Lajmet

Ja pse aplikacionet më interesante vonojnë kaq shumë për Android

Mar 10 2013
0 Shpërndarje
Ja pse aplikacionet më interesante vonojnë kaq shumë për Android

Edhe pse aktualisht në botë ka më tepër smartfonë me Android sesa iPhone, shpeshherë aplikacionet më të bukura mungojnë për platformën më të përdorur në botë.

Në pjesën më të madhe të kohës, janë përdoruesit e iPhone ata që marrin të parët aplikacionet më interesante, ndërkohë që përdoruesit e Android-it duhet të presin zakonisht disa muaj (Instagram dhe Pinterest u lançuan një vit më vonë për Android).

Për të shpjeguar këtë konstatim, Flurry, një firmë që analizon tregun mobile, ka përgatitur një raport. Në të thuhet midis të tjerash se, zhvilluesit e vegjël të aplikacioneve, e kanë pothuajse të pamundur për të kapur ritmin e aplikacioneve më të preferuara.

Që një zhvillues aplikacionesh të marrë një pagesë të kënaqshme për të jetuar mirë, duhet që aplikacioni i tij të shitet 50 herë në orë, gjatë 24 orëve të ditës, për 1 $, shprehet Johan Emil Johansson, zhvillues suedez. Versionet e reja të aplikacioneve kushtojnë shumë për t’u ndërtuar, veçanërisht kur programuesi duhet të marrë parasysh variacionin e madh të pajisjeve.

Nëse zhvilluesit dëshirojnë t’i bëjnë të disponueshme aplikacionet e tyre në 90% të pajisjeve, ata duhet t’i testojnë dhe optimizojnë ato për 331 modele të ndryshme smartfonësh dhe tabletësh.

Nëse do të kënaqeshin vetëm me mbulimin e 50% të pajisjeve në përdorim, do t’u duhej të përgatisnin versione për 18 modele të ndryshme. Por kompleksiteti nuk përfundon këtu; zhvilluesit duhet t’i përshtasin aplikacionet edhe për sisteme të ndryshme operimi.

Për shembull, iPhone 4 mund të operojë me iOS 4, iOS 5 ose iOS 6. Por, iOS përfaqëson një numër më të vogël kombinimesh telefon – sistem operativ, krahasuar me Android. Më pak kombinime do të thotë më pak punë për zhvilluesit.

A është Android me të vërtet falas dhe i hapur

Flurry ka dalë edhe një përfundim tjetër që vlerëson si një nga arsyet pse zhvilluesit tentojnë fillimisht iOS: përdoruesit e iOS kanë më tepër shanse për t’i përdorur aplikacionet më shpesh sesa ata të Android.

Me pak fjalë, llogaritet se një përdorues iPhone vlen sa 14 përdorues Android-i (bazuar në frekuencën me të cilën përdorin një aplikacion). (PCWorld Albanian)

android app

Lajmet e fundit>