Lajmet

Kompania Albtelecom mbush 100 vjet qe nga koha e themelimit

Nov 24 2012
0 Shpërndarje
Kompania Albtelecom mbush 100 vjet qe nga koha e themelimit

Kompania ALBtelecom mbush plot 100 vjet që nga koha e themelimit si Administratë e Post-Telegrafës.

Me këtë rast është organizuar një festë ku kanë marrë pjesë qindra të ftuar. Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë kryeministri i vendit Sali Berisha, Presidenti i Çalık Holding, Ahmet Çalık (Çallëk), Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coşkun (Xhoshkun), si dhe shumë anëtarë të kabinetit qeveritar, anëtarë të Kuvendit Popullor, pjesëtarë të ministrive e institucioneve, shoqata jo-qeveritare, biznesmenë dhe pjesëtarë të medias në Shqipëri dhe më gjerë.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan Coşkun vuri në dukje ndryshimet që nga dita kur industria e telekomunikacionit hodhi hapat e para. “Në vitin 1921 u bë thirrja e parë telefonike në Shqipëri, tani të gjithë ata që janë mbi 15 vjeç në Shqipëri shpenzojnë mesatarisht 10 minuta në telefon çdo ditë. Në vitin 1946, ishin 3 kanale telefonike që lidheshin me shtetet fqinje, ndërsa tani Shqipëria merr miliona minuta thirrje nga jashtë dhe ALBtelecom mbart 30 Gbps trafik interneti në ditë. Në vitin 2007, ALBtelecom ofronte vetëm 2000 linja broadband, ndërsa tani ajo ka arritur në 200 mijë”,- theksoi Coşkun.

Gjatë kësaj ceremonie presidenti i Çalik Holding z. Ahmet Çalik duke uruar festën e Pavarësisë së Shqipërisë, theksoi se me investimet e bëra në Shqipëri përmes bankës BKT dhe më pas me ALBtelecom ndryshimet në 5 vitet e fundit në Shqipëri janë mjaft të dukshme.

Qëllimi ynë kryesor është që të arrijmë edhe në pikat më të largëta të Shqipërisë me shërbimet tona dhe teknologjinë, e cila kontribuon në shoqërinë moderne të informacionit dhe lehtëson jetën e të gjithëve,” ka thënë ai.

Kryeministri Berisha ka theksuar rëndësinë e komunikimit për zhvillimin e një vendi. “Sot përulem me nderim të madh para grave dhe burrave që themeluan ALBtelecom-in e shtetit 100 vite më parë”. Ai ka shtuar se ky është edhe një rast për të shprehur mirënjohje ndaj presidentit të Çalik Holding dhe bashkëpunëtorëve të tij të ALBtelecom dhe Eagle Mobile, për dimensionet e reja që i dhanë telekomunikacionit në Shqipëri në një hark kohor të shkurtër. “Unë e njoh z. Ahmet Çalik, sipërmarrësin që rend në një maratone të pandalshme drejt kufijve të reja të teknologjisë dhe informacionit,” ka thënë Berisha.

“Vetëm pak vite më parë penetrimi i internetit në Shqipëri ishte vetem 4,8%, por ALBtelecom dhe Eagle udhëhoqën me vendosmëri procesin e liberalizimit të mëtejshëm të tregut në përputhje me reformat e qeverisë. ALBtelecom dhe Eagle kane ofruar shërbimet me cilësore dhe u kanë dhënë qytetarëve të drejtën themelore të tyre, atë të komunikimit, ka thënë kryeministri Berisha. Së fundi Eagle Mobile ka marrë licencën 3G dhe jam i bindur se ky sistem do të kalojë në 4G, teknologjinë më të avancuar të kohës” ,-konkludoi kryeministri Berisha.

Ndërsa Ministri Genc Pollo tha se industria e telekomunikacionit ka ndryshuar jetën e çdo njeriu në Shqipëri, përmes penetrimit të jashtëzakonshëm, më i larti në Europë, dhe shërbimeve të reja cilësore me çmime në ulje vitet e fundit.

“Këto kompani kane lidhur Shqipërinë me të gjithë botën në një mënyrë që më parë ka qenë e paimagjinueshme. ALBtelecom është një partner shumë i rëndësishëm si kompani e shërbimeve fikse zanore, por tashmë edhe me shërbime të tjera. Në bashkëpunim me Eagle Mobile së shpejti do të aplikojnë telefoninë 3G. Përmes këtij partneriteti përpiqemi të sjellim ndryshime në Shqipëri duke adaptuar legjislacionin më të mirë, duke rritur fuqinë punëtore të kualifikuar dhe çuar shërbimet qeveritare online që të jenë efikase për përdoruesit dhe efiçiente. Në këtë mënyrë do të ndryshojmë më mirë jetën e çdo individi”,- ka thënë Pollo.

Me hyrjen në treg të Eagle Mobile në vitin 2008, komunikimi në celular në Shqipëri hapi një epokë të re. Abonentët e shërbimit ADSL të ALBtelecom në muajin gusht 2008 shënonin shifrën e 1500 përdoruesve, ndërsa tani ky numër ka tejkaluar 70 mijë përdorues. ALBtelecom ka bërë të gjitha investimet e nevojshme për të ofruar 100 Mbps internet në përvjetorin e 100-të.

Në sajë të investimeve të deritanishme që tejkalojnë shumën prej 150 milion Eurosh, është bërë e mundur zhvendosja në “Next Generation Network” (NGN). ALBtelecom po bëhet një nga operatorët e parë të telekomunikacionit në Evropë që po përfundon plotësisht këtë proces kalimi në teknologjinë më moderne.

ALBtelecom shpreh vendosmërinë për të investuar më tej, në mënyrë që të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të kenë mundësi të përfitojnë nga avantazhet që ofrojnë gjithnjë e më shumë shërbimet e telefonisë dhe internetit fiks dhe celular.

Me infrastrukturën moderne të ALBtelecom në vend, qeveria gjithashtu ka lançuar me sukses një projekt E-government (Gov.Net) dhe projektin e internetit në shkolla. Të gjitha shkollat në Shqipëri janë të pajisura me internet broadband nga ALBtelecom.

Dhe tani kjo kompani është në gjendje të mbështesë të gjitha nevojat e konektivitetit të ekonomisë shqiptare, familjeve, biznesit, institucioneve qeveritare dhe gjithashtu të operatorëve të tjerë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>