Lajmet

KHG sulmon Ueb faqen e qeverisë së Serbisë

May 27 2012
0 Shpërndarje
KHG sulmon Ueb faqen e qeverisë së Serbisë

Ueb faqja zyrtare e qeverisë së Serbisë, në krye të së cilës së shpejti pritet të vijë ish-kryetari i Serbisë, Boris Tadiç, është sulmuar nga grupi shumë i njohur i hakerëve shqiptarë, Kosova Hackers Group.

Kosova Hackers Group, tash e një kohë nuk ka kryer ndonjë sulm, por tani është rikthyer me një goditje të fortë ndaj ueb faqes zyrtare të qeverisë serbe.

Nëse vizitohet që tani kjo faqe, kur edhe po shkruhet ky lajm, atëherë mund të shihet logoja e KHG-së, emrat e anëtarëve të KHG-së që e kanë sulmuar, porosia e lënë nga sulmuesit dhe një frazë tjetër për një ish-anëtar të KHG-së, i cili ka ndërruar jetë në një ndeshje në komunikacion.

Në pjesën e sipërme të faqes shihen emrat e sulmuesve që kanë marrë pjesë, të cilët janë boom3rang, [email protected] dhe cHs, ndërsa nën të shihet e shkruar me të bardha në gjuhën angleze Misioni përfundoi 100%!!!

Pjesa qendrore dhe ajo më e madhja e faqes është e mbushur me logon e grupit, e cila me dhjetëra apo edhe mbase më shumë herë është parë në Ueb faqet serbe, kur janë sulmuar nga ky grup, e cila ka zënë pjesën më të madhe të faqes. Edhe nën logo janë shënuar emrat e hakerëve pjesëmarrës në këtë sulm.

Në fund të faqes është shkruar porosia në gjuhën angleze: Ne nuk jemi të lejuar ta përdorim flamurin e Kosovës por ju mund të na gjeni në Londra 2012 & ESC 2012 në Kuq&Zi. Jetë të gjatë Shqipërisë së Madhe.

Pjesa nuk jemi të lejuar ta përdorim flamurin e Kosovës nënkupton refuzimin e pjesëmarrjes së xhudistes nga Kosova, Majlinda Kelmendi, e cila e ka vendin e pestë në botë, që ta përfaqësojë Kosovën në lojërat olimpike verore Londra 2012, por ajo është zgjedhur në listën e përfaqësuesve të shtetit shqiptar.

Pjesa ESC 2012 nënkupton pjesëmarrjen e Rona Nishliut në festivalin evropian të këngës, Eurovision që u zhvillua në Azerbejxhan, e cila përfaqësoi Shqipërinë dhe zuri vendin e pestë.

Në fund është shkruar pjesa RIP – redc00de, i cili në vitin 2005 kishte humbur jetën në një aksident në komunikacion. (PC World Albanian)

Lajmet e fundit>