Analiza

Ja cilat janë 5 arsyet pse njerëzit mendohen para se të publikojnë diçka në Facebook

Dec 20 2013
0 Shpërndarje
Ja cilat janë 5 arsyet pse njerëzit mendohen para se të publikojnë diçka në Facebook

status  fbTë gjithëve na ka ndodhur që të fillojmë të shkruajmë diçka në Facebook si për shembull një kritikë ndaj qeverisë ose ndaj një shërbimi aspak të kënaqshëm dhe para se të klikojmë butonin “posto” ndryshojmë mendim dhe përfundojmë duke fshirë gjithçka që kishim shkruajtur.

Sipas një studimi të fundit në Facebook, ky veprim i quajtur “vetëcensurim” ndodh gjithmonë.

Në fakt, rreth 71% e 3.9 milion përdoruesve të studiuar censurojnë postimet e tyre, që do të thotë se shtypin të paktën 5 karaktere para se të vendosin që nuk do të postojnë atë që kanë shkruajtur.

(Ata që janë të shqetësuar për privatësinë duhet të kenë parasysh se studiuesit kanë monitoruar vetëm numrin e karaktereve të shtypura dhe nëse mesazhi është publikuar ose jo, por nuk kanë monitoruar vetë përmbajtjen e postimit.)

Në përgjithësi, 33% e postimeve të shkruara gjatë studimit 17-ditor janë vetëcensuruar.

Pse përdoruesit e Facebook-ut janë kaq të ndrojtur për t’u shprehur? Autorët e studimit, Sauvik Das nga Universiteti Carnegie Mellon dhe Adam Kramer, shkencëtar të dhënash në Facebook, përcaktuan këto arsye kryesore:

1- Njerëzit nuk duan të nxisin ose të vazhdojnë një argument sepse debatet në Facebook nuk janë të këndshme për askënd.

2- Përdoruesit gjithashtu nuk duan “të ofendojnë të tjerët” prandaj zgjedhin të mos shprehin interesat personale politike. Sipas studimit, përdoruesit përfundojnë duke publikuar materiale që janë të përshtatshme për çdo rreth shoqëror të përdoruesve.

3- Njerëzit nuk duan të “bezdisin” miqtë e tyre.

4- Përdoruesit gjithashtu hezitojnë të publikojnë përmbajtje që ata mendojnë se nuk përputhet me profilin që ata prezantojnë.

5- Përdoruesit neglizhojnë të postojnë si rezultat i “kufizimeve teknologjike”, si për shembull në ato raste kur publikimi vështirësohet për shkak të përdorimit të aplikacionit mobil.

Rezltatet e studimit zbuluan se të rinjtë, të cilët zakonisht kritikohen për shkak të numrit të madh të postimeve, në të vërtetë tregohen më të kujdesshëm se të rriturit kur bëhet fjalë për publikimin e një materiali apo statusi të caktuar. (E anasjellta është e vërtetë në ato raste kur përdoruesit komentojnë në postime që tashmë ekzistojnë.)

Në përgjithësi, meshkujt censurojnë veten më shpesh se femrat sidomos kur në listën e tyre të miqve pjesa më e madhe janë meshkuj.

Ndërkohë është vënë re se ata përdorues që kanë një rreth të ngushtë shoqëror ku shumica e miqve njohin shokët e njëri-tjetrit, ndjehen më të lirë për t’u shprehur ashtu si duan në statuset që përditësojnë, ndryshe nga ata persona që në grupin e tyre shoqëror përfshijnë miq të moshave dhe interesave të ndryshme.

Përsa i përket atyre postimeve që nuk janë aspak të këndshme dhe të kontrolluara mjafton të “mos ndiqni” (unfollow) personin përkatës dhe gjithçka është në rregull. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>