Harduer

Konferenca e zhvilluesve Build 2015: Çfarë të presim nga Microsoft?

Apr 26 2015
0 Shpërndarje
Konferenca e zhvilluesve Build 2015: Çfarë të presim nga Microsoft?

microsoft-build-2015

Konferenca “Build 2015” e Microsoft do të startojë ditën e mërkure me 29 Prill dhe do të zgjasë gjer më 1 Maj. Pritshmëritë nga Microsoft janë të larta prandaj kjo konferencë do të ketë një vëmendje të veçantë nga zhvilluesit por që po ngjall edhe një interes të lartë tek bizneset dhe konsumatorët individuale. Në fakt, kompania ditën e djeshme ka publikuar aplikacionin që do të mbajë të informuar të gjithë në lidhje me detajet e evenimentit, aplikacion i cili është i disponueshëm në Android, iOS dhe Windows Phone. 

Ky eveniment është një shfaqje e përvitshme i cili tërheq vëmendjen e shumë zhvilluesve por edhe të apasionuarve pas teknologjisë. Entuziasmi është i lartë dhe kjo gjë mund të vërehej nga biletat e shitura menjëherë siç ka raportuar Microsoft. Por përpara datës 29 Prill ne menduam të shkruanim një artikull përmbledhës në lidhje me prishmëritë tona nga Microsoft në këtë konferencë. 

Windows 10 

Sistemi operativ do të jetë në qëndër të çdo diskutimi në këtë konferencë. Windows 10 sjell një ekosistem të ri me një integrim të ngushtë mes paisjeve desktop, mobile, Xbox, HoloLens dhe Internetit të Gjërave. Microsoft që nga tetori i vitit të shkuar ka testuar vazhdimisht Windows 10 duke publikuar përditësime të shpeshta të ndërtimeve ku më i fundit ishte 10061. Microsoft i quajti këto versione eksperimentale të Windows 10, Vëzhgime Teknike. 

Këto ndërtime eksperimentale kanë tërhequr vëmendjen e më shumë se 3 milion individëve që janë bërë pjesë e programit Windows Insider përmes së cilit mund të shkarkonin Windows 10 dhe ta testonin. Një pjesë e madhe e analistëve e kanë quajtur Windows 10, ajo çfarë Windows 8 duhet të kishte qenë. 

Windows_Product_Family_9-30-Event

Nga ana tjetër, ndërsa vazhdojnë të përditësohen ndërtimet eksperimentale të Windows 10, Microsoft njoftoi se versioni final i Windows 10 do të mbërrijë në verën e këtij viti. 

Konferenca Build me shumë gjasa do të përcaktojë vijueshmërinë e ndërtimeve të radhës të Windows 10 me një ide të qartë të asaj çfarë mund të presim në javët në vijim. Pra pritet që Microsoft të publikojë ndërtimet pasardhëse të Windows 10 për desktopët, telefonët, dhe tabletët. 

Që nga konferenca e 21 Janarit nuk kemi dëgjuar më asgjë për projektin holografik HoloLens. Nëse vizitoni uebfaqen e Microsoft HoloLens do ju lëjë të kuptoni se detaje të reja të kësaj iniciative do të zbulohen në konferencën Build 2015. 

Përsa i përket Internetit të Gjërave, presim të dëgjojmë informacione të rëndësishme rreth mbështetjes që mund të ofrojë Windows 10 për këtë teknologji. Gjatë muajit Shkurt me nxjerrjen në shitje të Raspberry PI 2, menjëherë u zbulua edhe mbështetja e Microsoft Windows 10 për këtë harduer. Ishte një lajm i madh dhe mjaft i rëndësishëm. 

Ndërsa në frontin e Xbox pamë një demostrim ku shfaqej transmetimi i një loje mes një konsole dhe kompjuteri desktop dhe asgjë më shumë gjer më sot. Prandaj mendojmë se Xbox do të jetë një temë e nxehtë në konferencën Build 2015. 

Aplikacionet Universale 

Në të vërtetë, konferenca Build 2015, i dedikohet e gjitha zhvilluesve dhe pritet një mesazh i fortë nga Microsoft për këtë kategori pjesëmarrësish. 

Me ndryshimet e reja që po ndodhin në dizajnin e platformës mobile të Windows, zhvilluesit do e kenë më të lehtë të transferojnë aplikacionet e tyre nga Android dhe iOS për në Windows Phone. Këto aplikacione me padyshim do të jenë universale, çka do të thotë se zhvilluesit do të kodojnë një aplikacion i cili do të adaptohet në të dyja platformat, desktop dhe mobile. Kjo lehtëson punën e zhvilluesve të cilët ishin të detyruar të ndërtonin aplikacionet edhe për Windows Phone por edhe për Windows 8. 

P4020100-X2

Ne shpresojmë që Microsoft me këto ndryshime do ja arrijë të mbyllë hendekun e aplikacioneve të Windows Phone nga njëra anë dhe Android/ iOS nga ana tjetër. Mbase për zhvilluesit ka qenë e thjeshtë të injoronin një platformë si Windows Phone por është e vështirë të injorosh 1.5 miliard përdorues të platformës desktop të Windows 10. Dhe nëse zhvilluesit ndërtojnë një aplikacion në desktop Windows 10, ai aplikacion, falë platformës së aplikacioneve universale, do të funksionojë edhe në platformat mobile. 

Gjithashtu në konferencën Build 2015 presim të shohim ndërtimet paraprake, pra versionet eksperimentale, të aplikacioneve Office për Windows 10-tën e telefonëve. Outlook Mail dhe Calendar mbërritën në ndërtimin 10051 pak javë më parë. 

Microsoft Azure 

Përpjekjet e Microsoft në drejtim të shërbimeve cloud të Azure kanë rezultuar gjithmonë kolosale ku kohët e fundit janë vënë re prezantime shërbimesh të reja si Azure Fabric, Azure App Service, Azure Media Player dhe Hyper-V Containers. 

MicrosoftAzureBanner

Janë krijuar gjithashtu mundësi të pafundme për zhvilluesit që kërkojnë të pasurojnë më tej ekosistemin e aplikacioneve të tyre në shërbimet Azure Cloud. Kjo do të rezultojë në implementimin e karakteristikave më dobiprurëse për konsumatorët. Konferenca Build 2015 do vërë një theks të fuqishëm tek Azure, i cili është një biznes mjaft fitimprurës për Microsoft. 

Visual Studio 

Pak javë më parë Microsoft prezantoi linjën e produkteve të 2015-tës të Visual Studio me një ndryshim mjaft të rëndësishëm siç ishte kombinimi i produkteve Visual Studio Premium me atë Ultimate në një të vetëm quajtur Visual Studio Enterprise. 

Svr-2012

Sigurisht që Visual Studio Community do të vazhdojë të jetë falas për hulumtimet akademikët, trajnuesit, edukatorët dhe profesionistët. Nëse jeni një zhvillues dhe akoma nuk jeni bashkuar programit Windows Insider, atëherë nxitoni sepse nuk ka një program veçmas të Windows 10 quajtur Developer Preview. E gjitha kjo po mbahet në një çadër të vetme quajtur programi Windows Insider. 

Verdikti 

Tani që Microsoft ka njoftuar se Windows 10 po vjen këtë verë dhe aktualisht po mendohet për një lançim zyrtar në fund të muajit Korrik, e vetmja gjë që ka ngelur nga ana e kompanisë pas konferencës Build është të punojë me rregullimet e dështimeve dhe gabimeve të sistemit operativ.  

Gjatë kësaj periudhe nuk do të ketë më aplikacione apo risi të reja në sistemin operativ ndërsa Windows 10 do të përgatitet për debutimin e versionit RTM( Release to Manufactures). Ajo që të gjithë po shpresojnë nga Microsoft është mos përsëritja e një tjetër Windows 8 dhe kompania e ka kuptuar këtë gjë. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>