Lajmet

Ja disa këshilla të ofruara nga McAfee për sigurinë e fjalëkalimit tuaj

May 8 2013
0 Shpërndarje
Ja disa këshilla të ofruara nga McAfee për sigurinë e fjalëkalimit tuaj

Si mund të krijojmë një fjalëkalim të sigurt, por që njëkohësisht është i lehtë për tu kujtuar? Kjo është një nga sfidat me të cilën të gjithë përballemi. Për të ndihmuar në vendimin e përdoruesve McAfee ka ofruar disa këshilla.

Para se të kalojmë te këshillat është mirë që përdoruesit të matin sigurinë e fjalëkalimit të tyre. Një prej mënyrave është testimi në faqen e Intel.

Mjafton që të vendosni fjalëkalimin tuaj dy herë dhe rezultati do të jetë koha e nevojshme (në sekonda, minuta dhe orë)për të hakuar atë fjalëkalim. Është e këshillueshme që në këtë faqe të mos vendosni fjalëkalimin aktual që jeni duke përdorur por një fjalëkalim që doni ta përdorni më vonë.

Disa prej këshillave të McAffe janë:

· Përdorni fjalëkalime të ndryshme për llogari të ndryshme si p.sh për llogarinë bankare, adresën e e-mailit apo llogaritë nëpër rrjetet sociale.

· Një fjalëkalim i sigurt përbëhet nga një kombinim shkronjash, numrash apo simbolesh. Megjithatë nuk është e nevojshme që të vendosni një fjalëkalim të rastësishëm që ndoshta nuk do e mbani mend më vonë. McAffe përdor si shembull “My 1st Password” i cili tingëllon si një fjalëkalim lehtësisht i hakueshëm, por faqja e Intel-it zbuloi se për të hakuar këtë fjalëkalim do të duhen disa muaj.

· Sapo të keni gjetur një fjalëkalim me shkronja, numra dhe simbole atëherë për të mos e harruar vendosni një simbol ose shkronjë në fund për çdo faqe që do e përdorni si p.sh për në Facebook mund të përdorni “My 1st Password!:FB”, ndërsa për në Twitter mund të përdorni “My 1st Password!:Twtr”.

· Që një fjalëkalim të jetë i sigurt nuk është me patjetër e nevojshme që të jetë shumë kompleks. Zakonisht fjalëkalimet e gjata që janë edhe më të lehta për tu kujtuar janë shumë herë më të sigurt. Për të hakuar një fjalëkalim si “XF1&tmb” do të duheshin vetëm 6 minuta, ndërkohë që për të hakuar “The-shining-sea” do të duheshin rreth 48 vjet.

Gjithashtu është e këshillueshme që të përdoren “password manager” pasi realizojnë gjithçka duke nisur që nga krijimi, ruajtja dhe vendosja automatike e fjalëkalimit në çdo faqe ueb. Dy “password manager” të këshillueshëm janë RoboForm dhe LastPass. (PCWorld Albanian)

password

Tags >

siguri
Lajmet e fundit>