Ja se si

Jepini harduerit tuaj jetë të re me përditësimin e firmuerit

Mar 26 2010
0 Shpërndarje
Jepini harduerit tuaj jetë të re me përditësimin e firmuerit

Përdorni fjalën firmuer me përdoruesin mesatar dhe ka shumë mundësi që të merrni një vështrim të zbrazët për përgjigje. Por koncepti nuk është aq i vështirë për t’u kapur dhe sapo ta keni kuptuar, mund ta përmirësoni PC-në tuaj shumë shpejt si dhe çdo pajisje tjetër, duke e bërë më të shpejtë dhe të qëndrueshëm dhe duke e pajisur me veti të cilat nuk i zotëronte në momentin e blerjes.

Firmueri është një paketë instruksionesh permanente në një pjesë të harduerit, që ruhet në memorien read-only. Është analog me drajverin e trupëzuar dhe i jep harduerit të njëjtin informacion çdo herë që ai ndizet. Ndërkohë që mund të ndryshoni bashkëveprimin e harduerit tuaj me sistemin operativ nëpërmjet drajverëve të programuar, disa funksione të nivelit më të ulët mbeten të njëjta dhe të pandryshuara. Ky është firmueri.
Por megjithëse shpesh konsiderohet si “i pandryshueshëm”, nuk është gjithmonë domosdoshmërisht kështu. Disa firmuerë në PROM-in apo EPOROM-in e pajisjes (programmable read-only memory apo erasable programmable read-only memory) mund të modifikohen apo të flashohen (termi teknik për përditësimin e firmuerit). Kjo kryhet duke ekzekutuar programe nga prodhuesi i pajisjes; programe të tilla ngarkojnë firmuare të reja në pajisje duke zgjeruar setin e opsioneve, jetëgjatësinë apo performancën apo thjesht korrigjojnë probleme të caktuara.

Firmueri nuk është një koncept ekskluzivisht i lidhur me PC-në. Mund (dhe duhet) të përditësoni firmuerin e pajisjeve të jashtme siç janë hub-et e lidhur nëpërmjet rrjetit apo pajisje të jashtme të ruajtjes së të dhënave si dhe router-ë wireless apo media player portabël. Mund të përditësoni edhe firmuerin e telefonit tuaj në varësi të modelit. (Kështu shumë persona përpiqen të hack-ojnë iPhone, kurse Apple përpiqet t’i parandalojë. Përditësimet e firmuerit të Apple i mbivendosen firmuerit të personalizuar që disa persona përdorin për të zhbllokuar pajisjen, duke i ridërguar hacker-at në tryezën e projektimit për të gjetur mënyra të reja zhbllokimi). Produkte të tjera – si konsoli Xbox 360 i Microsoft, që fitoi tipare si mbështetja e HD-së 1080p native dhe një ndërfaqe të re nëpërmjet shkarkimit të vetëm – mundet gjithashtu të përfitojnë nga përditësimi i firmuerit.
Frekuenca e këtyre përditësimeve varion sipas prodhuesit dhe produktit. Megjithëse nuk duhet të prisni përditësime në baza javore, është mirë të kryeni një kërkim për firmuerët e të gjitha harduerëve tuaj të paktën një herë në tremujor. Shpesh prodhuesit theksojnë se duhet të injoroni përditësimet e firmuerit përveçse në rastet kur keni probleme me harduerin tuaj; por ne ju rekomandojmë që të përdorni harduerin tuaj me firmuerin më të ri në dispozicion sepse stabiliteti më i madh (dhe mundësitë për të pasur opsione të reja) ia vlejnë. Përveçse në rast se jeni një ekspert, nuk do të doni të përdorni oferta të palëve të treta si firmuerët e iPhonëve që përmendëm më sipër. Oferta të tilla janë zakonisht më të vështira për t’u instaluar – dhe kanë më shumë mundësi të krijojnë probleme – sesa përditësimet e prodhuesit. Ka shumë mundësi që ato ta bëjnë garancinë të pavlefshme. Përveçse kur dini se ç’po bëni dhe nuk trembeni nga rreziqet, përdorni vetëm firmuerë zyrtarë.

Të mirat e firmuerit të ri
Çfarë mund të përditësoni me një firmuer të ri? Kjo varet nga shumë faktorë. Disa pajisje nuk marrin asnjë përditësim të firmuerit gjatë gjithë ekzistencës së tyre – CPU-të përfitojnë nga përditësimet e bordeve, por nuk janë të përditësueshëm në vetvete. Komponentë si hard disqet apo disqet optike janë të hapura ndaj përditësimeve, por prodhuesit zakonisht nuk nxjerrin diçka të re për to përveçse në rastet kur duhet për të korrigjuar probleme madhore.

Fushën e vërtetë për gjuetinë e firmuerëve të rinj do ta gjeni në tri kategori kryesore: motherboard, pajisje rrjeti dhe pajisje multimediale portative. Por çfarë do të përfitoni me përpjekjen tuaj? Në të tria rastet, përditësimi i firmuerit mund të sjellë stabilitet të munguar dhe tipare të cilat nuk kanë qenë të pranishme që në fillim tek pajisjet tuaja. Mund të rritni potencialin e overclock-ut të motherboard-it tuaj apo të shtoni aftësinë për të shkarkuar dokumente Bit Torrent në pajisjen e ruajtjes  së të dhënave të lidhur me rrjetin apo në rastin e një pajisjeje si Apple iPhone, të përmirësoni kohën e përgjigjes dhe cilësinë e sinjalit të kompanisë së shërbimit. Përditësimet e firmuerit mund të mos e revolucionarizojnë eksperiencën tuaj dixhitale, por do ta përmirësojnë atë dhe janë shpesh të domosdoshme për përditësimin e drajverëve apo për të shtuar kompatibilitetin e një pajisjeje.
Përpara se të shtypni butonin ‘Search’ dhe të kërkoni çdo firmuer që mund të gjeni, është e rëndësishme të shqyrtoni disa pika. Megjithëse përditësimi i firmuerit nuk është i vështirë për t’u bërë, për fillestarët ka potencialin  të shkaktojë dëmtime katastrofike nëse nuk ndiqen saktë instruksionet e prodhuesit. Një përditësim firmueri nuk është si drajveri i një pajisjeje – nuk mund ta instaloni dhe ta riinstaloni sipas dëshirës. Krahasuar me një drajver, të riktheni një instalim të mëparshëm është shumë vështirë nëse ai që sapo kryet ka shkuar keq.
Kontrolloni një herë, dy herë dhe tri herë që firmueri që po merrni është saktësisht ai që ju duhet për pajisjen tuaj. Disa kompani e bëjnë këtë shumë të thjeshtë; p.sh. lidhni iPhonin tuaj me PC-në dhe Apple automatizon të gjithë procesin. Kompani të tjera, si prodhuesit e motherboard-eve, ju bëjnë të endeni nëpër meny të ndryshme për të gjetur numrin specifik serial të produktit tuaj. Pjesa më e madhe e produkteve nuk do t’ju lejojnë të instaloni firmuerin e një produkti tjetër, por në rast se produkti juaj e bën këtë, gjëja e fundit që doni është ta flashoni atë me firmuerin e gabuar.
Në fund fare, përditësimi i firmuerit mund të veprojë si një çelës riseti. Ndërkohë që disa programe ju lejojnë të ruani opsionet tuaja përpara dhe pas përditësimit, një përditësim tipik do të kthejë opsionet tuaja në standardin fillestar të fabrikës. Nëse keni shpenzuar kohë duke vendosur opsione të personalizuara në një pajisje rrjeti për shembull, duhet t’i ruani ato përpara përditësimit të firmuerit. Përveç rastit kur router-i juaj ofron një opsion të ruajtjes së opsioneve, duhet të kopjoni vendosjet tuaja personale (si hapja e porteve, kontrollin e aksesit apo konfigurime të rrjetit wireless) në një dokument teksti.

Flashimi i një firmueri
Se sa e thjeshtë është të flashoni pajisjen tuaj varet nga lloji i saj si dhe nga mirësia e prodhuesit. Këtu kam ilustruar disa skenarë tipikë, por ajo që do të bëni saktësisht varet nga ajo që prodhuesi juaj ofron.
Mënyra më e thjeshtë për të përditësuar firmuerin e motherboard-it tuaj është të përdorni programin e Windows që prodhuesi juaj ofron. Nëse prodhuesi juaj ofron një aplikacion të tillë (dhe kjo nuk ndodh gjithnjë), duhet vetëm të ndiqni instruksionet.
Nëse prodhuesi nuk ju pajis me një program të tillë, mund t’ju ofrojë një CD të boot-ueshme në formën e shkarkimit të një imazhi .iso (një DVD apo CD). Me pak fat, klikimi dy herë i një dokumenti të tillë do hapë automatikisht aplikacionin tuaj të shkrimit të disqeve, i cili do ju kërkojë të futni një CD. Por nëse Windows nuk di ç’të bëjë me një dokument të tillë, mund të shkarkoni programin imgBurn  (find.pcworld.com/61194)  falas dhe më pas të klikoni dy herë mbi dokumentin që shkarkuat.
Rindizni kompjuterin tuaj me CD-në e shkruar dhe tani instalimi i firmuerit duhet të fillojë automatikisht.

Përditësoni firmuerin me një disk USB të boot-ueshëm
Fatkeqësisht, jo të gjithë prodhuesit e bëjnë flashimin kaq të thjeshtë. Disa prej tyre kërkojnë që të përdorni një aplikacion DOS-i të cilin e hapni nga një floppy disk i boot-ueshëm. Pasi ta keni përgatitur floppy-n, rindizni kompjuterin me diskun brenda, kryeni instalimin dhe më pas rindizni kompjuterin sërish dhe këtë radhë hiqni floppy diskun.
Nëse PC-ja juaj është jo më i vjetër se një apo dy vite, ka shumë mundësi që tani po pyesni “çfarë floppy?”. Nëse të shpenzoni para për të blerë një pajisje të jashtme për floppy nuk ju pëlqen shumë si ide, atëherë duhet të bëheni pak krijues dhe të bëni një flash-disk të boot-ueshëm. Për të bërë këtë, merrni programin HP USB Disk Storage Format (find.pcworld.com/63282). Gjithashtu ju duhet të merrni arkivin me file HPUSBFw_BOOTFILES.zip. Duhet ta gjeni atë tek 4shared        (find.pcworld.com/63283). Nëse nuk ndodhet atje, kërkojeni online me këtë emër.
Nxirrni nga arkivi dhe ekzekutoni USB Disk Storage Format (nëse Windows refuzon ta ekzekutojë atë sepse kërkon të drejta administrative, edhe pse keni hyrë në sistem si administrator, klikoni me të djathtën dhe zgjidhni Run as administrator). Zgjidhni flashin tuaj si disku i destinacionit dhe zgjidhni ta formatoni me sistem FAT32. Klikoni kutizën që thotë Create a DOS Bootable Disk dhe zgjidhni folderin që përmban fajlet e arkivit  HPUSBFw_BOOTFILES.zip. Pasi të keni përfunduar procesin, kopjoni në flash edhe fajlet që prodhuesi juaj kërkon të vendosni në “floppy”.
Flashi juaj është gati, por a është PC-ja juaj gati të ndizet nëpërmjet tij? Lini një herë flashin brenda ndërkohë që rindizni sistemin. Nëse Windows shfaqet normalisht, atëherë duhet të udhëzoni PC-në tuaj të ndizet fillimisht nga një pajisje USB. Për të bërë këtë, rindizni PC-në dhe shikoni për një mesazh (do jetë një nga gjërat e para që shfaqet), i cili ju udhëzon se cilin buton të shtypni për menynë e boot-imit apo cilin buton të shtypni për instalim (nëse i shikoni të dyja këto udhëzime, shtypni butonin për menynë e boot-imit). Nëse shfaqet menyja e boot-imit, vendosni që kompjuteri të ndizet nga pajisjet USB. Nëse ju shfaqet menyja e instalimit, kërkoni për një seksion që quhet Boot Options apo Boot Order; Aty siguroni që pajisjet USB të jenë vendosur përpara të tjerave në renditjen e ndezjes. Ruani opsionet dhe rindizni.
Kur ndizni nga flash-disku, shikoni ekranin; mund t’ju duhet të shtypni një buton për të aktivizuar ndezjen nga pajisjet USB.

Përditësimet e pajisjeve të rrjetit dhe ato mobile

Kutitë NAS, router-ët dhe pajisjet mobile janë shumë më të thjeshta për t’u përditësuar se motherboard-et. Në pjesën më të madhe të rrjetit mund ta aksesoni menynë e konfigurimit duke futur adresën IP të pajisjes në shfletuesin tuaj. Atje duhet ta keni të thjeshtë të gjeni opsionin e përditësimit të firmuerit, të shoqëruar me një buton të madh ‘Browse’. Klikoni këtë buton, zgjidhni fajlin që keni shkarkuar dhe përditësoni.
Mund të mbushnim fare lehtë një numër të tërë të PC World me mënyrat e detajuara për të flashuar gjysmën e pajisjeve të hapura për përditësimin e firmuerit. Ajo që është më e rëndësishme është siguria e pajisjes suaj. Ruani vendosjet tuaja dhe atje ku është e mundur, ndiqni instruksionet e prodhuesit hap pas hapi, duke përdorur firmuerin e duhur. Ndiqini këto hapa për të parandaluar rezultate të pakëndshme dhe shpejt do të zbuloni se përditësimi i firmuerit mund të jetë një prej mënyrave më të thjeshta – dhe më të mira – për të bërë një azhurnim pa shpenzuar asgjë.

Lajmet e fundit>