Siguri

Ja sesi vidhet iPhone 4 në Prishtinë

Apr 21 2011
0 Shpërndarje
Ja sesi vidhet iPhone 4 në Prishtinë

Në një video të publikuar në YouTube e titulluar “Vjedhje në Mobi Shop – Sopi Prishtinë” ka nxitur reagime të një audience shqiptare në këtë rrjet për shpërndarje të videove. Në atë video shihen dy vajza duke u futur në një dyqan të telefonave mobil në Prishtinë “Mobi Shop – Sopi”, dhe duke u afruar aty kinse për të shikuar celularët e ekspozuar.

Më pas një prej tyre siç duket tenton të habis shitësin, kurse tjetra në prapaskenë hap raftet e një dollapi që mban të ekspozuar celularë të rinj dhe prej aty shikon një iPhone 4 të cilin pa një pa dy e bënë në pronësi të veten. Më pas ato largohen qetësisht nga dyqani.

Nga videoja që është publikuar siç duket nga pronari i dyqanit, shihen qartë fytyrat e vajzave që kanë kryer vjedhjen, ndërsa disa prej komentuesve në rrjetin YouTube kanë shkruar se njohin njërën prej tyre. Padyshim që policia është duke hetuar rastin dhe do të sjell para organeve kompetente dy vajzat që kryen këtë krim.

Ky nuk është rasti i parë që hajdutët e dyqaneve të Prishtinës prezantohen në YouTube. Kohë më parë një dyqan i rrobave, gjithashtu në Prishtinë ka postuar në YouTube një video ku shihen disa vajza duke vjedhur rroba nga ky dyqan. E më pas edhe një dyqan tjetër në Vushtri pati postuar në YouTube një video tjetër ku shihen dy persona duke vjedhur laptop dhe duke i fshehur në rrobat e tyre.

Mesa duket pronarët e dyqaneve kanë zgjedhur këtë formë për të bërë “për pesë pare” hajdutet dhe për t’iu treguar të gjithëve se nga kush duhet të ruhen. Natyrisht kamerat e sigurisë edhe njëherë dëshmojnë në këtë rast se janë të domosdoshme për secilin biznes kurse në anën tjetër janë edhe ndihmës për autoritetet policore dhe për prokurorinë e shtetit të Kosovës. Videon mund ta shikoni mëposhtë. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>