Analiza

Kamera xhepi HD: A duhet ta kapërceni Flip-in?

Jan 19 2010
0 Shpërndarje
Kamera xhepi HD: A duhet ta kapërceni Flip-in?

Shoqëria e emrave të mëdhenj po mban shënime — Cisco bleu Pure Digital për $590 milionë në mars dhe lojtarët më të mëdhenj po shpalosin kamera të vogla xhepi me përmasa celularësh për të kërcënuar fronin e Flip-it, të armatosur me të njëjtin prakticitet të tmerrshëm në përdorim, opsione të thjeshta për shpërndarje dhe tërheqje për ndërthurje brezash, ashtu si pajisja pioniere e Pure Digital.

Këto kamera ultraportabël e bëjnë ngarkimin dhe shpërndarjen e videove shumë të thjeshtë, zakonisht me konektorë USB të palosshëm dhe softuerë të integruar. Megjithëse klipet humbasin shumë cilësi pasi ngarkohen në internet, të gjitha modelet e testuara këtu emërtohen si high definition. Kjo jep fleksibilitet më të madh me videon origjinale- mund të zgjidhni ta shikoni në një HDTV ose ta ngarkoni në një shërbim web kompatibël me formate HD.

Asnjëri prej këtyre modeleve nuk mund të zëvendësojë një kamera të plotë HD prej $1000 (shikoni guidën tonë për blerjen e kamerave dixhitale në faqen 54). Por nuk ju duhet të lexoni një manual për të përdorur njërën prej tyre dhe të gjitha janë ndërtuar për shpërndarje të shpejtë dhe të thjeshtë të videove, ndodhen në një brez çmimi prej $200 dhe janë aq të vogla sa për t’u futur në një çantë, xhep apo kuletë.
Pra, a mundet ndonjëra prej tyre të mundë Flip Mino HD në lojën e saj? Testuam kamerat e xhepit high-definition konkurrente nga Creative Labs, Kodak dhe Sony ndaj Flip-it për të parë se cila ofronte cilësinë më të mirë, kohëzgjatjen më kinematografike, kompletin më të mirë të opsioneve dhe ngjyrat më të gjalla.

Në cilësi, Creative Vado HD e shpartalloi tërësisht konkurrencën dhe lentja me kënd më të gjerë është një tjetër veçori, por cilësia e dobët e mikrofonit, nga ana tjetër, ishte pika më e dobët. Mino HD i Flip është një performues i shkëlqyer në ambiente me dritë të dobët dhe regjistron për një kohë të gjatë, megjithëse me një nuancë të verdhë, dhe konektori i tij i palosshëm mund të mos përshtatet mirë me daljen e kompjuterit tuaj. Webbie HD MHS-PM1 i SONY ka opsionet më të pasura – shoqëruar me një çmim të mirë – por cilësia video nuk është ajo që pritet. Kodak me Zi6 dhe Zx1 ofron opsionet më të mira për sa i përket filmimit, por Zi6 shpesh prodhon imazhe me ngjyra të tejngopura dhe Zx1 ka një mikrofon të dobët.
Vizitoni find.pcworld.com/62854 për të parë klipe të filmuara nga kamerat e mësipërme për të bërë krahasimin tuaj.

Cilësia më e mirë video: Creative Vado HD
Vado HD, i Creative Labs, një kamera xhepi që regjistron video high definition 720p, fiton vlerësimin tonë si blerja më e mirë kryesisht falë cilësisë së mirë video dhe këndit të gjerë të lentes. Dizajni mund të duket pak i vjetruar, por kjo kamera ka shumë gjëra për t’u pëlqyer. Është pak më e madhe se Flip Mino HD dhe ekrani me diagonale prej 2 inçë është shumë i volitshëm për të parë videot e xhiruara, megjithëse mund të jetë pak e vështirë të shquhet në dritën e diellit.

Karakteristika që e kompleton dominimin e  kësaj pajisjeje është lentja me kënd të gjerë. Ajo kap një pjesë më të gjerë të pamjes se çdo kamera tjetër që testuam dhe balanca e saj e bardhë mënjanon ngjyrimin e verdhë. Në skena të ndriçuara mirë, Vado HD i përballon ndryshimet e vogla të intensitetit të dritës në mënyrë të shkëlqyer, duke kompensuar në më pak se një sekondë.

Megjithatë, performanca e Vado HD në dritë të ulët ishte prej më të ulëtave të grupit dhe ashtu si pjesa dërrmuese e konkurrencës, ka një zoom dixhital 2x aspak mbresëlënës. Njëlloj si Kodak Zx1, njësia mund të transferojë direkt në një HDTV nëpërmjet HDMI-së –është i përfshirë edhe një kabllo HDMI (por jo një RCA). Gjithashtu pajiset me një konektor USB të integruar për të shkarkuar filmimet dhe për t’u karikuar.
Shtatë butona kontrollojnë regjistrimin dhe luajtjen; ndryshe nga butonat e ndjeshëm ndaj prekjes të Mino HD, këta janë të gjithë butona fizikë. Butoni me katër drejtime shpesh nuk përgjigjet mirë.
Vado HD regjistron video AVI duke përdorur kodekun H.264. Kamera punon me Windows XP apo Vista si dhe Mac OS X 10.4.11 dhe më të ri. Memoria e integruar prej 8GB mban deri në 2 orë regjistrim high definition 720p në opsionin HD+ (bitazhi më i lartë i mundshëm), deri në 4 orë filmim në opsionin HD (përsëri 720p por me cilësi më të ulët) dhe deri në 8 orë në definicion standard VGA (640×480 pikselë). Ndërkohë që jetëgjatësia 2 orë e baterisë është dukshëm paksa e vogël për kapacitetin e Vado HD, ajo është e ndërrueshme.
Creative përfshin aplikacionin e saj Vado Central për transferimin dhe menaxhimin e videove, por programi është vetëm për Windows. Përdoruesit e Mac-ut duhet t’i tërheqin videot manualisht në hard disk dhe të shkarkojnë një kodek për Quick Time, në mënyrë që t’i shikojnë videot në format AVI.

Video më e mirë në dritë të ulët: Pure Digital Flip Mino HD
Flip Mino HD prej $230 kap pamje me 720p. Një “e metë” është se ngjyrat janë pak të zbehta dhe të shpëlara, me një ngjyrim të dallueshëm në të verdhë, por klipet e regjistruara me Flip Mino HD kanë vërtet një cilësi filmi. Kjo kamera gjithashtu realizoi xhirimin më të rrjedhshëm që pamë në këtë përmbledhje dhe performanca në dritë të dobët ishte në krye të grupit.
Të përdorësh Mino HD-në është shumë e thjeshtë. Shtatë butona kontrollojnë të gjitha proceset: Record, Play/Pause, Delete Video, Volume up/Zoom in, Volume down/Zoom out, Previous dhe Next.
Përveç butonit Record, të tjerët nuk janë vërtetë “butona”, por sensorë të ndjeshëm ndaj prekjes, shpesh shumë të thjeshtë për t’u shtypur aksidentalisht. Fatmirësisht, mund t’i bllokoni këta butona për të ndaluar lundrimin aksidental në menu. Gjithashtu të integruar janë altoparlantët, një vend për stativ dhe një ekran prej 1.5” (më i vogli).

Për shkak të këtij ekrani të vogël, Mino HD është modeli më kompakt i kësaj prove; 10.2 cm i gjatë me 5.1 cm gjerësi dhe 1.6 cm i trashë. Mbulesa e tij plastike është një magnet i vërtetë i shenjave të gishtërinjve dhe mund të jetë e ndjeshme ndaj gërvishtjeve, por Pure Digital përfshin një qeskë të vogël prej mikrofibre. Kamera është ngjyrë e zezë më lustër, por mund të krijoni dizajnin tuaj të personalizuar në faqen web të Flip.
Flip quhet kështu për një arsye; shtyni rrëshqitësin në anën e njësisë dhe jashtë zgjatet një konektor USB, në stil thike të rrëshqitshme. Kjo ndërfaqe shërben si për të karikuar njësinë, ashtu dhe për të shkarkuar klipet në PC. Kjo mund të jetë një gjetje shumë praktike, por pozicioni i portave USB në disa kompjuterë e bën jo shumë universale. Meqenëse konektori i rrëshqitshëm është prej plastike të fortë, përshtatet më së miri me laptopët që kanë kryesisht vendosje horizontale të portave USB, pasi ndryshe kamera mund të varet rrezikshëm apo të pengojë portat e tjera që ndodhen pranë.
Për më tepër, Mino HD mund ta transferojë përmbajtjen në një televizor; ajo pajiset me një kabllo për t’u lidhur me daljet kompozite video dhe audio të një TV-je.
Flip Mino HD ruan deri në 4GB filmim, e mjaftueshme për rreth një orë regjistrim. Nuk ka asnjë portë për karta të jashtme multimediale, prandaj nuk mund t’i rritni kapacitetin. Bateria e litiumit e furnizon njësinë për rreth 2 orë sipas Pure Digital (fatkeqësisht përdoruesit nuk mund ta ndërrojnë baterinë). 

Njësia i përballon mirë situatat e dritës së dobët dhe filmimet e brendshme duke realizuar video të rrjedhshme. Por si për të gjitha njësitë e tjera, zoom-i 2X është i dobët, shpesh lëviz midis pikave të fokusuara.
Mino HD paketohet me FlipShare, një aplikacion për të organizuar klipet, për të bërë rregullime të vogla dhe për të transferuar videot; lidhja e kamerës me PC-në apo Mac-un tuaj hap automatikisht FlipShare.
Kur punon, FlipShare është i thjeshtë në përdorim, por disa herë patëm probleme ta hapnim në testet tona informale. Për kompjuterë me grafikë Intel, përditësimi i drajverit të kartës grafike (tek  find.pcworld.com/62825) duhet ta zgjidhë problemin. Gjithashtu mund t’i tërhiqni dhe t’i lëshoni videot nga Flip-i juaj në hard disk pa përdorur fare FlipShare.

Për një ndërfaqe të thjeshtë, cilësi të mirë në dritë të dobët dhe filmim të rrjedhshëm, rekomandimi është për Flip Mino HD. Nëse preferoni të ndryshoni shpesh opsionet, shikoni tjetërkund.

Jo çdo filmim High Definition është i njëjtë. Kamerat e xhepit HD bëjnë kompromise në cilësinë e videos për të tkurrur koston dhe përmasat e njësisë. Ja një përshkrim i kufizimeve kryesore.
Lente të një cilësie më të ulët: Lentet e vogla e të thjeshta thithin më pak dritë dhe ofrojnë më pak kontroll se ato të kamerave më të mëdha HD.

Çipe mikroskopike imazhi: Drita e grumbulluar nga lentja bie mbi një sensor të vetëm të vogël (zakonisht 1/4.5 inçë) CMOS, në të cilin mblidhen shumë sensorë të ndjeshëm ndaj dritës, në një sipërfaqe shumë të vogël. Kamera më të mëdha zakonisht kanë çipe më të mëdha apo shumë të tilla. Në kamerat e xhepit HD, më pak fotone bien mbi sensorët, duke rezultuar në imazhe të kompromentuara në dritë të ulët dhe situata të tjera problematike.
Më pak pikselë: Zakonisht, kamerat e xhepit HD gjenerojnë imazhe 1280 me 720 pikselë; Sony webbie HD mund të krijojë imazhe 1440-me-1080 pikselë. Modelet më të mëdha HD regjistrojnë në format 1920 me 1080 dhe këto imazhe origjinale me rezolucion më të lartë gjenerojnë imazhe më të mira finale edhe kur reduktohen në rezolucione më të ulëta.

Përpunim më i dobët i imazhit: Kamerat më të mëdha ndërtohen me sisteme të ndërlikuara të përpunimit të imazhit, për të kontrolluar ngjyrat, reduktuar grimcat dhe për të prodhuar imazhe më cilësore në kushte të ndryshme ndriçimi. Procesorët e imazhit në kamerat e xhepit HD, nga ana tjetër, ofrojnë një fuqi përpunuese shumë më të kufizuar.
Kompresim më i madh (dhe më i ashpër):  Të krijosh video shumë cilësore me H.264 kërkon më tepër përpunim dhe një bitazh më të lartë se ai që mund të ofrojnë minikamerat; shumë kamera xhepi i kompresojnë imazhet me 9 Mbps. Kamerat më të mëdha i kompresojnë imazhet me AVCHD (gjithashtu një formë e H.264), i cili ofron kompresim më të lehtë dhe cilësor. Bitazhet dhe rrjedhimisht madhësitë e skedarëve mund të jenë dy deri në tri herë më të mëdha se ato të kamerave HD të xhepit.

Kushte të vështira filmimi: Sa më komplekse skena, aq më e madhe bëhet diferenca në cilësi midis kamerave të xhepit dhe atyre me përmasa të plota. Kamerat kompakte kanë vështirësi të krijojnë video të mira në kushtet e dritës së pakët, kontrastit të madh dhe lëvizjes së shpejtë apo të zgjatur (përfshirë lëvizjen e induktuar nga lëvizja e duarve)
Gjatë filmimit të një skene të ndriçuar mirë dhe pa shumë kontrast apo lëvizje, kamerat e xhepit HD gjenerojnë sidoqoftë një cilësi të pëlqyeshme imazhi.

Opsionet më të mira: Sony webbie HD MHS-PM1
Me pamje dhe çmim tërheqës, Sony webbie HD MHS-PM1 ($170) mund t’i ngjajë një lodre për adoleshentë, por mos e lini pamjen e saj elementare t’ju gënjejë. Për një kamera xhepi, webbie ka paketën më të kompletuar të opsioneve që kemi parë.

Koleksioni i opsioneve të PM1 është kokë e këmbë mbi konkurrencën (përveç kushërirës së saj pak më të madhe, webbie HD MHS-CM1, e cila shton një lente me zoom optik 5X për $30 më shumë) dhe shitet me një çmim të përshtatshëm për këtë krizë. Si Flip Mino HD ashtu dhe Creative Vado HD janë plot $60 më të shtrenjta.

Webbie HD MHS-PM1 ofron pesë opsione të ndryshme filmimi (Auto, Backlight, Loë-Light, Sports, dhe Landscape). Mund të zgjidhni midis tre rezolucioneve: VGA, 720p,dhe 1440 me 1080, që të tre në format MPEG-4 me kodek H.264. Gjithashtu mund të shkrepni foto të pëlqyeshme prej 5 megapikselë, me timer dhe histogram në ekran.
Karakteristikat standarde të njësisë—një zoom i copëzuar dixhital 2X, një bateri litiumi e rikarikueshme dhe një stativ trekëmbësh. Lentja e lëkundshme është një shtesë e pëlqyeshme.
Webbie HD ka mangësitë e saj: I mungon një konektor USB i integruar (duhet ta lidhni me kompjuterin nëpërmjet fishës së posaçme USB). Performanca e saj në dritë të ulët ishte ndër më të këqijat që testuam. Filmimi është shumë i ndritshëm, por ngjyrat duken më të ndryshuara sesa me Creative Vado HD dhe Kodak Zi6 dhe i mungon efekti kinematografik i videos së Mino HD.
Duhet të çmontoni baterinë për ta karikuar dhe duhet të blini veçmas kartat e memories SONY për të ruajtur filmimet (PM1 nuk ka asnjë lloj memorie të brendshme). Butoni kryesor i lundrimit mund të jetë shumë i vogël.
Mikrofoni i webbie HD është i ndjeshëm deri në ekstrem; është i shkëlqyer kur kamera është e fiksuar në stativ apo diku tjetër, por lëvizja e dorës në kasë shkakton zhurma në regjistrim. Një anë tjetër pozitive është se mikrofoni kap më së miri dhe zhurmat e largëta.

Përveç opsionit të ngarkimit në youtube, mund ta nxirrni filmimin tuaj nga webbie direkt në një HDTV. Hapja e një kapaku në pjesën e pasme shfaq një port USB, një port A/V për t’u lidhur me një HDTV (mund të ndryshoni formatin midis NTSC dhe PAL dhe në menynë e kamerës) si dhe një port DC për furnizim me energji.
Përdorimi i kamerës është i thjeshtë. Rrotullimi 270 gradë i lentes lëkundëse e ndez kamerën (gjithashtu mund ta bëni këtë nga një buton i posaçëm anësor). Butonat për të aksesuar menynë dhe opsionet e kamerës ndodhen nën këtë buton.

Ekrani LCD prej 1.8” në pjesën e pasme të webbie HD duket mjaft mirë, por si me të gjitha kamerat e xhepit, filmimi ngjan shumë më mirë në këtë ekran se kur e shikoni në PC-në tuaj apo në YouTube. LCD-ja është pak më i madh se  ai 1.5 inçë i Flip Mino HD dhe pak më i vogël se ekrani 2 inçë i Vado HD.
Programi i përfshirë Pure Motion Browser– që instalohet me CD– është një aplikacion vetëm për XP dhe Vista, por megjithatë mund të tërhiqni dhe të hidhni videot dhe fotot nga webbie HD në Mac.
Webbie HD MHS-PM1 i SONY-t është në teori kamera më funksionale nga ato në provë, por u zhgënjyem nga performanca në dritë të pakët. Megjithatë, për një çmim të mirë, merrni shumë kontroll mbi filmimin, cilësi të mirë fotosh, një lente të lëkundshme dhe një pamje të lezetshme.

Mikrofoni më i mirë: Kodak Zi6
Zi6 ofron një konektor USB të palosshëm, kontrolle tmerrësisht të thjeshta dhe një cilësi relativisht të mirë imazhi. Disa opsione shtesë, përkatësisht regjistrimi më i mirë audio i grupit, tre opsione për framerate, një opsion për fotografi dhe ekrani më i madh LCD i japin një shenjë dalluese. Tre opsionet video të tëra regjistrojnë si file .mov H.264. Mund të zgjidhni opsionin HD me 60 frame për sekondë (720p), opsionin 30 fps (gjithashtu 720p) ose definicionin standard VGA, që regjistron klipe me rezolucion më të ulët, duke i paketuar në përmasa më të vogla. Në opsionin fotografik, Zi6 merr fotografi 3 megapikselë me sensorin e saj CMOS.
Zi6 është paksa më e madhe se kamerat e tjera të trajtuara këtu, por përsëri mund të futet në xhep. Megjithëse trupi është i tëri  plastik, ngjan mjaft rezistente në dorë. Moria e portave, mbulesave dhe dyerve të vendosura në pajisje mund ta bëjnë pak më të dobët në përplasje, gjithsesi.

Në teste, Zi6 prodhoi ngjyra vibrante, por nganjëherë ato ishin të mbingopura dhe ngjyrat dukeshin të errëta. Balancimi i bardhë mungonte, me një nuancë blu të hedhur mbi sfonde të bardha.
Në opsionin e peizazheve, në filmimin me Zi6, subjektet pranë lentes ngjanin pak më të turbullta dhe të çfokusuara se me Flip Mino HD. Kalimi në modin Macro ndihmoi disi. Por Zi6 nuk kishte fokusin më të pastër për subjektet midis zonës së Macro dhe pak metra larg. Kalimi në opsionin HD 60 fps e përmirësonte pak situatën.
Filmimi ruhet jo në kamera, por në një kartë SDHC, të cilën duhet ta gjeni vetë (një slot i posaçëm ndodhet në anën e kamerës). Një kartë SDHC mund të ruajë deri në 32 GB regjistrim, por duhet të llogaritni dhe koston e saj, nëse nuk keni një pajisje të tillë.

Një minixhoistik me katër drejtime nën ekranin e vendosur nga pas aktivizon funksione të ndryshme si zoomi 2X. Një buton për luajtjen qëndron në të djathtë, ndërsa majtas tij vendoset një i tillë për të fshirë.
Pjesa e sipërme e Zi6 përmban çelësin e ndezjes, ndërsa ana e majtë e pajisjes ka çelësin landscape/macro, një slot të mbuluar SDHC dhe kapakun e vendit të baterive. Djathtas vendoset USB-ja e palosshme si dhe portet kompozite dhe komponente, të cilat lejojnë të shikoni filmime të standardit high definition në HDTV. Fundi ka një vend për stativ si dhe një kapje për një rrip pulsi.
Zi6-a punon me dy bateri të përmasës AA; dy bateri të rikarikueshme NiMH dhe një karikues (një njësi e madhe muri) paketohen me kamerën. Pra, duhet të hiqni bateritë për t’i karikuar.
Ekrani 2.4 inçë në diagonale i Zi6 e bën filmimin dhe rishikimin e klipeve tuaja një eksperiencë më të këndshme. Të gjitha kamerat e tjera që provuam kanë një ekran ndjeshëm më të vogël. Ekrani më i madh i Zi6-ës është gjithashtu mjaft i shndritshëm dhe i mprehtë sa për t’u parë nën dritën direkte të diellit.
Kodak Zi6 është një opsion i mirë për ata që duan më shumë kontroll mbi videot e tyre nga çfarë ofron Flip si dhe për ata që pëlqejnë të përdorin karta memorie. Megjithëse është më i lirë së Vado HD dhe Flip, duhet të kujtoheni të llogaritni dhe koston e SDHC-së me kapacitet të lartë.

Kamera më e fortë e xhepit: Kodak Zx1
Kodak Zx1 ($150) është një  kamera xhepi HD e denjë për kompletin e një snowboarderi, me dizajnin e saj elegant dhe të fortë, kombinuar me performancë të kënaqshme. Ofron shumë prej gjërave që pëlqyem te Zi6: Mund të realizojë video me definicion të lartë 720p me 30 apo 60 frame për sekondë, mund të bëjë foto 3 megapikselë, pajiset me një slot SDHC dhe mund të lëvizet midis 30 dhe 60 fps. Regjistron videot si file .mov të enkoduara në H.264 dhe është e rehatshme në dorë.
Mungon konektori i palosshëm USB (do të thyhej gjithsesi në fluturimin tuaj të parë me snowboard.) Duhet të lidhni një kabllo USB të përfshirë për të transferuar videot tuaja në kompjuter. Gjithashtu mungon çelësi për të ndryshuar modet Macro dhe Landscape.

Një shtesë e ndritur e Zx1 është dalja HDMI dhe kabllo e përfshirë. Gjithashtu Zx1 ka një balancë të bardhë më të mirë se Zi6 dhe duket se Kodak ka rregulluar dhe problemin e mbingopjes së ngjyrave në këtë model. Sidoqoftë, videot e prodhuara me Zx1 nuk qenë aq të mprehta sa ato të Creative Vado HD dhe filmimi dukej pak më i errët se ato të kamerave të tjera. Zxi performonte më mirë në dritë të ulët sesa Zi6, por filmimi nuk qe aq i rrjedhshëm.
Zx1 ka një lente me kënd jo aq të gjerë sa Zi6 dhe më shumë është e krahasueshme me atë të Flip Mino HD, por është shumë larg nga këndi relativisht super i gjerë i Creative Vado HD.
Mbase diferenca më e madhe e Zx1 krahasuar me Zi6– dhe me çdo kamera tjetër xhepi—është mikrofoni i dobët. Mikrofoni kishte probleme të kapte tingujt e butë në testin tonë standard, mbase sepse vendoset në pjesën e sipërme të pajisjes dhe jo në atë ballore.

Zx1 është shumë më pak e fryrë se Zi6, me një pjesë ballore prej plastike të fortë dhe atë të pasme prej metali të vijëzuar. (Mund ta blini Zx1-in në ngjyrat e kuqe, blu, rozë, të verdhë dhe të zezë.) Nën ekranin e saj LCD prej 2 inçësh (që përballej mirë me të gjitha kushtet e ndriçimit) ndodhen butonat e kontrollit: një buton regjistrimi dhe një pad katër drejtimësh për zoomin 2X dhe opsionet e frameve për sekondë dhe rikthimit në opsionin e regjistrimit.
Për më tepër, mund ta ndërroni kapakun e baterisë së Zx1-it tuaj më një tjetër kapak “firmato” të përfshirë në kamerën tuaj. Gjithashtu në kuti ka aksesorë të ndryshëm: një kabllo HDMI, një kabllo USB për të ngarkuar videot në kompjuter, një karikues baterish (për të rikarikuar dy bateritë AA Ni-MH), një rrip pulsi dhe një xhep i butë mbajtës.
Me një çmim prej $150, Zx1 është një konkurrent i denjë i webbie HD MHS-PM1 të SONY dhe vetë Zi6 të Kodak – dhe është një opsion i mirë për amatorët e videove në të hapur.

Lajmet e fundit>