Lajmet

Ipko dhe Digitalb sjellin HD për kosovarët

Dec 22 2010
0 Shpërndarje
Ipko dhe Digitalb sjellin HD për kosovarët

Në konferencën për media të organizuar nga IPKO dhe Digitalb, ishin të pranishëm një numër i madh i gazetarëve, ndërsa përball tyre ishin Alban Kastrati, Drejtues i Marrëdhënieve me Publikun pranë IPKO, Xhimi Tugu, Menaxher i Rrjeteve Kabllore pranë Digitalb, dhe Ilir Istrefi, Zhvillues i Produkteve dhe Shërbimeve pranë IPKO.

Në fjalimin e tij hyrës z. Kastrati bëri prezantimin e risisë për tregun e Kosovës, përkatësisht sjelljen e teknologjisë së kualitetit të lartë HD përmes rrjetit kabllor të IPKO-së. “IPKO dhe Digitalb po sjellin diçka të shumëkërkuar nga konsumatorët tanë, qofshin ata ekzistues apo potencial, dhe në këtë mënyrë të gjitha familjet kosovare që tani posedojnë TV HD, mund të pajisjen me njërën prej tri pakove që i kemi lansuar sot, dhe të cilat përmbajnë gjashtë kanale të kualitetit HD”, u shpreh z. Kastrati. “Pa dashur të hyjë në detaje më duhet të them se industria televizive po ndryshon njëherë e përgjithmonë, teknologjia më e fundit që është në botë po arrin edhe në Kosovë dhe kjo natyrisht përmes gjashtë kanaleve HD, e të cilat në ndërkohë do të shtohen dhe do të plotësojnë të gjitha kërkesat dhe preferencat e konsumatorëve tanë që i kemi hasur deri më tani”.

Xhimi Tugu, Menaxher i Rrjeteve Kabllore pranë Digitalb, u shpreh se kompania Digitalb përmes gjashtë kanaleve HD është përpjekur që të fus të gjithë gamën e programeve nga të gjitha grupmoshat, shijet dhe interesat e publikut, duke i përzier ato në mënyrë të bukur me programe shqiptare si “E Diell” apo “Portokalli” nga Top Channel, dhe gjithashtu duke ofruar edhe transmetime HD të ndeshjeve sportive përmes kanaleve përkatëse të definicionit të lartëIPKO HD. “Publiku më në fund do të ketë mundësi që atë pajisjen televizive që e ka blerë, tani ta shfrytëzojë maksimalisht, duke parë jo vetëm evente sportive por edhe të gjitha eventet që transmetohen në gjashtë kanalet HD” theksoi z. Tugu. “Shumë shpejt do të shtohen edhe 3 kanale tjera, ekskluzivisht për rrjetin kabllor IPKO, të cilat do të jenë kanale që do të transmetojnë evente nëpërmjet komentatorëve nga SuperSport Kosova dhe më pas këto kanale do të shtohen në të njëjtën linjë me çmimin e tyre në platformat e Digitalb”.

Ilir Istrefi, zhvillues i produkteve dhe shërbimeve pranë IPKO bëri një prezantim të detajuar të asaj se çfarë do të sjellë IPKO HD, cilat kanale do të jenë në ofertë, çmimet dhe llojet e pakove etj. Sipas tij konsumatori për të shijuar këtë teknologji duhet të ketë një pajisje televizive të gatshme për HD, një marrës HD dhe një kabllo HDMI. “Pakot HD janë pako me abonim për një periudhë prej 6 muajsh apo 12 muajsh, dhe përfshijnë një numër prej 98 kanalesh”, theksoi z. Istrefi.

Pakot që mund të kërkohen nga konsumatori janë pako Premium HD që ofron 98 kanale, pako DUO Premium HD që sjellë 98 kanale dhe internet për 2 PC (shpejtësi 1Mbps), dhe pako Trio Premium HD që sjellë 98 kanale, pako të internetit 3 (2PC me shpejtësi interneti prej 2Mbps) si dhe telefoni fikse. E veçanta e pakos së tretë do të jetë edhe përfitimi i 10 eurove mbushje.

Premium HD është pako e cila përmban 98 kanale (mbi 84 TV kanale të pakos aktuale Premium, përfshirë edhe tetë kanalet e Supersport dhe të gjitha kanalet e reja në formatin HD).

Ndërsa, DUO Premium HD përfshin të gjitha kanalet e pakos Premium, kanalet në formatin HD, si dhe lidhje të Internetit 1 Mpbs, për dy kompjuterë.

Në anën tjetër, TRIO Premium HD përmban të gjitha kanalet e pakos Premium, kanalet HD, lidhje për 2 kompjuterë me nga 2 Mbps shpejtësi të internetit, si dhe telefoninë fikse me çmimet më të lira për thirrje ndërkombëtare, plus 10 € mbushje. Pakot e televizionit digjital me formatin e ri HD mund të blihen për periudhë kohore gjashtë ose 12 mujore.

Kanalet HD që ofrohen prej sot e tutje në kuadër të këtyre pakove janë: HD1, HD2, HD3, Supersport HD 1, SuperSport HD2 dhe National Geographic HD, ndërsa çmimet për marrësin digjital HD do të dallojnë varësisht prej pakos së abonimit.

Të gjithë ata konsumatorë ekzistues që kanë kontratë me IPKO dhe dëshirojnë të kalojnë në teknologjinë e re, mund ta kthejnë marrësin e vjetër dhe të fitojnë një zbritje prej 20 euro për të marrë marrësin e ri digjital HD. Klienti që dëshiron të konvertojë një pako Premium apo Duo Premium me një afat kontrate prej 1 deri në 5 muaj, duke pasur parasysh se ka pranuar të kthejë marrësin e vjetër, duhet të paguaj 10 euro për konvertim të abonimit dhe 39.95 euro për blerjen e marrësit të ri HD, e që në total i bie 49.95 euro. Ata që kanë pako Premium apo Duo Premium me afat kontrate mbi 5 muaj, duhet të paguajnë 39.95 euro për të marrë marrësin e ri HD.

Marrësi Digjital është i prodhuar nga Kaon, i njëjti që ka prodhuar edhe marrësin për pakot standarde televizive, ndërsa tani marrësi mban një ngjyrë të zezë dhe ofron opsione të shumta për të përkrahur teknologjinë HD dhe për të sjellë më të mirën në shtëpinë e konsumatorëve të rrjetit kabllor të IPKO-së. 

Çmimet e detajuara të këtyre pakove mund t’i shikoni më poshtë:

Momentalisht IPKO ka sot të instaluara rreth 240.000 porte fikse në tërë Kosovën, ku fiks nënkupton që e njëjta kabllo ofron telefoninë fikse, televizionin digjital dhe internetin, ndërsa 1/3 prej tyre është aktive në përdorim gjatë një muaji. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>