Ja se si

Kaloni lehtë në Office 2007 duke shmangur bezdisjet

Mar 4 2010
0 Shpërndarje
Kaloni lehtë në Office 2007 duke shmangur bezdisjet

Ndryshimi më i madh është sigurisht përfshirja e Ribbon, e cila mund të duket e komplikuar në fillim, por ka disa përfitime të shkëlqyera. Është mënyra më e mençur e organizimit të tipareve të ndryshme. Këtë muaj kam zgjedhur disa këshilla për përshtatjen e Office 2007 – si për shembull qasjen më të lehtë në Quick Access Toolbar, heqjen qafe të Mini Toolbar dhe rregullimin e kontrollit gjuhësor në Outlook.

Shtoni opsione në Quick Acess Toolbar
Më mungojnë disa ikona nga shiriti i veglave të Office 2003, si për shembull Print dhe Open – ikona të cilat i kam përdorur shumë shpesh. Office 2007 më detyron të klikoj butonin e madh të Office për të shfrytëzuar këto funksione. Kjo paraqet edhe një klikim ekstra!

Por është e lehtë të shtoni çdo opsion të Office në Quick Access Toolbar, në pjesën e sipërme të ekranit afër butonit të Office. Në parim, shiriti i veglave ka opsionet Save, Undo dhe Redo, por mund t’i ndryshoni si t’ju përshtaten. (Jam duke menduar veçanërisht për Word 2007; procesi është i njëjtë edhe për Excel dhe PowerPoint.)

Për fillestarët, klikoni shigjetën në këndin e djathtë të shiritit të veglave. Do të shihni listën e komandave të popullarizuara si Open, Quick Print dhe Spelling & Grammar. Klikoni secilën prej tyre dhe vendosni ikonën korresponduese në Quick Access Toolbar. (Nëse doni të largoni ndonjë ikonë, vetëm klikojeni atë që ta largoni nga lista.)
Po nëse dëshironi ndonjë opsion që nuk është në listë? Thjesht klikoni me tastin e djathtë pothuajse në cilëndo ikonë në Ribbon (ose në menynë e Office) dhe zgjidhni Add to Quick Acess Toolbar. Për të larguar ndonjërën nga këto ikona, klikoni me tastin e djathtë në ikonë dhe zgjidhni Remove from Quick Access Toolbar.

Zhdukni MiniToolbar në Word 2007

Aq sa më pëlqen Office 2007 (në shumicën e pjesëve), aq duket se disa prej pjesëve të saj janë duke më bezdisur pa masë. Njëra prej tyre është shiriti i vogël i veglave në Word 2007, i cili njihet si Mini Toolbar. Me siguri e keni hasur: kjo gjë e tmerrshme shfaqet kur selektoni ndonjë tekst dhe pastaj lëvizni miun tuaj.
Pa dyshim, ky tipar i ri është një shtesë e dobishme, por për dikë që ka kaluar 20 vite duke përdorur kursorin e miut, të shkojë në pjesën e sipërme të ekranit për të zgjedhur fontin, për të nënvizuar tekstin dhe opsione të tjera, Mini Toolbar për mua është një bezdisje e panevojshme.
Nëse pajtoheni me mua, fatmirësisht, mund ta çaktivizoni shumë lehtë:

1.Klikoni butonin Office dhe zgjidhni Word Options.
2.Deselektoni kutinë për Show Mini Toolbar on selection.
3.Klikoni OK dhe keni mbaruar punë.

Për të përdorur përsëri atë shirit veglash, vetëm selektoni dhe deselektoni atë kuti. (Nuk pati nevojë t’ju tregoj fare për aktivizimin apo jo?)

Bëni kontrollin gjuhësor të e-maileve para se t’i dërgoni me Outlook
Unë për vete i kushtoj shumë rëndësi kontrollit gjuhësor. E mundoj shumë veten që të sigurohem që çdo e-mail që dërgoj të ketë sa më pak gabime gjuhësore, kështu që më pengon kur shoh se të tjerët nuk i kushtojnë aq shumë rëndësi (e-mailat e tyre përmbajnë gabime gramatikore – ndonjëherë të papranueshme).
Ok, bëj pak hile: përdor kontrollin gjuhësor të Outlook 2007 për të bërë kontrollin përfundimtar para se të dërgoj një e-mail. Edhe ju mund të bëni të njëjtën gjë – pa pasur nevojë të kujtoheni gjithmonë të klikoni butonin Spelling çdo herë – duke ndërhyrë në opsionet e Outlook. Ja se si:
1.Zgjidhni Tools • Options.
2.Zgjidhni fushën Spelling.
3.Zgjidhni fushën Always check the spelling before sending.
4.Klikoni OK.

Tani, kur të klikoni Send, kontrolli gjuhësor i Outlook menjëherë do të paraqitet duke ju dhënë mundësinë të përmirësoni gabimet si “Hej, Shpend, ku je sante?”.
Sigurisht, e di që Outlook i nënvizon me vijë të kuqe fjalët që keni gabuar duke i shkruar – duke ju dhënë mundësi të ndaleni dhe të bëni përmirësimet – por e di se shumica e njerëzve i kalojnë këto udhëzime dhe i përmirësojnë në fund të shkrimit gabimet.

Lajmet e fundit>