Blog

Komuna e Prishtinës prezantoi e-kiosku-n e ri me shërbime të reja

Oct 20 2017
0 Shpërndarje
Përveç certifikatës së lindjes, ekstraktit, certifikatës së vendbanimit, certifikatës së shtetësisë, certifikatës së martesës, tani në e-kioskun e ri do të mund të nxirret dhe të paguhet aty për aty fatura e tatimit në pronë. Komuna e Prishtinës prezantoi e-kiosku-n e ri me shërbime të reja

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, bashkë me Nënkryetarin Muhedin Nushi, prezantuan të Enjten e-kiosku e ri, me shumë funksione të reja ndryshe nga e-kiosku që e kemi vendosur vite më parë.

Shërbimet inovative të Komunës së Prishtinës nuk janë diçka e re jo vetëm për qytetarët e saj por edhe publikun. Në Edicionin e Katërt të garës mbarëkombëtare Albanian ICT Awards, Komuna e Prishtinës fitoi çmimin ICT Shërbimi Publik i Vitit me projektin e-Kiosku.

Përveç certifikatës së lindjes, ekstraktit, certifikatës së vendbanimit, certifikatës së shtetësisë, certifikatës së martesës, tani në e-kioskun e ri do të mund të nxirret dhe të paguhet aty për aty fatura e tatimit në pronë.

Për më tepër, në këtë e-kiosk, është edhe hapësira për informimin e turistëve, Turist Info.

Në të njëjtin aparat është i vendosur edhe telefoni që lidhet direkt me Qendrën e Thirrjeve të Komunës, ku secili qytetar mund ta informojë Komunën për çdo parregullsi.

Fillimisht do të vendosen 4 e-kiosqe të tilla, një tek Komuna e re, një në lagjen Kodra e Trimave, një në Qendrën e Regjistrit Civil, dhe një në bashkësinë lokale në Ulpianë. Ky e-kiosk aktualisht është më i avancuari në rajon për nga shërbimet.

Aparatura e re është risi absolute në tregun tonë, me produkte të vetëshërbimit multifunksional biometrik, e cila sot është promovuar në Komunën e Prishtinës. Kjo paisje është shumëgjuhëshe (shqip, sërbisht dhe anglisht) për produkte kryesore, por do të funkcionalizohen edhe gjuhët tjera kryesore botërore për nevoja të turistëve që e vizitojnë qytetin tonë. Kjo paisje e re do të mundëson qytetarëve të Prishtinës që në mënyrë digjitale të shfrytëzojnë këto produkte:

DOKUMENTET NGA GJENDJA CIVILE

  • Certifikatën e Lindjës
  • Certifikatën e Lindjës për Fëmijë
  • Ekstraktin e Lindjës
  • Certifikatën e Vendbanimit
  • Certifikatën e Shtetësisë
  • Certifikatën e Martesës

SIM KARTELAT (në bashkëpunim me operatorët e telefonisë mobile)

  • TopUp – rimbushjen e llogarive të tyre

INFO TURISTIKE

  • Guida turistike “Eja në Prishtinë”

TATIMI NË PRONË (në bashkëpunim me MEF)

  • Shtypja e faturës
  • Pagesa e faturës
  • Vërtetimi për pagesën e tatimit në pronë

PAGESA NË EURO

  • Pagesat me kartëmonedha me kthim të kusurit
  • Pagesat me monedha metalike me kthim të kusurit

IDENTIFIKIMI

  • Përmes Numrit Personal
  • Njohja e fytyrës (face recognition)

NDIHMA QYTETARËVE

  • Vetëm duhet të ngrihet telefoni dhe të komunikoni menjëherë me Qendrën e Thirrjeve të Komunës

Aparatura do të mundësojë edhe shtypjen e biletave të trafikut urban, leximin e kartave të ndryshme si dhe të produkteve tjera të cilat do të shfrytëzohen në të ardhmen në Prishtinë.

CDM do të funksionalizohet plotësisht gjatë ditëve në vijim, kur edhe do të ofrohet në shfrytëzim për qytetarët. Pritet të arrijnë edhe 3 (tri) aparatura të njëjta do të mbulojnë një pjesë të madhe të Prishtinës.

Tre javë më parë, Komuna e Prishtinës lançoi platformën “Prishtina Open Data” me synimin e vetëm të kthimit të besimit të qytetarëve tek institucionet publike përmes transparencës.

Përmes kësaj platforme bëhet pasqyrimi i të gjitha informacioneve të mbledhura nga drejtoritë komunale me qëllim që këto shënime të përdoren më tutje në funksion të transparencës së plotë në komunë si dhe në funksion të zhvillimit lokal. Janë plot 130 dokumente aktualisht të disponueshme.

Gjithashtu në Qershor të këtij viti, Komuna prezantoi aplikacionin përPrishtinën si pjesë e përpjekjeve të saj për dixhitalizimin e shërbimeve.

Aplikacioni “përPrishtinën” u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve, për të raportuar problemet të cilat i hasin çdo ditë sa i përket rendit komunal, ndotjes së ambientit, rrezikut për pronën publike, pengesave në komunikacion, dëmtimit të pyjeve, si dhe të ndërtimeve pa leje.

e-Kiosku është një tjetër projekt i cili ka të njëjtin vizion, ngritjen e kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve për qytetarët. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>