Lajmet

Ja se si do të jetë bota horror e krijuar nga Google Glasses

Jul 27 2012
0 Shpërndarje
Ja se si do të jetë bota horror e krijuar nga Google Glasses

Syzet më të fundit të Google, të referuara shpesh si ‘zgjeruese të realitetit’, mund të jenë vërtetë një arritje e fuqishme për kompaninë, por në të njëjtën kohë mund të ngrenë edhe disa çështje vërtetë alarmuese në botë.

Për shumë analistë, ajo çka ato mund të sjellin shihet si e frikshme. Në Konferencën Google I/O të muajit të kaluar u prezantuan publikisht syzet, të cilat mund të përdoren gjatë gjithë kohës e që quhen Google Glass. Ato lidhen me internetin dhe çdo informacion të marrë përmes pamjeve e deshifrojnë dhe i shfaqin përdoruesit të dhëna shtesë që ai kërkon të dijë.

Por ku qëndron problemi? Dihet botërisht se Google është një nga kompanitë që operon më tepër me reklamat dhe është mjeshtër në këtë fushë. Megjithatë, ata nuk janë të kënaqur me këtë ‘sferë influence kaq të kufizuar’. Google ka filluar prej kohësh të konceptojë në mënyrë digjitale pothuajse çdo objekt të jetës reale, pra duke i numëruar, lokalizuar, kataloguar dhe analizuar ato.

Në këtë mënyrë, Google u bë gjiganti i motorëve të kërkimit. Mos ndoshta ata janë në kërkim të epokës së dytë të artë, duke i bërë të kërkueshme të gjitha objektet e botes reale?

Syzet Google Glass i ngjajnë atyre të leximit, përveç faktit se lentet e holla janë të vendosura mbi njërin sy. Është pak a shumë si një mini-ekran i vogël kompjuteri. Përmes këtyre lenteve transmetohen të dhëna dhe imazhe duke dërguar mesazhe, video, harta dhe gjithçka tjetër që mund të transmetohet përmes një Ueb serveri.

Google Glass shoqërohet edhe nga një smartfon i pajisur me kamera, mikrofon, një shfletues interneti dhe mjete për deshifrimin e fjalëve. Psh. përdoruesi mund të kërkojë një destinacion të caktuar duke e shprehur atë me fjalë, syzet e marrin si komandë, kërkojnë në internet për rrugën se si shkohet dhe shfaqin pika të ndryshme si dyqane, bare etj. përgjatë rrugës.

Por jo vetëm kaq. Syzet mund të udhëzojnë përdoruesin edhe si të japë ndihmë mjekësore në raste emergjente së bashku me video demonstruese për pompa në zemër, madje edhe komunikim në kohë reale me një mjek.

Të gjitha këto opsione duken shumë interesante në pamje të parë por a duhet të shqetësohemi se ku shkojnë gjithë këto të dhëna që merren përmes syzeve? Meqënëse Google Glass qëndron gjatë gjithë kohës në internet, është shumë e lehtë të dihen në kohë reale informacione si psh. çfarë po sheh përdoruesi, ku ndodhet ai, çfarë po bën e çfarë po dëgjon. Që tani, Google ka qënë shumë frytëdhënëse në mbledhjen e informacionit të përdoruesve të saj përmes internetit (duke përdorur cookies) dhe targetimin e tyre për t’u shfaqur më pas reklama të ndryshme.

A mund të ndodhë e njëjta gjë edhe me Google Glass? A mundet që Google të analizojë çdo lëvizjen tonë në realitet? Kjo do të ishte ëndrra e çdo tregtari dhe mankthi i çdo konsumatori…

Një rast i thjeshtë për të bërë një paralelizëm do të ishte ky: ne dalim çdo ditë nga shtëpia dhe shohim përreth. Në momente të ndryshme fiksojmë shikimin pas objekteve të ndryshme. Me këto të dhëna, Google mund të formonte një hartë të objekteve që kemi parë e më pas të na shfaqte reklama lidhur me to. Ndoshta një ditë mund të llogariste edhe shpejtësinë me të cilën e kthejmë kokën për të parë diçka. Të kapurit e këtyre llojeve të të dhënave është si një lloj fantazie për tregtarët sepse është shumë e thjeshtë të bëhet me pas segmentimi i tregut.

Reklamat do t’i përshtateshin totalisht përdoruesit të syzeve sepse shpërndarja e tyre do të ishte bërë bazuar në analizën e preferencave reale të tij. Poashtu, mund të targetoheshin konsumatorët në varësi të vendndodhjes së tyre. Psh. Google Glass mund të shfaqë një mesazh sa herë një përdorues kalon para një bari të caktuar me kafe dhe pije freskuese, duke përdorur GPS.

Përveç këtyre ekziston edhe opsioni i identifikimit të fytyrës. Kjo lloj teknologjie po krijon mjaft probleme që tani që mund të themi se nuk është shumë e përhapur dhe përdoret vetëm për foto dhe video. Por imagjinoni Google Glass, që lidhet me serverin gjatë gjithë kohës dhe i transmeton atij të dhëna. Identifikimi i fytyrave do të ndodhte psh. për një grumbull njerëzish dhe sipër tyre të shihje se cilët janë miq të miqve tuaj në Google+. Sigurisht që ka aplikacione që e realizojnë edhe tani këtë proces, por me Google Glass do të ishte më e thjeshtë e më e shpejt. Ndoshta nuk do të ishte aq problematike sikur të kishte vetëm një numër të vogël njerëzish që do t’i përdornin në çdo qytet. Por a e paramendoni botën nëse kjo pajisje do të ishte aq e përhapur sa iPhone sot? Gjithçka do të vëzhgohej 24 orë në ditë dhe jeta jonë do të kthehej në një Big Brother.

Sipas kushteve të privatësisë që ka aktualisht Google, këto të dhëna (audio dhe imazhe) nuk do të ishin pronë e personit që përdor syzet dhe kompania mund t’i përdorte ato për çfarëdo lloj qëllimi që dëshiron. Po sikur këto të dhëna të binin në duar të gabuara dhe bota të përfshihej nga tragjedi edhe më të mëdha se ato të 11 shtatorit në ShBA dhe këto krime të kryheshin nga vetë personat e një vendi përmes manipulimit të të dhënave?

Nga ana tjetër, qeveria mund të nxjerrë ligje për të ju qasur këtyre të dhënave në çdo moment dhe e imagjinoni një botë të vëzhguar në çdo çast? Sigurisht për shtetin nuk do të kishte mjet më të mirë përgjimi sesa një grup njerëzish të thjeshtë që ecin rrugëve të qytetit dhe përmes ‘syve’ të tyre transmetojnë gjithçka shohin. Pa dyshim që këto janë skenarë të tmerrshëm por që sigurisht, jo të pamundur.

Përgjigjja nuk është që të ndalohet çdo gjë e keqe që vjen nga pajisje të tilla. Shumë risi që sjell Google Glass janë të pamohueshme por shpeshherë ato nuk duhet të shpërndahen për publikun e në asnjë mënyrë të përdoren si mjet fitimprurës.

Në fund të fundit, është në dorë të ne konsumatorëve të identifikojnë produktet e ‘rrezikshme’ dhe ato që cenojnë rëndë privatësinë duke i vënë në dijeni krijuesit e tyre për problemet që shkaktojnë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>