Lajmet

Kompania Zynga largon nga puna 18 % të punëtorëve, përqendrohet në sistemin mobil

Jun 4 2013
0 Shpërndarje
Kompania Zynga largon nga puna 18 % të punëtorëve, përqendrohet në sistemin mobil

Ndërmarrja e njohur kryesisht për lojërat e saj në Facebook është duke bërë ndryshime në strukturën e vet.

Zynga në një postim në blog lajmëroi që do të bëhet largimi i 18 për qind të punëtorëve, për të ulur shpenzimet e veta. Lajmin për këto largime e kishte postuar në blogun e ndërmarrjes shefi ekzekutiv i ndërmarrjes Mark Pincus.

Gjatë vitit 2012, sipas Komisionit për Shkëmbime dhe Siguri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zynga ishte raportuar se kishte më tepër se 3,000 punëtorë në kohë të plotë. Më tepër se 500 punëtorë do të largohen nga ndërmarrja në gusht, tha Zynga në një deklaratë.

Edhe shumë zyra të ndërmarrjes janë duke u mbyllur, por nuk u dhanë hollësi në lidhje me vendndodhje të zyrave përkatëse. “Sot është një ditë e vështirë për Zynga-n dhe një gjendje emocionale për çdo punëtor të ndërmarrjes tonë,” tha Pincus. “Ndikimi i këtyre pushimeve do të ndjehet përgjatë çdo grupi në ndërmarrje. Ky është një hap i nevojshëm për të shkuar përpara,” shtoi ai.

Pushimet janë duke u kryer nga ndërmarrja me bazë në San Francisko si mënyrë për t’u përqendruar në rritjen e pajisjeve mobile që janë duke e “revolucionarizuar lojën,” tha Pincus. “Duke zvogëluar strukturën e shpenzimeve sot ne do t’iu ofrojmë skuadrave tona rrugën që iu nevojitet për të rrezikuar dhe zhvilluar këto përvoja të reja shoqërore depërtuese,” tha ai.

Zynga është themeluar në vitin 2007

Historikisht, rrjeti i Zynga-s ka qenë i lidhur ngushtë me Facebook-un. Deri së fundi e zakonshme ishte për përdoruesit që të qaseshin për të luajtur në Zynga nëpërmes rrjetit Facebook, por gjatë muajit mars ndërmarrja bëri ndryshime për të lejuar krijimin e llogarive të tyre në faqen Zynga. Lëvizja ishte dizajnuar për të rritur dhe forcuar bazën e përdoruesve të vetë Zynga-s.

Disa nga lojërat më të famshme të zhvilluara nga Zynga janë FarmVille, County Fair dhe Zynga Poker. “Derisa dega jonë për FarmVille vazhdon të funksionojë siç duhet, lojërat e tjera janë nën-përdorim,” tha ndërmarrja në një njoftim për shtyp, pa i emëruar lojërat e tjera. Mbyllja e lojërave The Ville, Empires & Allies, Dream Zoo dhe Zynga City on Tecent ishte raportuar gjatë muajit prill, gjatë lajmërimit të ndërmarrjes për rezultatet financiare për tremujorin e parë të vitit 2013.

Lojërat e Zynga-s janë të qasshme edhe përgjatë rrjetit Google+ dhe platformave Android, por 86 për qind e përfitimeve të ndërmarrjes në vitin 2012 u nxorën nga Facebook, tha ndërmarrja në raportimin e vet më të fundit. Zynga raporoti përfitime të përgjithshme prej 1.28 miliardë dollarë gjatë vitit 2012, që paraqet një ngritje prej 12 për qind, ndonëse një rënie prej 209 milionë dollarë për të ardhurat neto ishte regjistruar.

Ndërmarrja pret që reduktimet e veta do të ulin pagesat për taksa që do të mund t’i kursenin ndërmarrjes 70-80 milionë dollarë. Zynga është themeluar në vitin 2007 dhe u bë ndërmarrje publike në vitin 2011. (PCWorld Albanian)

zynga

Tags >

Zynga
Lajmet e fundit>