Biznes

Kompania ZTE shpreh interes për të zgjeruar investimet në Shqipëri

Apr 19 2009
0 Shpërndarje
Kompania ZTE shpreh interes për të zgjeruar investimet në Shqipëri

ZTE logoKryeministri Berisha vizitoi sot selinë qendrore të kompanisë ZTE një nga kompanitë më të mëdha në botë për prodhimet e telefonisë, telekomunikacionit dhe rrjeteve ndërlidhëse me xhiro vjetore prej 4 miliard dollarë. Prodhimet e kësaj kompanie mbulojnë të gjithë gamën e prodhimit që nga fibrat optike, prodhimet e wireless, shërbimet e telefonisë fikse dhe celulare si dhe tregun e terminaleve.

President i Bordit të Kompanisë ZTE, Zhu Jinyan, gjatë takimit i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë për marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Ai u shpreh se ZTE ka ruajtur nivelin e rritjes vjetore prej 30 % edhe në kushtet e krizës ekonomike botërore si pasojë e politikave të rezervave të mëdha likuide të kompanisë.

Ai tha se ZTE është e nderuar që ka hapur një filial në Tiranë dhe ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë dhe me Kryeministrin Berisha për projektin e saj të ADSL-së me kompaninë Albtelecom, faza e parë e së cilës është kompletuar dhe së shpejti do fillojë faza e dytë.

Z. Jinyan shprehu gatishmërinë e kompanisë që drejton për të investuar edhe më tej në tregun shqiptar në mënyrë që të ofrojë shërbime më të mira me kosto më të ulët për konsumatorin shqiptar. Gjithashtu ai theksoi se pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën Shqipërinë një vend shumë të mirë për t`u shndërruar në qendër të kërkimeve dhe prodhimit të teknologjisë së lartë për rajonin dhe mbarë Europën. Ai shprehu interesin e madh të kompanisë së tij për të përfituar nga oferta e Kryeministrit Berisha për një zonë të lirë ekonomike për zhvillimin e teknologjisë së lartë për ta shndërruar Shqipërinë në një lider rajonal në këtë drejtim.

ZTE AlbaniaNga ana e tij Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin e Bordit të kompanisë ZTE për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për prezencën e tyre në tregun shqiptar.  “Unë jam shumë i lumtur dhe krenar që një kompani e rangut të ZTE operon në Shqipëri. Ju morët pjesë në një aktivitet shumë të rëndësishëm për kombin shqiptar, instalimin e ADSL (internet me shpejtësi të madhe) në bashkëpunim me Albtelecom,duke ofruar një çmim shumë herë më të ulët se të gjitha kompanitë konkurruese. Ky proces ka ecur më mirë se sa e mendoja, sepse qytetarët shqiptarë mund të pajisen me internet me shpejtësi të madhe duke marrë instalimin falas.
Siç e theksuat edhe ju –tha Kryeministri Berisha- ekziston një miqësi tradicionale midis dy kombeve tona dhe kjo është një gjë shumë e çmuar për kombin tim. “Unë sapo vizitova parkun e mrekullueshëm të Shenzhenit dhe do të doja t`ju siguroja se qeveria ime dhe unë do të bëjmë çdo përpjekje për të mbështetur përpjekjet tuaja për të qenë të suksesshëm në Shqipëri dhe ne rajon. Jemi gati t`ju ofrojmë çdo lehtësi, qendra shpërndarjeje, qendra prodhimi, qendra kërkimore e çdo aktivitet ekonomik në Shqipëri”.

Shqipëria, vijoi Kryeministri, ofron potenciale të mëdha për investitorët e huaj, si pozicioni gjeografik , një klimë të shkëlqyer biznesi, taksat më të ulëta në Europë, një forcë pune te shkolluar dhe të lirë si dhe lehtësira që ka krijuar  nëpërmjet iniciativës “Shqipëria një euro”.
Kryeministri theksoi se në takimet me Presidentin Hu Jintao dhe me Kryeministrin Wen Jiabao do t`u ofrojë atyre një zonë të lirë ekonomike në territorin midis Tiranës dhe Durrësit për investime nga bizneset kineze.

“Shpresoj që ZTE do ta konsiderojë seriozisht mundësinë për të përfituar nga kjo zonë ekonomike dhe do të zgjerojë aktivitetin e saj ekonomik në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri.

Më tej Kryeministri Berisha iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Presidentit të ZTE për t`i shprehur Presidentit Hu Jintao dhe Kryeministrit Wen Jiabao interesin e ZTE për të investuar në Shqipëri.
Në fund Kryeministri Berisha vizitoi nga afër ambientet në linjën prodhuese të kompanisë ZTE.

ZTE është një nga kompanitë e telekomunikacionit  me rritjen më të shpejtë në botë, me një rritje vjetore prej rreth 30 %. Rreth 10 % e të ardhurave të kësaj kompanie shpenzohen për aktivitet kërkimor ç`ka e vendos ZTE si një ndër kompanitë me teknologjinë më të zhvilluar në botë. Ajo ka partneritete me 500 operatorë telefonikë në 120 vende të botës. Gjithashtu ZTE po zgjeron aktivitetin e saj nëpër botë me një rritje ndërkombetare prej 44 % në 2006 si dhe me qendra kërkimore rajonale në 22 vende të botës përfshi Suedinë, Francën Pakistanin, SHBA-në etj. Kompania ka mbi 40 000 inxhinierë nga të cilët mbi 4000 me master. (PCWorld Albanian)

zte1

Lajmet e fundit>