Në anën tjetër, IPKO sot punëson më shumë se 510 punëtorë në tërë Kosovën, duke mos përfshirë edhe punëtorët e kontraktuar, dhe furnitorët e jashtëm të kompanisë, me të cilët numri i të punësuarve në kompani është shumë më i madh.

IPKO gjithashtu ofron edhe programe trajnimi dhe përfitime të tjera shtesë për zhvillim personal dhe profesional për të punësuarit e saj, duke synuar kështu që të gjithë të punësuarit e saj të jenë të kompensuar financiarisht, të mbrojtur, të shëndetshëm dhe të motivuar për karrierë dhe rezultate profesionale.

Lajmet e fundit>