Lajmet

Ish-Ministri i Financave Ahmetaj: 5% tatim mbi fitimin për kompanitë e softuerit

Jun 2 2017
0 Shpërndarje
Ahmetaj vuri theksin tek rëndësia që bartin prodhimet në teknologji dhe si pasojë rritjen ekonomike që pritet të nxisin. Ish-Ministri i Financave Ahmetaj: 5% tatim mbi fitimin për kompanitë e softuerit Photo Source: Top-Channel

Ish-Ministri i Financave Arben Ahmetaj mbrëmjen e së Enjtes i ftuar në emisionin Top Story të Sokol Ballës erdhi me një premtim ambicioz për kompanitë teknologjike dhe prodhimet e tyre.

Duke folur për ekonominë shqiptare, krizën, bizneset dhe rritjen ekonomike, në një pjesë të bisedës z. Ahmetaj vuri theksin tek rëndësia që bartin prodhimet në teknologji dhe si pasojë rritjen ekonomike që pritet të nxisin.

Ai tha se tatimi mbi fitimin për kompanitë të cilat prodhojnë softuerë apo një zgjidhje teknologjike do të jetë vetëm 5%.

“5% për tatimin mbi fitimin për kompanitë e teknologjisë së informacionit. E kemi fjalën për kompanitë e softuerit. Duam të tërheqim kompani softuerësh,” tha ish-Ministri Ahmetaj në Top Story.

Ai theksoi se kishte pasur edhe një bisedë me disa kompani dhe se kishte pasur një reflektim nga disa prej tyre.

“Ne mendojmë se mund të na funksionojë, ne mendojmë se po bëjmë një përpjekje për të afruar kompani me një vlerë të shtuar më të madhe në ekonomi,” vijoi z. Ahmetaj.

Aktualisht tatimi mbi fitimin në Shqipëri për subjektet të cilat tregtojnë dhe gjenerojnë të ardhura në Shqipëri është një normë mesatare 15%.

Një tatim tre herët më i ulët sesa mesatarja e tatimit për çdo kompani të tjetër jo vetëm që do të joshte kompanitë e huaja por edhe të nxistë kompani të reja në këtë sektor.

Në Shtetet e Bashkuara është provuar se çdo punësim në sektorin e teknologjisë gjeneron të paktën pesë vende të reja pune në sektorë të tjerë.

Por praktika të ngjashme nuk janë të panjohura. Irlanda, një vend anëtar i BE-së njihet ndryshe si parajsa fiskale e kompanive të teknologjisë. Duke zeruar pothuajse plotësisht tatimin mbi fitimin, ajo është shndërruar në shtëpinë e shumë kompanive teknologjike të huaja që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Evropë. A do të ketë Shqipëria të njëjtin fat kur ti bashkohet BE-së? /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>