Lajmet

Kina lançon një portal tjetër kërkimi

Mar 4 2014
0 Shpërndarje
Kina lançon një portal tjetër kërkimi

screen-shot-2014-03-03-at-1-00-51-pmE siç nuk mund të pritet ndryshe, ky portal i ri kërkimi në Kinë është iniciativë qeveritare. Raportohet se ky portal vjen si ide dhe projekt nga zëdhënësi i Partisë Komuniste në Kinë duke ia vënë portalin qeverisë në shërbim. Portali i kërkimit quhet ChinaSo dhe në motivin e ngjyrave dhe në logo është shumë i ngjashëm me Google. Siç raportojnë agjensi lajmesh nga Azia, ChinaSo nuk është përpjekja e parë e qeverisë kineze për të krijuar motorrin e vet të kërkimit. Në fakt, ChinaSo të jep përshtypjen si një kombinim më i mirë i dy portaleve të kërkimit Jike dhe Panguso që ishin të qeverisë dhe u shkrinë vitin e kaluar.

Nuk ka të dhëna pse qeveria po e provon sërish diçka të tillë. Jike dhe Panguso kishin shumë pak trafik vitin e kaluar dhe as nuk ishin të renditur në listën e motorëve të kërkimit më të mirë në Kinë, gjë që do të thotë që kishin më pak se 0.2% të trafikut në këtë shtet. Fusha e të tilla portaleve dhe e motorëve të kërkimit në Kinë dominohet nga Baidu dhe nga Qihoo që së bashku ndajnë mbi 80% të të gjithë trafikut në motorë kërkimi. E ashtu si të tjerë, edhe ChinaSo me shumë mundësi do të injorohet e nuk do të përdoret aq sa e pret qeveria. Por gjithsesi mund të shihet si pjesë e përpjekjes së vazhdueshme të qeverisë kineze për të demonstruar se infrastruktura teknologjike në Kinë nuk ka nevojë të mbështetet në kompani të huaja. Kjo është diçka e ditur dhe madje vitin e kaluar, Ministri i Industrisë dhe Informacionit në Kinë kritikoi kompanitë e vendit për përdorimin e tepërt të Android, që edhe pse është me burim të hapur, është teknologji që kontrollohet nga Google. Në fjalën e mbajtur nga ministri vitin e kaluar kishte edhe disa falenderime për kompani si Huawei, Baidu dhe Alibaba për zhvillimet e tyre teknologjike dhe konkurrencën në botë.

Por edhe pse një numër kompanish në Kinë kanë vërtetuar reputacionin e tyre për inovacion, ChinaSo tregon se iniciativa të tilla nga qeveria kanë ende shumë punë për të bërë. Qeveria kineze ka pasur njëfarë suksesi me Ubuntu Kylin, një sistem operimi me burim të hapur që është zhvilluar në bashkëpunim me Canonical. Sistemi u lançua në prill 2013 dhe është shkarkuar më shumë se një milion herë në gjashtë muajt e fundit. Normalisht që është një numër shumë i vogël, mikroskopik madje për 1.3 miliard banorët në Kinë, por ka një shans të mirë që ky sistem të përhapet gjerësisht në këtë shtet pasi Microsoft-i të përfundojë mbështetjen për Windows XP. (PCWorld Albanian)

Tags >

Portal
Lajmet e fundit>