Lajmet

Konferenca Build e Microsoft do të ketë në fokus përditësimin e Windows 8

Jun 26 2013
0 Shpërndarje
Konferenca Build e Microsoft do të ketë në fokus përditësimin e Windows 8

Këtë javë mijëra zhvillues do të grumbullohen në San Francisco për të marrë pjesë në eventin më të rëndësishëm të organizuar nga Microsoft.

Bëhet fjalë për Konferencën Build, e cila sigurisht do të ketë në fokus përditësimin e sistemit operativ Windows 8.

Përveç përmirësimeve që vijnë me Windows 8.1, një prej pikave delikate që mund të preket është edhe nxjerrja në pah e kritikave ndaj këtij sistemi që mund të themi se nuk kanë ndihmuar në rritjen e shitjeve të kompjuterëve desktop ashtu si pritej.

Kritikët kanë fajësuar kryesisht ndërfaqen e organizuar në formë dritaresh ose pllakëzash të vogla të cilat favorizojnë më tepër pajisjet me ekran me prekje. Kjo ndërfaqe qëndron shumë larg ndërfaqes së parë me të cilën janë mësuar përdoruesit.

Gjatë zhvillimit të konferencës shefat ekzekutivë të Microsoft-it do të venë theksin në prezantimin e opsioneve të reja duke filluar nga ndryshimi i përmasave të dritareve që simbolizojnë aplikacionet dhe deri tek mundësia për të personalizuar ekranin Start. Do të organizohen gjithashtu seanca të veçanta me zhvilluesit për krijimin e aplikacioneve të reja që do të shfrytëzojnë pikërisht këto opsione të reja të sistemit operativ.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe dyqani on line i aplikacioneve Windows Store për të cilin është punuar fuqishëm që prej debutimit të Windows 8.

Në vazhdimësi do t’ju informojmë me të gjitha zhvillimet më të fundit të kësaj konference. (PCWorld Albanian)

msft build

Tags >

Microsoft
Lajmet e fundit>