Lajmet

Kalimi në Windows 8.1 beta kërkon riinstalimin nga e para të të gjithë aplikacioneve

Jun 7 2013
0 Shpërndarje
Kalimi në Windows 8.1 beta kërkon riinstalimin nga e para të të gjithë aplikacioneve

Duke filluar nga data 26 qeshor, përdoruesit do të kenë mundësi të shkarkojnë versionin beta të Windows 8.1 (i cili do të jetë një formë “preview” i versionit të plotë që do të vijë disa muaj më vonë).

Shkarkimi do të bëhet përmes Windows Store. Lajm shumë i mirë, apo jo? Mos u nxitoni! Microsoft ka deklaruar se kalimi në versionin zyrtar përfundimtar do të ketë një problem të vogël: përdoruesve do t’ju duhet të riinstalojnë të gjitha aplikacionet.

Kjo do të thotë se përdoruesit do të detyrohen të riinstalojnë të gjitha aplikacionet e ndërfaqes “Metro” të cilat njihen ndryshe si “aplikacionet moderne”, si dhe ato të desktopit. Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për versionin beta, i cili zakonisht instalohet nga entuziastët e kompjuterëve apo profesionistët e IT-së.

Ndërkohë, përdoruesve të zakonshëm, nuk do t’ju duhet të riinstalojnë aplikacionet në momentin që Windows 8.1 do të dalë zyrtarisht në formën e një përditësimi. Këtë lajm e ka konfirmuar po ashtu vetë Microsoft-i.

Përdoruesit kanë mundësi të zgjedhin mes opsionit të hapjes së dyfishtë (dual-boot) si dhe ekzekutimit të Windows 8.1 në një makinë virtuale, duke e izoluar atë nga gjithe pjesa tjetër e sistemit.

Ditën e mërkurë Microsoft prezantoi një video paraprake që tregon disa nga ndryshimet dhe përmirësimet kryesore që i janë bërë Windows 8 në versionin beta 8.1.

 

Një pjesë e madhe konsistojnë më tepër në anën estetike, si për shembull mundësia për të shpërndarë imazhet e sfondit mes ekraneve Start dhe Desktop. Gjithsesi, riinstalimi i aplikacioneve do të pengojë ndoshta një numër të madh përdoruesish biznesi, të cilët përfshihen zakonisht në listën e entuziastëve përsa i përket versioneve të reja të softuerëve. (PCWorld Albanian)

windows 8.1

Tags >

Windows 8
Lajmet e fundit>