Kodet QR: 5 përdorime interesante dhe të çuditshme që u vlejnë konsumatorëve

Apr 24 2013
0 Shpërndarje
Kodet QR: 5 përdorime interesante dhe të çuditshme që u vlejnë konsumatorëve

Kodet QR u prezantuan para disa vitesh dhe menjëherë u vu re interesi i marketingut për t’i përdorur ato sa më shumë.

Sot, shohim se pothuajse çdo gjë që na rrethon ka një kod QR, pavarësisht se sa i vlefshëm është ai për konsumatorin.

Por cilat janë disa nga përdorimet më të vlefshme të kodeve QR për konsumatorët? Më poshtë ju paraqesim pesë prej tyre:

1. Informacion në kohë reale

Nuk ka gjë më të keqe se sa të presësh autobusin në një ditë të ftohtë me shi apo me borë. Gazetarët raportojnë se në Frankfurt të Gjermanisë, kodet QR po përdoren për të dhënë alternativa në rastet kur ndodhin vonesa me transportin publik. Posterat me kode QR u japin udhëtarëve informacion në kohë reale lidhur me rrugën e autobuzit apo metrosë.

2. Informacion mbi cilësinë e ushqimit

Sa e freskët është sushi? Një kompani në Britani i le ushqimet të përgjigjen për këtë pyetje. Ata kanë zhvilluar kode QR që mund të krijohen përmes fletës së orizit dhe bojës së kallamarit. Më pas i vendosin kodet mbi sushin për të dhënë informacione lidhur me origjinën e ushqimit.

3. Krijimi i dyqaneve virtuale

E përse të shqetësoheni për të shkuar në një dyqan të vërtetë kur përpara keni një virtual? Tashmë koreanët e kanë këtë mundësi. Dyqanet virtuale të vendosura në stacionet e metrove kanë qenë mjaft të suksesshme. Përdoruesit mjafton të skanojnë kodet QR përmes telefonëve të tyre dhe produkti shtohet menjëherë në shportën e blerjes. Nëse vendosin ta përfundojnë blerjen, produkti u vjen në shtëpi që atë ditë.

4. Dhurata të personalizuara

E ku ka më bukur se një mesazh personal zanor për të uruar ditëlindjen apo një ngjarje tjetër të rëndësishme? Një kompani po eksperimenton së fundmi me ato që i ka quajtur “Santa Tags”. Kodi QR i etiketimit (tag-ut) i mundëson personit që dëshiron të bëjë dhuratën të krijojë një përshëndetje të personalizuar.

5. Marketing nga lart

Marketingu dhe inovacioni janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Phillips & Company ka krijuar disa kode QR të cilat mund të vendosen mbi çati. Sigurisht, skanimi i kodeve QR përmes dritares së avionit mund të mos jetë aq realist, por këto kode do të jenë të dukshme së shpejti edhe përmes Google Maps dhe Google Earth.

Ato kushtojnë 8,500 $ për t’u instaluar dhe për t’u mirëmbajtur. Për kompanitë të cilat dëshirojnë të tërheqin vëmendjen e konsumatorëve, janë mjeti i duhur. (PCWorld Albanian)

Kodet QR

Lajmet e fundit>